Kur Mjeda i ankohej për
dashurinë zemrës së Krishtit

Kur Mjeda i ankohej për<br />dashurinë zemrës së Krishtit
Profili i Ndre Mjedës tashmë po bëhet edhe më i plotë dhe më njerëzor në artikujt e njëpasnjëshëm që janë botuar në Shqiptarja.com, kundrejt shikimit të njëanshëm që i është bërë këtij personaliteti për shumë vite me radhë si përfaqësues i letrave shqipe. Në numrin e kaluar kemi botuar pjesën “Kleriku që bashkoi biblën me shpirtin e malësorit”, ku është spikatur qartë mënyra origjinale si e ka përcjell Mjeda fjalën e Zotit tek malësorët e thjeshtë. Ndërsa në këtë numër Mjeda shfaqet me elemente të panjohura biografike, të cilat zbulohen në një pjesë të mirë të poezive të përshpirtshme që kanë qenë të panjohura.                  
 
(Vijon nga numri i kaluar)
 
Mjeda, ngushëllohet më shpresën se gjendja e atdheut të tij do të ndryshoj e shpërblimi nga Hyji martireve do t’u  jepet. Kjo gjë vihet në pah te poema “Liria”, që poeti e kishte shkruar në prag të pavarësisë, si një shprehje e besimit se liria së shpejti si shqiponja do i hap krahët e vet mbi Shqipërinë.
Te prozat dhe poezitë në vazhdim, poeti Mjeda, duke e shprehur thellë ndjenjën e peshës së rendë të jetesës të njeriut të rëndomtë, kërkon në të shumtën e rasteve,  të gjejë për ta një ngushëllim, të paktën në jetën pas tokësores, siç na mësojnë shkrimet biblike.
 “I mbetuni”: jetimit varfanjak të mbetur në mëshirën e fatit, e vetmja shpresë që i mbetet është gëzimi në jetën tjetër: Me njata qi veç e dojshin, Trupi i t’vocërit pushoj; E n’lumni qi ata po gëzoshin, Shpirti i njomës fluturoj.

Tek “Ëndrra e jetes” kemi një situatë  tjetër.  “Lokja”, me dy vajzat, Trina dhe Zoga janë gjithë familja e andrrës së jetës. Ato jetojnë në një fshat të humbur shqiptar, rrethuar më pyje ku mbretëron qetësi e madhe. Aty është vetëm familja duke u marr më punët e përditshme, zogjtë qe këndojnë, e oshtima e përroit e prish ngandonjëherë qetësinë e këtij ambienti të krijuar nga vetë Perëndia.
Poeti duke përshkruar në mënyrë tejet emocionuese tragjedinë e një familje fshatare,  por dhe jetën më plotë e me ëndrra emocionuese të Zogës, ngushëllimin dhe lumturiminë e saj e gërsheton edhe me personazhet e Besëlidhje së Re.

“Trina” – “Pshesha me kallomoqe, T’mirë edhe për zotni, kur don për rob e shpi, Me i falë i madhi Zot”. Apo strofa, “Bijë, mos e prek, se njomja Tash a tui folё me Zojёn; Len zan’ e mos çil gojën, Se e lumja Zojё t’bёrtet”. Apo, “Qe prifti, nanё, qe dajat, mbas tij , me qiri n’dorë; Katuncat me malcorë Sa shpija nuk i xe. Rri, bijë, se sonte Trinka, Po shkon me bujte te Zoja; Merri këto lule e çoja S’lumes dhunti për te”.
“Zoga” – Fjet bri votres; e kur shkëndija, Shndritte at fëtyrrë të pa travajë, Ejёll prej qiellet ulё te shpija, Dukej faret fëtyra e sajë ” apo: E nan-bardha tui shikjue , “Flej me engjuj, thotё, o bi, Pusho shtatin me i ndihmue Lokes sate nëpër shpi”. Apo, “T’pret nji zemër flakë e shkëndija, Pret me tanden m’u ba nji; Sa jet¸ t’api Perëndija mos m’u damun kurr prej si.”, tek e njëjta poezi:  “T’lyp nji besë e ta nep t’ndershme, Dora e unaza qi t’ven n’gisht; E ndërmjet pr’at besë t’gjithhershme, A dorёzanё i lumi Krisht”.
Në gjumë vdiq e motra, e në gjumë Zoga ëndërron jetën. Nëna Lokja e dy vajzave tani është plakur dhe e vetmuar e kërkon të vije mortja.
 

Mjeda, me këtë poezi, ka zbuluar para nesh anën e errët të kësaj jete të izoluar, por  njëherazi dhe bukurin e natyrës e cila na zbulohet në mjediset e fshatit. Ka shpalosur bukurin e punës në fshat, shpresat dhe ëndrrat konkrete të cilat janë të realizueshme nga  Zoga si një vajzë fisnike.
Nocione biblike fetare – të cilat janë shndërruar në doke zakonore të njeriut të rëndomtë  besimtar, shënohen dhe të poezitë të tjera si:  “Vera”, “Kjenë nji arë qi muell nji ditë Perendija e i dha shëndet; U poq para: e ka goditë E i ka bajtë te shtepija e vet”; “Shtegtari”,-  Bajshin darsama nëpër shpija, Lutshin festa për katund, S ju di darsmave hitija, S e pret festa jo kërkund;  “Malli për atdhe” : O bjeshkë e male, fusha t’bekueme,...Na dha ne t’vetë Perendija, Malli m’u pamun, me ndejë n’nji votër...; “Vllavrasi”: Thuej se mora nji rrugë t’gjatë,  s’ bashk n’qiell dukur xamë vend...; Andërr: Engjull ndër cucat o nji çikë gjake, Qi veç qielli numron  ndër vallet t’veta...;  “Shqypes Arbnore”: O e bardha natë ku dijen Shprazi nji Zot e shijen...; “Miku Pal Moretti”: N’ flamur t’ lumnuem qi n’dore, Kish Morosini,, shkrue, Kryq e liri tui vrue, Hana drapnore,...E Venedikut rritte, Ora e Kshtenimin...

Te vepra “Juvenilja” kemi poemën “I tretuni”, ku personazhi  ishte shprehja e mallit për atdheun. Poeti nga mërgimi i prekur nga ndjenjat rreshton  pjesët e  natyrës duke i thirrur me emër: malet e fushat, kasollet, lumenjtë, çdo bimë e çdo gur që ka atdheu i tij. Në fantazinë e poetit e gjithë kjo tokë e atdheut e nënshtruar stinëve të motit është kurdisur aq bukur nga vet Perëndia. Mjeda, si klerik, i përshpirtshëm e atdhetar i flaktë, këtë hapësirë e hyjnizon duke e quajtur tokë të bekuar. O bjeshkë o male te bekueme..., O shpezë e bekueme...

Në pjesën e 4-të poeti flet edhe më zogjtë, si krijesa të sajuara nga perëndia, e që fluturojnë mbi vendlindje, duke shpresuar së do t’i  sjellin ndonjë lajm nga atdheu i tij i robëruar. Poeti duket se ka shumë ndjenja të thella për mërgimtarin, i cili digjet nga malli për atdhe. Hallin e tij  e lidh më vetë Perëndinë, se vetëm Ai, mund të ia mbush mendjen krijesës se tij, lejlekut, të sjell ndonjë lajm nga vendlindja tij, e cila po dergjet nën Perandorinë Osmane. Por, ai jeton gjithmonë me shpresë së lajmi do jetë i mirë. Poeti, duke besuar në forcën hyjnore nga halli që ka, pretendon –ëndërron të flas me shpezët e natyrës, sikur ato duhet të solidarizohen me hallet- nevojat që i ka poeti.
O lejlek o shpend i udhëtar...... Mire se vjen! Vetё Perёndia”, T’paska prumun ndër këto vende; Se me ty asht gjithë Shqiptaria...

Te “Vaj i Buylbilit”, Mjeda, punën e tij artistike e pasqyron duke nxjerrë në pah kërkesat e kohës së popullit shqiptar për të ikur nga zgjedha e egër osmane. Këtë fakt nga larg e ndjente si një peshë tepër të rend në shpirtin e tij e çiltër. Nga kjo tablo jetësore i gufoi nga zemra e sinqertë poema “Vaj i Byblylit”. Dhe dalja nga robëria, fizike dhe shpirtërore  e popullit tonë  do të a gjallëronte shpirtin e tij të etur për liri. Simboli i bilbilit të mbyllur në kafaz assesi nuk është jeta e tij  e mbyllur nëpër kuvende rregulltarësh, siç, hamendësohet nga disa autorë të realizmit socialist, por si ilustrim për vuajtjet e popullit tonë të robëruar nga perandorin osmane. Ai këtë ndiente thellë në shpirt dhe shprehte duke qenë student në shtetet e lira evropiane. Mjeda, sikur poezitë e tjera edhe “Vajin e Bilbilit”, e lidhte me tematikën biblike pikërisht me librin e Besëlidhjes së Vjetër, Libri i Vajtimeve, ku populli vajton dhe lutet që t’i kthehet dinjiteti hyjnor.
 
Poezia përshpirtshme e Mjedës

Kjo pjesë e krijimtarisë se poetit Mjeda, ka qenë e papublikuar dhe e pazbërthyer fare deri tani. Por, duke falënderuar mjedologun Mentor Quku, kemi mundësi të kemi qasje në disa prej tyre të publikuara në librin, Mjeda, vell.3, libri i dytë.
Autori në fjalë, jo vetëm se shpreh bindjen se këto poezi janë të tijat, por është i mendimit se, poezi të tilla, Mjeda duhet të ketë edhe të tjera, që duhen kërkuar në arkivat e ndryshme, apo ato mund  të jenë zhdukur më rastin e djegies se shtëpisë se tij në Kukël në fund të vitit 1912.
Këto poezi të përshpirtshme apo fabula, tani të publikuara,  janë të shkruar me rim dhe kanë një vlere të çmuar krijuese në letërsinë shqiptare.
Në anën përmbajtjesore ato janë sinteza teologjike të shkëlqyera, të cilat  në mënyrë letrare janë zbërthyer me shumë mjeshtëri, disa  nga të vërtetat e besimit të krishterë, të cilat ushtrohen nga besimtarët e fesë së krishterë.
 
Sipas studiuesit Mentor Quku, këto poezi asketike, të shkruara në stilin e Mjedës, janë botuar me iniciale. D.M.N. tek revista “Elçija Zemrës se Krishtit” gjatë viteve, 1899-1903. Praktika e inicialeve ka qenë e njohur të rregulltarët, klerikët shekullar (dioqezan) dhe shkrimtarët laikë të kohës si: Gjergj Fishta, me pseudonimin,  a. critikus;  Atanas Gega, A.G;  Benedikt Dema, B.D; Ndoc Nikaj, N.N.D; Zef Mark Harapi, Z.M.H. etj..

Poezia, “T’ thirrun me hii n’ Zemer t’ Krishtit” është në formën e një dialogu me Krishtin, duke ftuar njerëzit që vuajnë dhe janë të molisur nga jeta, që ti kushtohen kësaj Zemre Hyjnore. Sepse, vetëm në atë mënyrë jeta do t’u kthehet në ëmbëlsi. Trajtim të ngjashëm ka dhe poezia “Zemra e dhimshme e Krishtit” si dhe “Ankim dashnijet Zemres Krishtit”, ku poeti si një ndër mëkatarët, ankohet se ka bërë mëkate, dhe lutet Zemrës se Krishtit, qe ta lejoj të pushoj tek Ajo.
Përshpirtëria ndaj “Zemrës se Krishtit”, përndryshe në popull është përhapur nga Shoqëria Jezuite e më vonë përkrahur nga Kisha Katolike. Zemra është vlerësuar si organ nga burojnë të mirat dhe të këqijat e njeriut. Nga kjo epiqendër e rëndësishme burojnë  emocionet e jetës njeriut. Jezu Krishti, themelues i Krishtërimit, posedon një zemër Hyjnore të tillë, dhe besimtari në të do të gjej  mbështetje, strehim, falje dhe dashuri.

Meqenëse, Mjeda, ka qenë i brumosur në Shoqërinë Jezuite,  është e krejt e natyrshme qe i ka kushtuar tri fabula në forme lutje, Zemrës se Krishtit.
Në vazhdën e këtyre kemi dhe poezi të tjera kushtuar festave fetare  të cilat kanë qenë disi më njohura në popull në veri të vendit tonë.
Festa e “Sh’ Mihilli”, e cila kremtohet më  29 shtator, ka qenë e në njohur  popull, duke ia kushtuar dhe kurbanin. Në të kaluarën Shën Mëhilli ka qenë dhe mbrojtësi i dioqezës se Sapës. Pastaj,  Kisha e Vigut e ndërtuar nga Mjeda, ka qenë kushtuar gjithashtu këtij Kryengjëlli. Në doktrinën  e krishtere, Shën Mëhilli, njihet si Kryëngjëll që me ndihmën e Hyjit e mundi Luciferin (shejtanin) duke ia dhënë njeriut mundësin ta fitoj parajsën. Këtë e dëshmon dhe poeti kur thotë :  “Por ai i Lumi qi s’ka shoq, Vrig gezimin Lucs ia hoq. U ba Sh’Mhilli Eive priis, Zot me i dalun Perendis. Permi Zotin, thot, kush del Lumnin vedit ia ka mshel;....

Pastaj “Kanga e t’ shumve”, përkujtimi i të vdekurve, 1 - 2 nëntor. Mjeda kujton rendësin e kësaj feste ku përkujtohen të afërmit e familjareve. Përndryshe, nderimi i të parëve ka qenë e njohur te shqiptaret që nga koha ilire. Për rëndësinë e kësaj feste Mjeda shprehet: “Nner gjithë festat e dit motmotit, Qi me i lut i kaa dhan Zoti, Nji maa forta per gjithkenn, Jan te shumt me t ‘ madh gazmenn”.

Poeti, një kujdes të veçantë i ka kushtuar edhe festës kombëtare, “Zojs Kshillit t’ Mir”, e cila festohet me 26 prill. Shenjtërorja e  Zojës se Këshillit të Mirë, pranë kalasë Rozafat, është ndërtuar që në shek. XIII. Piktura e murit e kësaj Shenjtërore, në prag te pushtimit të Shkodrës  është marrë nga rojet e saj dhe është dërguar në Xhenezano pranë Romës në Itali. Pasi kjo ka qenë simboli i Shkodrës dhe nga viti 1895 që u shpall mbrojtja e shqiptarëve, Mjeda, me varje tregon historikun e saj dhe rëndësinë që ka pasur piktura e skalitur në murin e kësaj Kishe. Poeti si dhe shumë intelektualë të tjerë, vazhdimisht janë lutur Zotit dhe Zojës se Bekuar dhe kanë ushqyer shpresën se piktura do të kthehet në vendin e origjinës. “Uzdaja e jon kio kioft, Me t’paamun Tyy n’ket dhee: Zoi, t’vish e t’ rrish me nee, Rigjaa po t’baim tui kiaa! Po t’ lutna t’tan o Zot, Na kthe prap Nanën t’on! Ket luut do t’ baim gjithmonë, Saa t’ këna jet e mot”.

Mendohet se lutja “Ti ulesh prej Parrizit”, himen i krishtere për festen Krishtlindjes, hartuar nga Shën Alfons Liguori, është përshtatur nga poeti Mjeda. Janë vargje të gdhendura më mjeshtri të jashtëzakonshme në gjuhen shqipe. “Ti ulesh prej parrizit O Zot e mbret madhenije. E në tokë vjen m’u ba nieri. Vetëm prej dashnije: Aq i dashtun je për ne/ Qi në shpellë ti vjen me le! O Zot i lum, Un s’e kam ditë se ti/ Ne të shkretët na don kaq shum!”....
Mjeda, si klerik me siguri e ka ndier të nevojshme të hartojë këtë lloj poezie shpirtërore, për cilën populli kishte nevojë. Sepse, ky lloj recitimi ishte një katekizëm më vargje poetike, të cilën populli që nuk dinte shkrim e lexim, do mund ta mbante me lehtë ndër mend.
E gjithë na bind se, Mjeda duhet të ketë pasur dhe poezi të tjera të kësaj natyre të cilat lypet zbuluar nga mjedologët e ardhshëm zelltar.
 
 
Përfundimi

Hyji-Perëndia, Jeta e Vdekja, Ngjallja, Jezu Krishti, Zoja e Bekuar, Engjëjt, etj. si personazhe fetar, e kanë përmbushur botën dhe çdo individ në të gjithë letërsinë e vjetër evropiane si dhe letërsinë e vjetër më kulmore shqiptare, nga Buzuku e deri te poeti Mjeda. Këto nocione kanë qenë pjesë e pandashme e zhvillimit letrar të shumë prej rilindësve tanë, si: Leonardo De Martino, Gjergj Fishtës, Ndoc Nikaj, Anton Xanonit, Vinçenc Prennushit,  Filip Shirokës, Zef Skiroj, Fan Nolit, Preng Dochit, e shumë të tjerë. Shkrimet teologjike e poetike, të Mjedës, ishin ato në vazhdën e vetëdijes fetare e kombëtare nga periudha  më e lashtë e deri tek rilindja e jonë kombëtare.
Duke iu referuar poezisë së tij të shkruar në mënyrë shumë origjinale, ai, më një proces madhështor estetik dhe artistik, ngriti lart idealin njerëzor duke e lartësuar deri në altarin Hyjnor. Teksa përkthen, në vazhdën e traditës së letërsisë biblike është transmetues edhe pjesë e Tërësisë dhe për më tepër, edhe si transmetues e përsiatës i Krijimit, si frymë dhe transmetim i tij, me paratekst biblik dhe krishterimin.

Në krijimtarinë e tij letrarë, ai qe, jo vetëm një artist me shije të hollë dhe të thjeshtë, po edhe më një ndërgjegje të lartë të tipit europian.
Hyji më gjithë atributet e tij, mbetët gjithherë i lidhur ngushtë më veladonin e prifti dhe jo ndryshe. Kjo nuk ka të bëjë edhe aq me bukurinë në vetvete, por më forcën e misionit që autori përjeton së brendshmi, si besimtar i devotshëm i Hyjit në shërbim të cilit qëndroj për 42 vite me radhë.
 
*Dr. Dom Nikë Ukgjini, Instituti Filozofik e Teologjik
 
Shkrimi u publikua sot (10.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

'Lironi babanë', Argita Berisha i prin protestës te Bashkia e Tiranës

'Lironi babanë', Argita Berisha i prin protestës te Bashkia e Tiranës