‘Kur po kërceja me marinarin rus te ‘Vollga’, vëllai im u vërsul si i tërbuar’ Historia e panjohur e balerinës me futbollistin e ‘Dinamo’-s, që tronditi Tiranën

‘Kur po kërceja me marinarin rus te ‘Vollga’, vëllai im u vërsul si i tërbuar’ Historia e panjohur e balerinës me futbollistin e ‘Dinamo’-s, që tronditi Tiranën

Një jetë, karriere dhe famë si në filmat hollivudianë. Një histori pak e treguar për balerinën, që nga dita e parë kur erdhi në Tiranë, kur vallëzonte dhe “love story” me futbollistin e famshëm të “Dinamos”  e Kombëtares, Stavri Lubonja, që tronditi mjedisin kryeqytetas, një dashuri pasionante, që do të thyente tabutë e kohës dhe që vazhdon edhe në ditët e sotme, përtej oqeanit. Kanë kaluar vite e megjithatë, Mediha Velçani-Lubonja, solistja e njohur e Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore, nuk e ka humbur sharmin, që dikur ‘magnetizonte’ këdo që e shihte në rrugët e kryeqytetit, apo kudo nëpër të gjitha skenat e vendit, ku ajo shkonte për shfaqje dhe koncerte. Sot, balerina që “la pa mënd” marinarët rus në “Vollgën” e viteve ’50-të, apo që shtangu francezët në Dizhon, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri, i kthehet së shkuarës…!

Një karrierë e nisur ndryshe

Ishte vetëm 3 vjeçe, kur e ëma në moshë të re, vetëm 32 vjeçe, i ndërron jetë nga tuberkulozi. Pas vdekjes së saj, edhe familja Velçani e shumtë në numër, me 7 fëmijë, ndër të cilët 3 motra e 4 vëllezër, pati tjetër rrjedhë. I ati, ish-oficer i Monarkisë së Zogut, u martua sërish, ndërkohë që fëmijët i mori nën kujdesje tezja, dhe një e afërt e familjes, Mimina Klosi, mësuesja me të cilën bën klasën e parë fillore në Mallakastër.

Por, vajza e vogël Mediha, dashuronte baletin, dhe do të bëhej pjesë e grupit të valles në Shtëpinë e Pionierit në Berat, nën drejtimin e Ferbent Shehut, baletmaestër i njohur i qytetit. Ishte 13 vjeçe, kur Pertef Veleshnja, bashkë me një shoqen e saj, e sjellin për konkurrim në Ansamblin e Ushtrisë në Tiranë që po krijohej e kërkonte valltarë. Jemi në vitin 1951, dhe vajza nga Berati, ka dalë para një komisioni e shoqëruar në piano. Kërceu çfarë dinte dhe u pëlqye.

Në Ansambël vetëm 8 muaj…!

Në Ansambël, Medihaja do të gjente një grup prej 20 vetash, ndër të cilët shkrimtarin dhe balet maestron e njohur Pipi Naçe, kërcimtarin Bert Krasniqi etj. Filloi punën me një rrogë 3.800 lekë në muaj dhe bashkë me B. Opingarin, Zh. Petushin dhe B. Krasniqin, do të kërcejë vallen “Më do, s’më do, me lule dele”. Po karriera e sapofilluar do të ndalej papritmas, pasi vëllai i dytë, Gazmend Velçani (mjek i njohur kardiolog, që nuk jeton), nuk ishte entuziast, madje do ta frenonte, pasi fanatizmi ishte i madh në ato vite.

E kthen në Berat të vazhdojë klasën e 5, 6, 7, ndërsa ajo nuk i ndahet baletit dhe me fëmijët e klasës. Nën shoqërinë e Ferbent Shehut, që i sillte nga shtëpia të kuq buzësh për trukim, do të kërcenin “Valsin e luleve”.

