Pas publikimit të një varg dokumentesh, ku zbulohej survejimi dhe mbajtja nën përgjim e gjuhëtarit për më shumë se 30 vjet, sjellim sot një prej shkrimeve të lëna në arkivin e tij personal në familjen Riza.
Edhe ky shkrim u publikua për herë të parë në vitin 2009, në përvjetorin e 100-të të lindjes së gjuhëtarit. E risjellim për lexuesit për për arsye se studimi ngjall mjaft interes dhe synon të zbulojë një anë jo shumë të njohur të Sami Frashërit...
Ad.Pe.
Sami Frashëri(1850 -1905)*
Ndonëse qe jetëshkurtër Sami Frashëri krijoi një varg veprash të një vlere shkencore të pamohueshme për kohën e tij, dhe të një rëndësie historike të gjithanëshme.
Të një rëndësije historike të gjithanshme, sepse me këto vepra Samiu në të nëjjtën kohë themeloi me një anë leksikografinë (enciklopedike) turke, e n’anë tjetër gramatologjinë e gjuhës shqipe (në gjuhën shqipe).
Përveç kësaj Sami Frashëri që në rininë e tij zhvilloi një veprimtari publicistike guximtarisht konsekuente si demokrat borgjez dhe si patriot shqiptar, veprimtari, për të cilën ai u persekytua nga qeveria turke deri në frymën e fundit.
Pabarazija e theksuar, që iu imponua nga forca e rajevet midis pakicës së libërezavet që shkroi shqip dhe gjithë atyre tomeve që botoi tyrqisht nuk mund të mos ketë pikëlluar shpirtin e tij që qe më aktivi dhe më realisti nga të gjithë patriotët e rilindjes shqiptare; pikëllim, të cilin mbase do ja ketë lehtësuar pakë ndërgjegja se ai, edhe në shkrimet tyrqisht nuk la rast pa përmendur për të mirë Shqipërinë dhe shqiptarët.
Sami Frashëri si përcaktues normative i toskërishtes letrare
Në përcaktimin normative të toskërishtes letrare Samiu nuk mund të mos nisej nga shkrimet toskërisht të Kristoforidhit. Mirëpo Samiu ishte një mendje tepër moderne për të përvehtësuar pa rezervë, kriteret pak a shumë arkaikë të Kristoforidhit. Kështu në botimin e parë të abetarës më 1879 edhe Samiu si Kristoforidhi përdori çamëriotizimin “(Alfabetare e) gluhësë (Shqip)”, të cilin në ribotimin e vitit 1886 e zëvendësoi me trajtën praktikisht të përgjithësuar:”(Abetare ë) gjuhese (shqip)”.
Vërte as Samiu nuk u shkëput dot nga e dyta ë post tonike, të cilën Kristoforidhi e pati tejbartur mekanikisht nga gegërishtja e vjetër në të renë. Mirëpo edhe për toskërishten Samiu konstatoi haptazi mospajtimin e shqiptimit bashkëkohor me këtë traditë grafike.
“Po gjuha e do aq fort të xgjaturit (S.R të theksuarit) në rrokjet që është përpara se fundit, sa në të folurë i presinë më shumë të zëshmetë ë që vinë pas saj. Kështu në vendit të hekurtë, thoshinë, motërë, punënë, themi: hekur, thoshin, motrë, a motër, punë, etj. (“Shkronjëtorë” fq.4).
Le të shtojmë se edhe në një pikë jo të parëndësishme të morfologjisë së shqipes, Samiu është desolidarizuar nga Kristoforidhi në riprodhimin mekanik të gegërishtes së vjetër.
“Në pjellëtoret e në dhënëtoret ca s’duan ta shkruajnë nyjënë, po shkruajnë si djalit ri, djalit plakut, vashësë re vashësë plakut; por gjuha nuk e do kështu, edhe është më drejtë të shkruajmë si djalit të ri etj.” (fid. fq.30).
Sami Frashëri si përshkrues gramatikor i gjuhës shqipe.
Gramatikën e vet Samiu e ka quajtur “Shkronjëtore e gjuhës shqipe” pa tjetër; kurse Kristoforidhi: “Gramatiki tis alvanikis glottis kata tin toskikin dhialekton…” d.m.th. “gramatikë e gjuhës shqipe) sipas dialektit toskërisht…”
Po menduam se në çdo rasje divergjence, Kristoforidhi krahas me paradigmat e toskërishtes ka dhënë kurdoherë edhe ato të gegërishtes; atëherë duhet të pohojmë se kufizimi “sipas dialektit toskërisht” nuk ka pasur asnjë arsye qenieje.
Anasjelltas Samiu ka pasur plotësisht të drejtë në “shkronjëtoren” e vet ta quajë “të gjuhës shqip” pa tjetër;se pse edhe ai, me një mënyrë makar elementare, ka trajtuar diveregjencat e gegërishtes nga toskërishtja.
Sikundër në përcaktimin normative të toskërishtes letrare Samiu u nis nga shkrimet toskërisht të Kristoforidhit, ashtu edhe në hartimin e “Shkronjëtores” ai pat parasysh “gramatiknë” e të njëjtit autor. (Kurse në krijimin e terminologjisë gramatikore shqipe, Samiu praktikisht u nis nga asgjëja).
E nuk ka dyshim se në këtë apo atë pikë të posaçme si në mosdallimin e pjesores së vërtetë p.sh. “pasurë” nga pjesorja e adjektivuar “i pasurë” Samiu ka qenë më i palumtur se Kristoforidhi.
Mirëpo duke kaluar nga Kristoforidhi tek Samiu, d.m.th. brenda gjithsejt vetëm katër vjetësh, trajtimi gramatikor i strukturës së shqipes shënoi; si në shumicën e hollësivet, ashtu në tërësinë organike një ngritje kualitative vendimtare.
As vet ëkristoforidhi si pararendës, as gramatikanët e mëvonshëm si Anton Xanoni, Aleksandër Xhuvani, Ilia Dilo, Sheperi etj, nuk kanë pasur as intuitën historike dhe talentin analitik dhe as gjerësinë e gjykimit dhe sigurinë e metodës të Sami Frashërit.
Pikëpamjet e Samiut mbi mundësinë e unifikimit të shqipes së shkruar
Fushatën e afrimit të të dy kryedialekteve të shqipes e ndërmoi Kristoforidhi duke u orvatur të rimëkëmbë në Shqipërinë veriore traditën letrare të gegërishtes së vjetër.
Mirëpo e njëjta frymë afrimi maksimal e mundëisht e unifikimit të krejtëshëm të shqipes së shkruar frymëzoi të gjithë bartësit e rilindjes s’onë kulturore dhe kombëtare.
Në lidhje me këtë çështje ja se ç’i shkruan më 1881 Samiu De Radës.
Kemi shumë nevojë për një fletë në gjuhët shqip. Por shprehim e besojmë se për së afëri do t’e sjellë puna që t’e nxjerrëm në Shqipëri, nukë me gjuhëra shumë, por vetëm në gjuhët shqip të pandame e të njëjtë, sikundrë duhet të jet edhe Shqipëria se shumë gjuhë e dialekta sjellinë ndarje e mërgim… me të mbledhurë të gjithë këtyre fjalëve e frasave bashkë, edhe gjuha shqip do të bëhetë e begatë e gjerë, e do të shpëtonjë nga të pasurit nevojë me fjalë të huaja, edhe gjithë dialektat do të gjëndenë të gjithë të bashkuara e të përzjera.”
E përsa u takon divergjencave leksikore midis dy kryedialektevet t’anë, këjo dëshirë e Samiut mund të mbahet si tashim e realizuarë, kurse divergjencat gramatikore, akoma ekzistuese po vazhdojnë, me një ritëm të shpejtësuar, të reduktohen në minimumin e mundshëm.
Tiranë me 13.I.58
*(Titulli i artikullit të Selman Rizës)
Redaksia Online
Al.N/Shqipatrja.com