Peshq, varka që lundrojnë mbi ngjyra, figura gjeometrike, toteme dhe instrumente që duket se nxjerrin tinguj nga pëlhura.
Kjo është bota imagjinare e Ibrahim Kodrës, piktorit të njohur shqiptar që cilësohet si postkubisti i fundit evropian.
20 vjet pas largimit nga jeta, ai kthehet në Tiranë përmes punëve të tij në ekspozotën “Deti dhe Muzika” të çelur në ish-hotel “Dajti”, një mjedis që tashmë i përket Bankës së Shqipërisë. Në ekspozitë shfaqen vepra të realizuara mes viteve 1947 dhe 1999 dhe që janë pjesë e fondit të Shtëpisë-Muze të Kodrës në Milano, punë nga koleksione private, si dhe dokumente e objekte personale të artistit.
“Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të maestros. Aktivitetin e parë e kemi bërë në Brera të Milanos dhe i dyti është këtu. Një falenderim i veçantë shkon për koleksionistët shqiptarë dhe kosovarë, veprat e të cilëve kanë mbushur këtë sallë sonte.”, tha Fatos Faslliu, drejtues i fondacionit "Ibrahim Kodra".
“Dua t'ju bëj me dije se kjo punë ka nisur shumë vite më përpara. Sot, 23 vite më vonë nga takimi im i parë me Kodrën, prezantohem para jush si kuratore në këtë ekspozitë të titulluar ‘Deti dhe Muzika’, ku përfshihen 41 vepra të Fondacionit dhe koleksioneve private. Por, synimi ynë është më i madh se kaq. Kjo është vetëm një parantezë, sepse synimi është për të vijuar më tej, duke sjellë veprën e Ibrahim Kodrës nga Italia në Shqipëri për të krijuar një muze të përhershëm në Tiranë.”, tha Anila Mema në rolin e kuratores së ekspozitës.
Studiuesi Abaz Hado, dikur drejtues i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe që ruan mjaft kujtime me Kodrën përkrah idenë e ngritjes së muzeut.
“Tashmë nuk është më thjesht dëshirë, por një detyrim patriotik krijimi i muzeut të Ibrahim Kodrës. Në një kohë me dyndje turistësh, ne duhet t'u paraqesim atyre trashëgiminë tonë në artet pamore. Vetëm kështu mund të konkurrojmë dhe t'i bëjmë studiot e artistëve tanë aktive në axhendat e turizmit.”, tha Hado.
Përveç pikturave, publiku ndoqi edhe një dokumentar për jetën e tij, si dhe një koncert të veçantë dedikuar Kodrës, kompozuar nga Robert Bisha. Ekspozita “Ibrahim Kodra – Deti dhe Muzika” do të qëndrojë e hapur deri më 23 nëntor.











Komente
Komento