Në Teknikum, mësuese e Edukimit Fizik  

Sërish i vëllai, Gazmendi, do të jetë vendimtar në jetën dhe karrierën e motrës së tij, Medihasë. E regjistron në Teknikumin e Fizkulturës në Tiranë, në degën e Atletikës, që ishte afër natyrës së saj. Në sezonet 1953-‘55, bashkë me Mustafa e Flutura Çelkupën, janë nga studentët e dalluar të pedagogut Myslym Alla, ku ajo do të shquhej për aftësi të gjithanshme, në gjimnastikë e basketboll.

Medihaja tregon se fillimisht e emëruan mësuese të Edukimit Fizik në Berat, por nuk donte të shkonte atje. Do të qëndronte në Tiranë, ku tashmë kishte edhe vëllain e madh, Irfanin. Kështu, pa e kuptuar, Teknikumi do të bëhej një ndihmë e madhe për të, në profesion si balerinë, gjithashtu edhe shkëndija e parë e një dashurie marramendëse….!

Spikere në “Variete 101”

Ishin vitet ’60-të. Ka qenë një ide e Mihallaq Laurasit, regjisorit të njohur, për t’i dhënë një tjetër mundësi talentit të saj. E fton Medihanë të jetë moderatore në spektaklin e Estradës së Tiranës, “Variete 101”. Për një vit, ka vallëzuar dhe drejtuar njëkohësisht.

Në karrierën e gjatë ruan kujtime me dy persona: Pertef Veleshnjën, që i hapi dhe e mbështeti në fillimet në Berat, e më pas njeriun e makijazhit në Ansambël. Por edhe Ted Nikën, rrobaqepësin e këtij institucioni, dhe ai që i ka qepur gjithçka personale. Nuk i’a harron fustanin bojë qielli, që ia qepi për një koncert zyrtar, ku do të ishte i pranishëm Enver Hoxha.

Festivali i Dizhonit në Francë, triumfi që nuk e harron

Ndonëse ka kërcyer pafundësisht në shumë skena të Europës dhe më larg, viti 1970, pjesëmarrja dhe triumfi në Festivalin e Dizhonit në Francë, ku Ansambli Shqiptar i Këngëve e Valleve Popullore, arrin një sukses të jashtëzakonshëm, mbetet i paharruar edhe sot. Në një konkurrim midis 45 shteteve, në këtë festival folklorik, Ansambli fiton “Gjerdanin e Artë”, duke habitur botën.

Ky mbetet ndër sukseset personale të saj, por mbi të gjitha një triumf i madh shqiptar. “Festë e madhe ka sot Shqipëria”, me protagonist Mediha Lubonjën, u kthye në një himn në rrugët e qytetit francez, atje ku u vallëzua dhe u dëgjua në pafundësi muzikë shqiptare. Ka kërcyer të famshmet e folklorit kombëtar, por cilat janë vallet e famshme të Mediha Lubonjës?

Duke filluar nga “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, të Tish Daisë); “Tropoja” e një valle pa muzikë me koreografi të Gëzim Kacelit; “Malësi e Madhe” e Panajot Kanaçit; Trio e Shupalit, një tjetër kryevepër e arkivit të saj. Pastaj të paharruar janë katër suita madhështore të Panajot Kanaçit, vënë në skenë në vitet ’60-të: Mbeten të mahnitshme edhe sot për nga forca, mesazhi: “Vallja e Dropullit”, “Vallja e Tiranës”, “Vallja e Gështenjës” dhe “Vallja e Shqipërisë”.

Janë monumentale! Pastaj ruan vlerësim dhe kujton me nostalgji kolegët bashkartistë gjatë karrierës së saj, si: Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, A. Alija, Skënder Selimi, Besim Zekthi, Engjëll Tershana, Eno Birko, E. Vako, V. Mesiti, Leka Mullisi, Liljana Cingu, V. Belle, Rexhep Çeliku, regjisorin Mihallaq Luarasi. Sh. Marikën, M. Keko, Çesk Zadeja, Tish Daija, etj. Ndonëse në pension doli në moshën 45-vjeçare, nuk ka lënë qytet dhe fshat shqiptar pa e shkelur. Kurrë nuk ka munguar në prova e shfaqje, dhe gjatë kohës që ka interpretuar askush nuk e ka dubluar.

