Pjesë nga libri: ‘ALIZOT EMIRI – Njeriu, librári e gázet fisnike’

                              DY FJALË SI HYRJE

Kur ne, fëmijët e Alizotit, tregonim në ambiente të gëzueshme shoqërore “historitë” e Zotes (Alizotit), na ka qëlluar të na pyesin shpeshherë: – “A i keni shkruar? Jo! Sa keq, do të humbasin…! Kush duhet ta bëjë”?  Dhe jemi ndjerë gjithnjë e me shumë fajtorë. Në qoftë se duhej bërë, ne duhej ta bënim. Po a mund t’i shkruanim ne?! “Jo çdo njeri, që di shkrim e këndim, mund të shkruajë libra”, – thoshte Zotia, sa herë kalonte nëpër duar libra të dobët. Kur po bisedonim me njëri – tjetrin, ne fëmijët e Zotes, për këtë “detyrim”- për Librin, natyrshëm e ndjenim veten përballë paaftësisë për ta kryer. Nuk ishte punë për ne! Me “metrin” e Zotes, ne ishim të paaftë ta shkruanim këtë libër.

- MBRESA E KUJTIME PËR ALIZOTIN -

Biseda me shkrimtarin e shquar Dritëro Agolli

Këto mbresa e kujtime Dritëro Agolli na i ka treguar, kur ai plotësoi dëshirën tonë, duke na ftuar në shtëpinë e tij, më 22 janar 2011. E ndjemë veten shumë mirë që Dritëroi tregonte me kënaqësi e qeshte vazhdimisht, duke portretizuar personalitetin e babait tonë, Alizotit.

Ne kishim dëgjuar nga babai të fliste me shumë konsideratë për Dritëroin si shkrimtar i shquar. Me shumë kënaqësi ai kujtonte takimet e bukura e plot humor me të. Zotia e vlerësonte veçanërisht Dritëroin si njeri, që pavarësisht nga pozita e lartë shoqërore që kishte, ishte i thjeshtë dhe dinte e donte t’i respektonte njerëzit. Alizoti e ndjente veten shumë të respektuar e të vlerësuar në shoqërinë me Dritëroin dhe kjo i sillte kënaqësi të veçantë.

Nëna jonë, ndjesë pastë, që jetoi dhe shumë vjet mbas vdekjes së babait, na kujtonte dhe na lutej, që të gjenim mundësinë ta takonim Dritëroin, të pinim një kafe me të e ta falenderonim në emër të gjithë familjes sonë, për respektin që kish treguar, në ato kohë të vështira, ndaj babait tonë, Alizot Emirit. Ne e falënderuam me mirënjohje të thellë Dritëroin, që na e plotësoi këtë dëshirë.

Besojmë që edhe ai u kënaq me praninë tonë në shtëpinë e tij. Na priti bashkë me zonjën Sadie. Na gostitën e na sajdisën. Na respektuan si fëmijët e Alizot Emirit, si fëmijët e mikut! Mbesa dhe nipi i Dritëroit na bënë fotografi. Një kujtim i veçantë për ne. Me miratimin e tij, ne regjistruam në diktofon tërë bisedën e ngrohtë me të. Edhe ne i treguam disa histori nga ato të Zotes. Ai qeshte me gjithë shpirt dhe, pas çdo historie, përsëriste vlerësimet e tij për mençurinë, finesën, kulturën e, sidomos, për humorin e zgjuar e të dashur të Alizotit.

E KISHA MIK ALIZOTIN

Pjesa e parë e bisedës me Dritëroin, 22 janar 2011:

Gjirokastër vërtitshim nga vërtitshim dhe vinim te libraria e Alizotit, që e kishte në Qafën e Pazarit, kur ngjiteshe lart në krah të majtë. Kishte një librari që e mbante shumë mirë, po edhe i tërhiqte njerëzit.

Unë e vlerësoja shumë Alizotin dhe, kur e takoja, se në atë kohë vija shpesh me shërbim në Gjirokastër, ndjeja një kënaqësi të madhe, sepse ai ishte shumë i këndshëm në fjalët, në bisedat, dinte shumë nga përvoja e tij për jetën, në përgjithësi, por dinte shumë edhe nga historia e librat, sepse, siç thonë të vjetrit, ishte njeri i kënduar.

Kishte një humor të hollë kur tregonte, një humor të tillë prej një intelektuali të lartë. Jo një humor banal, por ishte me një humor të rrallë. Në përgjithësi, njerëzit e atëhershëm në Gjirokastër ishin njerëz me humor dhe kanë patur një origjinalitet në këtë fushë.

Edhe kur ishin në tavolinë apo në sofër, në kafene apo shtëpira, nuk ndaheshin nga humori. Edhe Alizoti e kishte përvetësuar këtë gjë nga jeta e përditshme. Por, ai e dinte shumë mirë historinë, lexonte libra, dinte gjithë ngjarjet historike të Shqipërisë: të Shqipërisë së lashtë dhe të Shqipërisë së asaj kohe.

