Kur tragjedia raportohet me SMS

Kur tragjedia raportohet me SMS
Tragjedia ku humbën jetën 12 studentë dhe drejtuesi i automjetit, u mbulua nga televizionet me format informativ që në momentet e para. Krahas përpjekjes së lavdërueshme për të informuar minutë pas minute për ngjarjen, edhe në këtë rast disa televizione nuk i shpëtuan dot raportimit sipërfaqësor, kaotik, alarmues, ndërsa politikanët dhe partitë politike dëshmuan se nuk u mungon oreksi për të dalë në ekran edhe në ditë tragjike si ajo e aksidentit të Himarës.
Çfarë kuptimi ka që për orë të tëra të raportohet se ku shkojnë ministra e zyrtarë? Ku është lajmi këtu?! Çfarë kuptimi ka që në momentin që nuk dihen detaje të rëndësishme të ngjarjes të raportohen ngushëllimet e partive politike? Cili është kriteri që duhen dhënë ngushëllimet e partive politike se kemi 61 parti në Shqipëri?! Çfarë kërkojnë politikanët shqiptarë në ekran, për të përshëndetur punën e policisë dhe mjekëve? Çfarë do të thotë që për dhënien e gjakut organizohen grupe rinore partiake?!
Shpejtësia e transmetimit me SMS nuk duhet ngatërruar me punën e gazetarëve. Nga ritmi dhe toni i raportimit të krijohet përshtypja se gazetari në transmetim nuk e ka kuptuar ende se bëhet fjalë për jetë njerëzore të humbura dhe jo për autobus të shkatërruar, bëhet fjalë për raportimin e një tragjedie dhe jo për një ndeshje sportive apo për numërim votash! Në anën tjetër, një gazetar tjetër ngryset aq shumë sa të krijon përshtypjen se të gjitha viktimat janë nga familja e saj. Solemniteti në raportim, kontrolli i emocioneve, vënia fre e dëshirës për të qenë domosdoshmërisht i pari dhe sikterrisja e lloj–lloj surrati politikani në ekran është minimumi që një media e përgjegjshme duhet të bëjë.
Gara për të dalë në ekran solli edhe mesazhe kontradiktore, nëse zv/ministri i Shëndetësisë thoshte se Banka e gjakut është e siguruar, zyrtarë të tjerë (që i përkasin partisë tjetër) dilnin dhe bënin thirrje për të dhuruar gjak!
Është në kodin e etikës së gazetarit, që duhet të tregojë simpati dhe vetëpërmbajtje kur raporton për aksidente dhe fatkeqësi. Ndjenjat e familjarëve nuk duhen lënduar, por respektuar në maksimum. Në raste të tilla, operacioni i shpëtimit ka përparësi absolute në raportim dhe nuk është lajm se çfarë thotë kryetari i një partie apo qoftë edhe ky ministër. Mund të flasë personi që drejton operacionin e transportimit, mund të flasë një mjek, mund të flasë një ekspert rrugor, mund të flasë një drejtues spitali, mund të flasë një psikolog, mund të flasë një i afërm, mund të flasë një pedagog apo student, por ç’dreqin duhet të dëgjojmë llomotitje zyrtarësh dhe të shohim surretër që i shohim çdo ditë?!
Në orët e para të tragjedisë në televizione u publikua lista e plotë e studentëve të vitit të tretë, pa u sqaruar që jo domosdoshmërisht ishin studentët në autobusin fatkeq. U desh ndërhyrja e një politikani (që dikur ka qenë gazetar) që t’i tërheqë vëmendjen “live” medias që të mos përhapë panik të panevojshëm.
Në kodin e etikës së gazetarit është shkruar e zeza mbi të bardhë, që nuk duhen identifikuar viktimat nëse nuk janë njoftuar të afërmit. Është shkruar që duhet treguar maturi me fotot dhe pamjet nga aksidentet dhe duhet treguar konsideratë për ndjeshmërinë e publikut.
Kodet e etikës janë që gazetaria të fitojë besimin e publikut. Sa u përket politikanëve dhe zyrtarëve të partive, ka plot ditë për të “ngrënë”. Le të rrinë pa “ngrënë” televizion në ditë morti.
Raportimi i ngjarjes në gazetë ishte një tablo tjetër. Politika në gazeta nuk u shfaq as si violinë e parë dhe as si e fundit. Duke pasur më shumë kohë për të raportuar ngjarjen, gazetat nuk ranë në kurthin e të bërtiturit për të qenë “i pari” që jep pamjet e autobusit apo targën e automjetit. Një foto, – thonë, – vlen një mijë fjalë, – por rëndësia e fjalës së shkruar mbetet.
Pa dashur të minimizoj punën e lavdërueshme të reporterëve dhe kameramanëve në terren, ka shumë mësime që duhet të nxjerrin redaktorët, drejtuesit dhe pronarët e stacioneve televizive.
Ngjarjet komplekse, aksidentet, fatkeqësitë thjesht nuk i shpjegon dot në vrap e sipër me kamera në dorë apo celular në vesh.
Raportimi profesional, respektimi i etikës, shmangia e panikut, kontrolli i fakteve dhe informacioneve, fokusimi te ngjarja dhe jo te tellallët politikë – është minimumi që mund të bëjnë profesionistët në ngjarjet e mëdha.
Marre nga Panorama
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Urime nga politike, Kurti: Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Memorialit të Adem Jasharit

112-vjetori i Pavarësisë/ Urime nga politike, Kurti: Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Memorialit të Adem Jasharit