 “Vallëzimi i ndaluar”…!

Medihaja ka shumë për të kujtuar nga ajo kohë. Mjaft të mbyllë sytë dhe i shfaqen imazhe, që nuk i ka fshirë kurrë nga kujtesa. Ashtu si ai “vallëzimi i ndaluar” në “Vollgën” e famshme të kryeqytetit shqiptar të tejmbushur me frekuentues në vitet ’50-të, ndër të cilët shumë rusë. Nën tingujt e një orkestre vallëzohej me shumë pasion. E shoqëruar me vëllain, ajo ka hyrë dhe pasi ka hequr pallton, e ka varur, është ulur, ndërkohë që i vjen një marinar rus dhe e fton për vallëzim.

Një vals, pastaj një tango, kur të gjithë kanë ndaluar për ta ndjekur. Por, në një çast, një dorë e ka frenuar vallëzimin. Gazmendi, e ka marrë për të dalë, duke i’a shkëputur damën djalit nga vallëzimi. Marinari i befasuar, nuk ka reaguar, madje ka vrapuar për t’i mbajtur pallton, por nuk ka mundur pasi, Gazmendi i nervozuar ia ka marrë me forcë atë. E dëshpëruar, vajza nuk ka folur, por vite më vonë, doktori i ka kërkuar ndjesë. Kështu e kujton Medihaja sot atë ngjarje të largët, për të cilën ….nuk bën asnjë fajtor,… “ashtu ishte koha…”!

Dashuria, ajo që tronditi mjedisin shqiptar…!  

Ka qenë një ndër dashuritë e mëdha, më të bujshme të kohës, ajo e Medihasë me Stavri Lubonjës, futbollistin e famshëm të “Dinamo”-s e Kombëtares shqiptare, djalin simpatik, elegant e të preferuar të vajzave të Tiranës. Një njohje e filluar në Berat, që vazhdoi kur ishin studentë në Teknikumin e Fizkulturës. Me një buzëqeshje shkëlqyese në fytyrë, nuk ka se si të mos kujtojë letrat e para të dashurisë, takimet fshehurazi kur ajo ishte vetëm 15 vjeçe.

Kujtdo do t’i dukej një histori rozë, nga ato të shumtat, por nuk ishte e tillë për kohën. Të dy ishin të famshëm. Ajo balerinë dhe ai sportist. Dhe një lidhje e tillë nuk do të kishte asgjë të keqe. Madje sot ato janë shumë në modë. Por në vitet ’50-të, sportistët, e në veçanti futbollistët, nuk gëzonin “emër” të mirë ndër vajza…!

Të “ngatërroheshe” me një të tillë, ishte aventurë. Ndaj dhe historia e dashurisë së tyre mori famë e bujë dhe ata do të bëheshin çifti më i diskutuar i kryeqytetit. Ndoshta kishte edhe nga ata që hidhnin “baste” për jetëgjatësinë e lidhjes së tyre, por Medihaja dhe Stavri, do të thyenin të gjitha tabutë dhe paragjykimet e kohës. Nga ajo kohë ruan një çadër të vogël që vihet në kostum dhe që e ka mbajtur në çdo kërcim, si dhe një çelës të bukur me fener ndriçues, që Stavri ia ka sjellë në periudhën e dashurisë së madhe.

U martuan në vitin 1960, në Korçë. Kur erdhën në Tiranë, do të qëndronin për shumë vite në Klubin e “Dinamo”, në Rrugën e “Kavajës”. Vetëm në vitin 1976, çifti mundi të marrë një apartament, të cilin e ka edhe sot. Mediha e Stavri Lubonja, mbeten përshtatja më e saktë e artistes me sportistin, si modeli i harmonisë bashkëshortore, një dashuri pasionante që i shoqëron edhe sot përtej Atlantikut.

Kërcimi që habiti amerikanët…!   