Me një fjalë, ai ishte një enciklopedi e tërë. Ndofta nga kjo mençuri që kishte marrë edhe nga jeta, edhe nga libri, në bisedë ai ishte shumë i këndshëm dhe nuk mërziteshe të rrije me të. Nuk i përsëriste gjërat, nuk i ritregonte ato, këtë e kishte inat.

Veçanërisht, ajo që më bënte mua përshtypje atëherë, kishte një farë përçmimi për ata që nuk silleshin mirë, që premtonin shumë dhe nuk bënin gjë. Më kujtohet, kur isha një herë me shërbim në Gjirokastër. Kishin dalë shumë libra marksiste-leniniste, por kishte filluar edhe seria e vëllimeve të Enver Hoxhës.

-“Paske shumë nga këto” - i thashë unë, kur hyra në librari.

- “Mor, kisha më shumë, - tha -, por kam vajtur në Komitetin e Partisë dhe i kam vënë mbi tavolinë çdo instruktori dhe punonjësi të partisë, dhe iu kam thënë: këto janë ato librat, që duhet t’i dini ju, se jeni marksistë dhe ju duhet t’ia shpjegoni popullit. Ju nuk merrni asnjë libër nga këto.

Rrallë tek- tuk ndonjëri merr, kurse ju nuk vini ndonjëherë te libraria ime për të parë, të shfletoni një libër, prandaj unë po jua jap këto libra të gjithëve dhe mblidhni paratë e, m’i sillni në librari.

Librat nuk jua fal dot unë, mund t’ua falnin autorët, Marksi apo Engelsi. Unë i kam marrë për t’i shitur, prandaj po jua jap, në vend që të vinit vetë t’i merrnit, po ua sjell unë këto libra. Edhe shita gjithë ato – tha.- Vajta dhe në Komitetin Ekzekutiv, shita dhe atje.

Por më kanë mbetur edhe ca, do t’i shpie dhe ato libra aty, që t’i kenë. Kështu, që dalëngadalë këto libra politikë po më shiten. Librat letrarë i marr, se janë më kuriozë për t’i lexuar. Ja dhe ty, po të mos ta kesh marrë andej nga Tirana, kam një libër të vjetër, mirë bën ta marrësh”.

E mora dhe e kam edhe sot në bibliotekë. Nga ky fakt mendoja një ditë: ja si duhet të jetë librari. Duhet të dijë librat që ka, duhet të dijë përmbajtjen dhe t’u thotë: kjo është e dobishme për ty. Sot ka lloj- lloj librash, ka për të gjithë profesionet, mirëpo librarët nuk janë si librarët e dikurshëm, siç ishte Alizoti.

Pastaj Alizoti më thotë: -Do dalim të rrufisim një kafe?

- Po mirë dalim- i thashë - vemi tek rrapi, te Klubi i Gjuetarëve.

- Atje vijnë pleq e do na mërzisin - më tha - më mirë vemë te Cile Muka.

Cile Muka kishte një pijetore të tij, ishte njeri që kujdesej për të tjera gjëra, por dhe ato i bënte me mjeshtëri, kështu që të dy ishin mjeshtra. Në atë kohë kisha botuar te “Zëri i Popullit”, shkrimin “Cile Mukën e kam pranë dhe kulturën për karshi”.

Pimë nga një kafe e nga një gotë raki. Cilja na vuri edhe nga një gotë tjetër përpara dhe Alizoti i tha: Ç’pate që më vure flakën?! Që nga ajo kohë, sa herë që veja në Gjirokastër, ju thosha shokëve: “ku do ta rrufisim”?- siç thoshte Alizoti, ose kur më vinin përpara ndonjë gotë tjetër, u thosha: “Ç’patët që më vutë flakën”!

Njëherë isha në librari te Zotia, kur zhvillohej festivali në Gjirokastër dhe ngjiteshin grupet folklorike nga Qafa e Pazarit. Binin daullet e mëdha të Dibrës e të Tropojës, sa tundeshin dhe librat nga gjëmimi i tyre.

- “E mo Zote - i thashë - si të duket kjo hare”?

- “Shumë mirë tha, - gjithë minjtë e Gjirokastrës do ikin e nuk do mbetet asnjë mi. Nga zhurma e këtyre daulleve do ikin nga Libohova, do ikin tutje, edhe e kemi mire këtë gjë, sepse në çdo pesë vjet, pastrohet Gjirokastra nga minjtë…”!

Po i tregonte shumë bukur. Unë i përsëris dhe përsëritja nuk ka ato nuanca që kishte, kur i tregonte ai vetë. Ka plot historira edhe janë të bukura, jo banale, janë të kulturuara e nuk të ofendojnë. Ma tregonte Agim Shehu, kur kish pyetur një herë Alizotin:

- “Ku është Basho Thomai, Ramiz Harxhi dhe Lefter Dilua, ku janë”?

- “Ja, po zbresin Qafën e Pazarit dhe këndojnë himnin e flamurit” - i tha Zotia, - se miq i kishte dhe bënte humor me ta, se për Alizotin ata ishin si patriotë e rilindas të rinj. Alizoti ishte njeri me humor të madh shumë.

Na tregonte në Gjirokastër se, kur erdhi një herë Enver Hoxha, e pa te dera e librarisë Alizotin, e takoi dhe e përqafoi. Alizoti u gëzua shumë që e panë ta përqafonte Enveri, se në Gjirokastër kishte disa njerëz që i kujtonin biografinë e, i thoshin që në vitet ’30-të kishte shkruar kështu e kishte bërë ashtu (se Alizoti ka qenë dhe gazetar, ka shkruar në gazetën “ Demokracia”).

Alizoti ishte njeri i zgjuar dhe me kulturë të madhe, jo vetëm me atë kulturën e lashtë, por edhe me kulturën e re, pas Luftës së Parë Botërore, pas Luftës së Dytë, pas Luftës Nacionalçlirimtare. Dinte shumë mirë vendet më interesante të Gjirokastrës, por dinte akoma më mirë të jepte këshilla. Për shembull, kjo godinë po prishet, ose ky mur i kalasë ka defekte nga koha.

- “Hajde t’i tregoj - më tha mua një ditë. - E sheh si ka mbirë bar nëpër mur, bar edhe fiq. Këta do të lëshojnë rrënjë e do të bjerë ky mur, por nuk më dëgjojnë, se më thonë që ky bar e mban këtë mur. Janë torollakë, se ky bar lëshon rrënjë që hyjnë brenda”.

E kam fjalën që interesohej, jo vetëm si njeri i librave, por edhe për ambientin, për pastërtinë e qytetit, për monumentet e kulturës të Gjirokastrës. Se, kur ne kemi qenë nxënës në Gjirokastër, ato monumente rrinin në këmbë, ishin të mira dhe të bukura. Kohët e fundit, tani, meqë nuk kujdeset njeri, është shkatërruar një pjesë e madhe e tyre dhe është fatkeqësi…!

Po të kishim ne aq njerëz sot, siç ishte Alizoti, ndryshe do të ishte pamja e Gjirokastrës dhe e librarive, edhe e të tjerave. Ju bëni mirë me këtë libër për Alizotin dhe duhet të mblidhni edhe kujtime të tjera, se duhet të ketë në Gjirokastër të moshuar që kanë kujtime të shumta për atë, veçanërisht për fjalët e tij të rralla”.

Më datën 9 shkurt 2011 shkova në shtëpinë e Dritëroit, për t’i treguar të redaktuar transkriptimin e bisedës, që kishim regjistruar në diktofon. Më pritën si djalë shtëpie. Zonja Sadie doli tek dera, Dritëroi u ngrit në këmbë, sikur do të takonte Alizotin. U ndjeva i respektuar më shumë sa duhej.

Unë u dhashë një dhuratë simbolike, një CD me koncertin për piano, të luajtur në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit me 28 janar 2011 nga mbesa e Alizotit, pianistja Almira Emiri, të shoqëruar dhe me një fletë palosje me programin e koncertit dhe CV-në e pianistes. Ju bë qejfi.

Zonja Sadie na solli gotat me raki.

- “Pasi e morët ju në telefon, - tha ajo -, Dritëroi ka qenë tërë kohën i menduar, duke risjellë në kujtesë njohjen me Alizotin. Kjo i ka sjellë kënaqësi, sepse njohja me të bën pjesë në kohët e bukura të jetës së Dritëroit. Sot u ngrit që me natë dhe u ul të shkruante përsëri për Alizotin. Dritëroi tani nuk shkruan dot me dorë, sepse i dridhet pak, po ja që për këtë shkrim e zotëroi këtë ‘mosbindje’”!

Më vuri përpara fletën e shkruar me dorë nga Dritëroi.

- “Po të bëj një fotokopje të këtij dorëshkrimi, që ta keni kujtim nga dora e Dritëroit”, - tha zonja Sadie.

- “Tani do vazhdosh t’i shkruash ti ato, që do të flas unë”! - më tha Dritëroi. Dhe vazhduam të hedhim në letër mendimet e Tij: Ai fol e unë shkruaj.

- “Më mbeti merak, - tha, - se në bisedën e parë ne nuk i bëmë disa konkluzione për Alizotin. Se Alizoti nuk qe dosido”! Sapo mbaruam së shkruari, iu luta të shikonin atë “hyrjen”, që kishim përgatitur Ibrahimi dhe unë. Ja lexova. Më dëgjuan deri në fund.

- “Shumë mirë e keni bërë, - tha Dritëroi, që mori dhe miratimin e zonjës Sadie. - Mund ta vini dhe në hyrje të kësaj bisede, por hiqe atë epitetin ‘i thjeshtë’, që keni shkruar për Alizotin”!

- “Po njeri i thjeshtë ishte Alizoti”! - këmbëngula unë.

- “E ke gabim! – më korrigjoi Dritëroi. - Nuk ka njerëz të thjeshtë, ky është një term i mbetur që nga kohët e hershme. Njeriu është shumë i komplikuar. Dhe Alizoti nuk ka qenë njeri i zakonshëm! Ka qenë njeri i ditur, i mençur…”. /Memorie.al