Disa zyrtarë të opozitës në Shqipëri kanë bërë thirrje për shkarkim ose dorëheqje të ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha.

Arsyeja është një shprehje ofenduese për disa politikanë ose opinionistë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilën e përshkruajnë si të drejtuar për të gjithë shqiptarët e asaj republike. Nuk e di sa e vërtetë është kjo shprehje që sipas vetë akuzuesve rezulton menjëherë e fshirë dhe se ka qenë pjesë e një bisede private në platformën “Whatsapp”.

Sipas tyre shprehja dëshmon përçmim ndaj shqiptarëve dhe mungesë takti nga kreu i diplomacisë shqiptare, prandaj ai duhet të largohet.

Këto thirrje nuk do të çojnë askund dhe janë për mendimin tim të padrejta, të tepruara, dhe një shpërdorim i kohës dhe energjive të opozitës shqiptare.

Së pari, Ferit Hoxha është një nga diplomatët më të mirë shqiptarë të 30 viteve të fundit. Sipas shumë vëzhguesve të pavarur madje edhe kritikëve të kryeministrit Edi Rama, zgjedhja e tij në krye të diplomacisë shqiptare ka qenë një nga zgjedhjet më të goditura në kabinetet e ndryshme qeveritare shqiptare të dekadës së fundit.

Ai është shquar sidomos gjatë kohës që shërbeu si Ambasador i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kur Shqipëria ishte anëtare e Këshillit të Sigurimit. Për punën, aftësitë dhe njohuritë e dëshmuara në ato dy vjet është vlerësuar jashtëzakonisht nga disa prej diplomatëve më të rëndësishëm të kohës.

Së dyti, ministri Hoxha ka qenë vazhdimisht një nga diplomatët e Shqipërisë më të ndjeshëm dhe më të angazhuar në vite për kauzën e Kosovës dhe të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre, përfshi edhe ata të Maqedonisë së Veriut. E kam ndjekur punën e tij nga afër gjatë viteve që ka shërbyer në New York, më shumë se dhjetë vite në dy mandate si ambassador dhe disa vite të tjera më parë si diplomat. Vështirë të gjesh një diplomat shqiptar më të qartë dhe më të vendosur për ta përdorur zërin e Shqipërisë në shërbim të shqiptarëve që nuk përfaqësohen sa duhet nga shtetet ku jetojnë apo që mungojnë në forumet ndërkombëtare.

Sigurisht në momentin që u bë ministër ishte vetëm çështje kohë kur do të kthehej në një objekt sulmi e paragjykimesh politike. Ministrat janë natyrisht zyrtarë politikë, ndonëse vetë Ferit Hoxha nuk është nisur ndonjëherë nga politika në punën e tij shumëvjeçare dhe është nga ata ambasadorë e ministra të rrallë që janë zgjedhur nga sistemi i funksionarëve publikë dhe jo nga radhët e politikës. Megjithë respektin për opozitën, në Shqipëri na duhen më shumë ministra si ai, jo më pak.

Në fakt, një nga vendimet më të mira të qeverive të kryeministrit Sali Berisha ka qenë emërimi i Ferit Hoxhës si Ambasador në OKB. Po ashtu një nga vendimet më të mira të Edi Ramës si kryeministër ishte që e mbajti në atë detyrë pasi erdhi në pushtet, madje edhe e riemëroi kur Shqipëria filloi anëtarësinë në Këshillin e Sigurimit.

Është e rëndësishme që opozita shqiptare, sidomos Partia Demokratike të mbajë nën vëzhgim dhe të kritikojë qeverinë e radhës sa herë gabon, korruptohet, apo shpërfill interesat shqiptare. Është e drejta e saj kushtuese dhe detyra që i ka vënë demokracia. Një ditë kur të vijë në pushtet, shpresojmë se do të qeverisë më mirë se Partia Socialiste. Por sulmet në këtë rast ndaj ministrit Hoxha ngjajnë pak si një shpërqendrim i vëmendjes nga probleme më madhore që ka qeverisja e sotme, sidomos në ndarjen e pushteteve, luftën ndaj korrupsionit, problemet ekzistenciale në shërbimin e shëndetësisë, dhe probleme të tjera me institucione shtetërore e juridike. Fiksimi në një shprehje të nxituar dhe pavend nga ato që të gjithëve na delin nganjëherë në rrethana private nga frustrimi apo mungesa e përqendrimit (duke besuar se e ka thënë vërtet) është një shkalafitje e nxitur më shumë nga dëshira për të goditur një figurë pozitive qeveritare sesa vërtet nga meraku për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Unë mendoj se Ferit Hoxha duhet të vazhdojë punën e tij për të drejtuar diplomacinë shqiptare në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian, dhe me bashkëpunimin e të dy krahëve të politikës mund të ndihmojë që ta bëjë realitet ashtu si ndihmoi në mënyrë themelore në anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit. Frytet e punës së tij, në afrimin e Shqipërisë drejt BE-së do t’u shërbejnë jo vetëm qeverive socialiste por edhe atyre demokrate në të ardhmen sepse kjo punë nuk fillon asnjëherë nga zero, por vazhdon duke shtuar mbi çfarë kanë ndërtuar paraardhësit.

Ferit Hoxha nuk është i pagabueshëm dhe askush nuk duhet të jetë i paprekshëm, por opozita duhet të presë për ndonjë rast më serioz dhe më thelbësor për të kërkuar largimin e radhës nga një kabinet që të them të drejtën është ndryshuar më shpesh se sa duhet. Shqipëria ka nevojë për më shumë stabilitet, pavarësisht se kush është në pushtet. Deri atëhere lëreni njeriun të punojë për të mirën e të gjithëve.

Sa për pikëpamjet dhe vlerësimin që ka Ferit Hoxha për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, nuk ka nevojë të gërmojmë ndonjë bisedë shkarazi private, të cilën turp kush e ka nxjerrë, sepse e tregon puna që ka bërë për më shumë se 30 vjet me radhë që nga koha kur disa nga akuzuesit e sotëm ishin ende fëmijë. Të gjithë do të dalim të humbur nëse zvarrisim harmoninë tonë panshqiptare në batakun e luftës ndërpartiake.