Medihaja nuk e kishte menduar se Amerika do të bëhej një pjesë e rëndësishme e jetës së saj. Nuk ka dashur të shkojë atje për të jetuar e punuar, por të qenët e Stavrit shtetas amerikan, nga i ati, si dhe dëshira e fëmijëve, e ka shtyrë të kalojë oqeanin. Edhe pse prej vitesh i është larguar skenës, balerina brenda saj ngre krye, kur dëgjon një muzikë të bukur dhe e rrëmben, kudo që të jetë ajo. Në ‘Atlantik City’, atje ku edhe banon prej vitesh, gjatë një mbrëmjeje, në Boardwolk, mbushur me turistë, ka ndjerë një fllad të lehtë, pastaj ka dëgjuar një saks të një muzikanti rumun me emrin Mirce, dhe ndërsa është me mbesën e dy shoqe njujorkeze, i ka lënë për një çast dhe ka vendosur të kërcejë bashkë me turistët e tjerë. Ishte një tango argjentinase.

Të gjithë kanë ndaluar për ta parë. Shumë duartrokitje dhe natyrshëm pyetja: “Ju jeni nga Argjentina”?! Disa djem të rinj do t’i dhuronin një tufë me lule. E njëjta skenë do të përsëritej pas një viti, në “Hjuston Beach Bar”, por kësaj here nën tingujt e këngës së famshme ruse “Oçiçornaja”. Edhe atje do të kishte publik për të, madje një çift kujtonte kërcimin e saj në Boardwolk dhe do t’i dhuronte një shishe shampanjë…!

Nuk e njihnin…! 

Largimi nga Shqipëria nuk do të ishte i thjeshtë për Mediha Velçanin. Po shkonte drejt një vendi ku nuk e njihnin. Por kur avioni ka hapur rrotat dhe bëhej gati të ulej në aeroportin e Nju York-ut, një zë nga kabina e pilotit e ka uruar: “Miss Mediha, welcome to America”. Kjo ishte befasia e parë, që do të ndiqej me përpjekjen e saj për t’u integruar, duke zhvilluar kurse për të mësuar gjuhën angleze. Ajo tregon se vitet e para janë të vështira, nuk e njihnin dhe nuk ia dinin karrierën. Në një seancë mësimi për gjuhën, studentëve i’u kërkua të përgatisin një temë për jetën e një artisti që njihnin.

Pa hezituar, Midiha Lubonja ka shkruar për të sajën. Pasi e kanë lexuar, drejtuesi i kursit i shtangur, i ka thënë: “Ju dukeni që jeni dikush, mund të shkruani çfarë të dëshironi, dhe nëse nuk flisni mirë anglisht, kuptoheni çfarë kërkoni të thoni”. Jo me pak vështirësi ajo ka arritur të ushtrojë profesionin e saj, por tanimë në mësimdhënie si instruktore baleti. E ka peng që asnjë prej fëmijëve të saj nuk ia trashëgoi profesionin, megjithatë ajo është e kënaqur t’ua transmetojë eksperiencën brezave të rinj, qofshin ata amerikanë, apo të çfarëdo lloj shtetësie.

Shkëlqimi që ruan edhe sot   

Vajza për të cilën “çdo kokë e vidhosur, zhvidhosje kur kalonte”, ajo e së famshmes “O k’ce moj çikë”, një Sofia Loren, apo Lazarela, siç e kanë quajtur e thirrur kur kalonte në rrugët e Tiranës, jeton prej vitit 1994 në Nju Xhersi në Atalantik City. Ndonëse në Amerikë prej 28 vitesh, ardhja në Shqipëri i shkakton një tjetër pulsimi zemre. “Sa herë që rrotat e avionit mbyllen dhe kur ato hapen, emocionet e një udhëtimi, sidomos ato të ardhjes në vendin tim, nuk arrijnë të zbehen kurrë, ato janë përherë bashkë me mua. Kur vij, ndihem tepër e lumtur dhe ditën e fluturimit drejt Tiranës e pres me padurim”./ Memorie

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë