Kur Sali Berisha thoshte në Parlament: Nëse dëshironi ua sjell edhe këtu Damir Fazlliç

Kur Sali Berisha thoshte në Parlament: Nëse dëshironi ua sjell edhe këtu Damir Fazlliç

Sali Berisha dhe Damir Fazlliç

Vjeshtë 2008, kur Berisha i përgjigjej me arrogancë e kërcënim akuzave të socialistëve për lidhje kriminale të mikur të tij biznesmenit serbo boshnjak. Si do ti përgjigjej Taulant Balla: Kryeministri na u ngërdhesh dhe tha se do të sillte në këtë aulë të shenjtë të demokracisë shqiptare një njeri që akuzohet si bashkëpunëtor i klanit të Zemunit, njeri që ndërhyn nëpër tendera ndërkombëtarë të shitjes së energjisë në disfavor të interesave të shqiptarëve? Ky është miku i ngushtë i Kryeministrit”.

Salla e Kuvendit të Shqipërisë ka qenë shpesh arenë e debateve të ashpra për akuza të rënda që përfshijnë zyrtarë të lartë të shtetit. Siç denoncon sot opozita demokrate, dikur opozita socialiste kishte bërë akuza të ngjashme ndaj kryeministrit dhe qeverisë. Në vjeshtën e vitit 2008, biznesmeni serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, një partner i njohur i kryeministrit dhe qeverisë, u ndalua nga policia e Bosnjës dhe Hercegovinës, i dyshuar për aktivitete kriminale, së bashku me anëtarë të grupeve kriminale serbe. Lajmi u pasua me një jehonë të madhe në mediat ndërkombëtare, duke i dhënë arsye opozitës të kërkonte një interpelancë me kryeministrin Berisha.

Në përgjigje të akuzave të ashpra të deputetëve të opozitës për lidhjet kriminale të Fazlliç me klane mafioze serbe, por dhe përfitime korruptive nga qeveria shqiptare, Berisha u përgjigj me një kërcënim të papërshtatshëm: "Nëse dëshironi, jua sjell edhe këtu zotin Damir Fazlliç." Tema sjell pjesë nga debati parlamentar i 12 tetorit 2008, kur Berisha u përgjigj me arrogancë akuzave të deputetëve socialistë si Taulant Balla, Valentina Leskaj, Erjon Braçe, Marko Belo dhe të tjerë.

Fazlliç në Këshillin e Sigurisë gjatë qeverisjes Berisha

Sali Berisha – E nderuara zonja Kryetare,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë shqiptarë,

Erdha këtu për të falënderuar në mënyrë më të përzemërt kryetaren e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe grupin e saj parlamentar për vendimin burrëror që kanë marrë, për të paraqitur mocion mosbesimi ndaj Sali Berishës. Më lejoni, t’ju falënderoj dhe t’ju dëshmoj gatishmërinë time të plotë e totale që të paraqitem përpara këtij Parlamenti. Madje, nëse dëshironi, jua sjell edhe këtu zotin Damir Fazlliç.

Të nderuar deputetë,

Dua t’ju them që, në qoftë se nuk keni frikë prej tij, pranojeni të vijë këtu e ta dëgjoni. (I drejtohet deputetit Braçe, i cili flet nga vendi.) Jo, nuk të vret, por ka harxhuar shumë kohë me ju. Më falni, një minutë! Ju lutem, më dëgjoni pak! Kapitulli... (U drejtohet deputetëve të opozitës.) Po s’e doni, unë nuk e sjell. E doni ju? Mirë.

(I drejtohet deputetes Valentina Leskaj.)

Zonja kryetare e grupit të PS-së, po të betohem që e pres me kënaqësi të madhe mocionin, vetëm se duhet të përgatitemi për transparencën më të madhe në historinë e këtij vendi, të arkivës së krimit. Kaq dua unë.

(I drejtohet deputetit Koçi.)

Rri, rri, mos fol, se jam detyruar të mbaj një heshtje, që mezi e kam mbajtur. Nuk e mbaj më. (Zoti Koçi flet nga vendi.) Don Petro, mos kërce ashtu nga vendi, të lutem! Vjen nga shkollat e grupacionit “lesh e li” dhe mendon se do t’i bësh presion Kryeministrit. Nuk i bën dot presion Kryeministrit, as me grupimin “lesh e li”, as me partinë e 89-ës. Lëre atë punë tani.

Tani të vëmë rregullat. (U drejtohet përsëri deputetëve të opozitës, të cilët flasin nga vendi.) Më falni, po unë nuk po e marr vesh tani: edhe jam Kryeministër, edhe kërkoni mocion e nuk thoni dot mosbesim. Po çfarë mocion besimi kërkoni ju për Kryeministrin, more zotërinj? A jeni opozitë? E thashë edhe një herë, në rast se ju kërkoni që zoti Damir Fazlliç të jetë këtu, unë e sjell këtu. (U drejtohet përsëri deputetëve të opozitës.) Ju keni frikë. Ju keni frikë prej tij. Nuk doni që ta sjell? Dakord.

Taulant Balla –

Kam në dorë disa letra të cilat janë shitur për 1,75 milionë euro. Janë thjesht gjashtë copa letre, kopjet origjinale të të cilave janë shitur për këtë shumë marramendëse. Është një vendim regjistrimi në gjykatë, një akt themelimi, një statut, një kopje e vërtetimit noterial, ku autorizohet nipi i ministrit të Jashtëm për të kryer veprimet si administrator i kompanisë “Croën Acquisition”. Këto copa letre, të nderuar kolegë, kanë kushtuar 1,75 milionë euro. Pikërisht me këto copa letre janë pastruar 1,75 milionë euro, nga të zeza janë bërë të bardha në llogaritë personale të qeveritarëve.

Si ka mundësi që një kompani, e cila ka vetëm këto copa letre, nuk ka asnjë veprimtari ekonomike dhe nuk ka paguar asnjë taksë në shtet, të shitet për një vlerë kaq të madhe?

Kryeministri solli dje në Shqipëri serbo-boshnjakun Damir Fazlliç, duke garantuar se ai do të largohej vetëm pak minuta pasi ndaj tij të fillonte procedimi penal. Por ç’është ky mik kaq i ngushtë i Kryeministrit, të nderuar kolegë deputetë?

A ju shqetëson juve sadopak, kolegë të maxhorancës, që Kryeministri i Shqipërisë ka një mik në Serbi, i cili akuzohet për marrëdhënie të ngushta me vrasësit e ish-Kryeministrit properëndimor të Serbisë, Zoran Xhinxhiç?

A ju shqetëson juve sadopak si shqiptarë që Kryeministri na paska një mik të ngushtë, i cili arrestohet në prani të kryekriminelit dhe shkaktarit të masakrës së Srebenicës, Nase Rotiç?

A ju vret ndërgjegjja dhe a keni shqetësim moral që një gjysmë etniku serb, të cilin bashkëkombësit e tij e vendosin përkrah mafies më të rrezikshme të Ballkanit, klanit vrastar të Zemunit, Kryeministri ynë i ofron një miqësi kaq të ngushtë?

A duhet të shqetësohemi ne të gjithë, si ligjvënës të këtij vendi, madje, sipas fakteve të publikuara nga media deri më sot, rezulton që Damir Fazlliç ka marrë realisht 1 milion e 750 mijë euro, jo për të shitur një kompani fantazmë, por për të marrë bakshishin e blerjes së energjisë nga firma serbe “Rudnap”, e cila na ka shitur ne shqiptarëve 34,3 milionë euro energji?

A na është prekur neve sadopak dinjiteti si përfaqësues të popullit shqiptar, kur Kryeministri na u ngërdhesh dhe tha se do të sillte në këtë aulë të shenjtë të demokracisë shqiptare një njeri që akuzohet për një mijë të zeza, bashkëpunëtor i vrasësit të Kryeministrit të Serbisë, bashkëpunëtor i klanit të Zemunit, njeri që ndërhyn nëpër tendera ndërkombëtarë të shitjes së energjisë në disfavor të interesave të shqiptarëve? Ky është miku i ngushtë i Kryeministrit.

Ne si deputetë, sigurisht, kemi ftuar në këtë aulë të shenjtë, në këtë foltore të flasin presidentë, kryetarë senatesh, kryetarë kuvendesh, kryeministra, ndërsa Kryeministri ditën e hënë ftoi që në këtë aulë të na fliste një njeri që akuzohet për vrasjen e një kryeministri properëndimor, sikurse ishte Zoran Xhinxhiç.

Valentina Leskaj – Besoj se kjo që ka ndodhur sot këtu nuk ka nevojë për komente të shumta. Kjo është një ngjarje e turpshme. Kryeministri i vendit, i cili akuzohet rëndë për afera të pista korruptive, vjen këtu, kërcënon e fyen Parlamentin dhe deputetët. Na kërcënon me Damir Fazlliçin se do ta ftojë këtu. Është mirë që ta ftojë, por ta ftojë në shtëpinë e tij, jo në Parlament, sepse Parlamenti nuk është vendi ku Kryeministri mund të sjellë fazlliçët. Parlamenti është një institucion i shenjtë.

Përveç kësaj, dua t’i them Kryeministrit se ne i kemi kërkuar mocion për debat, dhe ai nuk ka pse të trembet nga debati. Nuk ka pse të trembet nga të vërtetat. Ne nuk trembemi nga të vërtetat. Ka tre vjet e gjysmë që thotë se kam dosje. Ku i ka dosjet? Le t’i sjellë këtu, në qoftë se i ka. Kjo do të thotë që ai mashtron. Le t’i sjellë këtu dosjet dhe, kur të vijë për mocionin për debat, të vijë me dosje. Por do të dëgjojë edhe dosjet tona.

Erion Braçe

Fakti është kokëfortë: Damir Fazlliç vjen në Tiranë, i shërben PD-së për ta sjellë në pushtet dhe, një javë pas ardhjes në pushtet të PD-së, krijon gjashtë firma me lehtësinë më të madhe dhe objektin e përcakton po vetë, në fushën e ministrit mik, ortakërinë e këtyre firmave e ndan me familjarët e tij, dokumentet i bën në studiot ilegale të Sali Berishës apo në studiot legale të familjes së tij, transaksionet financiare i kryen me ortaken e deklaruar të saj, avokaten Kola, legalizimet i bën në noterinë e gruas së drejtorit aktual të Përgjithshëm, ose ish-drejtorit të  Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Ndërtimit, kontabilitetin e lë në dorë të asaj, që thotë se është mbesa e Kryeministrit, gjithë aktivitetin si sekser e zhvillon në zyrën e Kryeministrit Sali Berisha, gjithçka në dhunim të egër të ligjit. Dhe nuk mbaron këtu. Qysh sot nis dëshmia për trafikun e armëve, biznesin më kriminal të ushtruar ndonjëherë në Shqipëri

Marko Bello

Damir Fazlliçi, me baba boshnjak dhe nënë serbe, një supertrafikant,  mik i klanit të Zemunit, atij klani që eliminoi kryeministrin properëndimor të Serbisë, Zoran Xhinxhiçin, i ndaluar para pak ditësh nga policia e Bosnjës dhe Hercegovinës, sot ka kapur peng një grusht njerëzish që drejtojnë Shqipërinë. Biografia dhe aktiviteti kriminal i këtij individi  janë të frikshme, por ajo që të trondit në të gjithë këtë histori të pistë është e vërteta e hidhur se Damir Fazlliçi kontrollon sot pikat kyçe të shpëlarjes së parasë së pistë në vendin tonë. Nga sa relatojnë sot agjencitë e huaja të lajmeve, por, siç do të zbulohet edhe në ditët në vijim, vërtetohet qartë se menuja e këtij grykësi mafioz është jashtë çdo imagjinate. Brenda një harku kohor trevjeçar, Damir Fazlliç dhe kompani kanë orkestruar dhe përfituar që nga investimet publike dhe deri te drithërat, nga energjia elektrike dhe deri te trafiku i armëve, duke e kthyer Shqipërinë në një megalavatriçe, ku pastrohen paratë e pista të drogës, korrupsionit, trafikut të armëve dhe shpërdorimit të fondeve publike./TemA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Frederik Ndoci: 21/12/2024 13:09

    Ore ju thoni shun gjēra tē vērteta pēr kryekriminelin hajdut sali wc ēn. Por ky qen i zgjebosur po vazhdon tē jetoi i lir e po shijon lekēt e vjedhura nga populli shqiptar. Populli mē i varfēr i Evropēs. Komentet e shumta jan kot.

    Përgjigju
    • Scutari: 21/12/2024 21:51

      Nuk vlen i burgosur!! Na duhet një opozitë sepse nuk kemi si zhvillojmë zgjedhjet!????

  • Bravo: 21/12/2024 11:23

    Duhej nje artikull mbi Berishën se kishim kohe pa e degjuar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e qeverisë gjatë vitit 2024?



×

Lajmi i fundit

SHBA, 5.9 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën

SHBA, 5.9 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën