Kurbani: nga Nano te Lubonja
ja miqte dhe armiqtë e Ramës

Kurbani: nga Nano te Lubonja<br />ja miqte dhe armiqtë e Ramës
Opinioni i kryetarit të opozitës, Edi Rama, mbi disa nga personazhet dhe ngjarjet pjesë të jetës së tij politike dhe jo, mendimi mbi Nanon, Berishën, Metën, Gërdecin...te marra nga libri Kurbani i sapo dale ne treg.


Porosia e Kristaqit
Kristaq Rama: Asgjë nuk vlen më shumë sesa të lësh pas një kujtim të mirë

Edi, si e shohin
Ka pasur Edi Ramë tjetër apo ai kam qenë unë? Sigurisht që ai kam qenë unë, por unë sjam më ai, do të thoshte Andi Bushati

Për Albert Brojkën
S’kemi fonde për ta rregulluar tavanin, tha me t’u ulur pranë kovës paraardhësi Albert Brojka, duke ngritur sytë me gojën gjysmë të hapur nga qielli

Fatos Lubonjën e humba nga politika
Se harrova kënetën nën ballkonin e shtëpisë. Si mund ta harroj, e kam aty, kushedi edhe sa kohë pas përfundimit të këtij rrëfimi ajo do të jetë aty, ana tjetër e medaljes së suksesit, pamja tjetër e historisë së ndryshimit, madje ajo e vërteta, do të thoshte shpotitës Fatos Lubonja. Fatosi është një miqësi e dashur, që e humba kur zbrita në arenën politike.

Si u njoh me Fatos Nanon
Me Fatos Nanon më bënë mik, pa e njohur, letrat që nxirrte nga burgu i Sali Berishës dhe bisedat e ngrohta përpara kthimit tim të paparashikuar nga Parisi. Më tej, ma lëkundën fillimisht fort respektin perversitetet e kthyera në instrument lufte politike gjatë katharsisit e KPD famëkeqe të vitit 2001, e pastaj ma rrënoi si befasi e paparafytyrueshme flirti i tij mendjelehtë e zvjerrdhës deri në shpërfytyrim me vetë Saliun, që e coi në pikën e hallit

Prodi: Çfarë mrekullie
Do të zhvillohej një ceremoni mikpritëse për kryeministrin italian Romano Prodi, i cili rikthehej në shqipëri pas kaosit të vitit 1997 për të marrë edhe një titull Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës. Në fund të vendkalimit mes karrigeve para vajtjes në panel, Prodi ndaloi për tu dhënë dorën gjithë të pranishmëve të ulur në krye të rreshtave dhe e para gjë që tha, me zë të lartë ishte: “Cfarë ka ndodhur? Eshtë një mrekulli, më është rrëqethur mishi nga transformimi i Tiranës”.

Batuta e Robert Çamçakëzit
Nëse koha do të mund të kthehej mbrapsht, sdo ta kisha bërë më atë batutën e bujshme të krahasimit të Fatosit me Robert Çamçakëzin, dembelin “me shfaqje të huaja” të portit të Durrësit në një film kult të socrealizmit për heroin e klasës punëtore Adem Reka. E vërteta është se për dreq, ai parazit simpatik që rrumbullohej paq...ngjante kiamet me Fatosin e kohës së katharsisit të bubullishëm nëpër pijetoret e katundeve të Shqipërisë.

Ç’i tha Nanos në 2005
Fatos Nano u mërzit shumë kur në një nga bisedat e fundit para dështimit katastrofik të vitit 2005, i thashë në një tavolinë miqsh e kolegësh: Je si një fëmijë, që kur pushtetin e sheh si një lodër në dorën e të tjerëve, çmend dynjanë me kujën tënde, derisa e merr lodrën, por me ta marrë, ulesh përtokë dhe fillon e zbërthen çika-çika, derisa stë mbetet gjë në dorë.

Edi për Fidel Yllin
I jam gjithnjë mirënjohës Fidelit për ndihmën e madhe që dha me gjestin e tij miqësisht qytetar, të cilin e përsëriti dhe më vonë kur radha u erdhi shembjeve shumë problematike në Lanë.

Kryebashkiaku për Mithat Havarin
Forca që kisha në krahë ishte Policia Ndërtimore, që drejtohej nga Mithat Havari, burrë llafeshumë e tekanjoz, por goxha i vendosur në punën e tij dhe mbi të fgjitha një aleat i prerë në aksion.

Meta, mësoi hilet para rregullave
Ilir Meta ishte një djalë i mirë që mund të bëhej burrë i nderuar sot i fikur prej stërmundimeve ku e mori me vete dalëngadalë emri që i vuri fare i ri në shkretëtirën e mbetur te partia e Punës pas migrimit të rinisë në krahun opozitar, pastaj mësimi i të gjitha hileve përpara çdo rregulli, siç e sintetizon paq Ndre Legisi...

Vlerësimi për Bashkim Shehun
Atë mbrëmje isha në shtëpinë e Bashkim Shehut në Barcelonë, mik i mirë me të cilin shihemi rrallë, por është përherë kënaqësi e posaçme të bisedosh, sepse ka kulturë të madhe, përsosje e pazakontë të shijeve letrare, artistike, por edhe politike, e mbi të gjitha një njerëzillëk të hatashëm që nën çatinë e tij të bën të ndihesh rehat si rrallëkund...

Nano, ndihmë për Edën
Fatosi (Nano) më priti me shumë dashuri, duke rrëzuar në pak minuta çdo barrierë të mosnjohjes dhe më ftoi përzemërsisht në shtëpinë e tij për darkë, pasi takova po aty, në zyrën e tij, edhe gruan e vet fisnike Rexhinën, e më tregoi që do të nisnin të bijën në Paris për shkollim, duke më kërkuar shumë vëllazërisht të mbaja sa të mundesha një sy të hapur vëmendjeje ndaj saj...

Prerja me sëpatë e shtyllave
...në rastin në fjalë hyra vetë në kontakt me një drejtor telekomi për tiranën, i cili ishte sorollatësi më fantastik që kam njohur dhe prandaj e mbaj mend mirë këtë histori, sepse më fliste nga ana tjetër e telefonit me një mjeshtëri aktoriale të pashoqe..."Shef i madh, si të kam, ç'është ky nder për mua, me se mund të ndihmojë vëllai yt që po na e bën Tiranën bahçe me lule"...Ai inaugurim me prerje të një shtylle me sëpatë bëri bujë të madhe,
shpjegimi im u dha njerëzve mundësinë të kuptonin arsyen që ngjante me të gjitha arsyet e të paarsyeshmes së sorollatjeve...

Vlerësimet për Fatos Nanon
Për Fatosin nuk kam thënë ende që në kohë të patrazuara miqësie, ishte shumë njerëzor, kalorësiak dhe inteligjent në çdo bisedë sado të vështirë. Orët e tij të mira shkuan duke u pakësuar në vite për tia lënë vendin një zdërhalljeje të pafundme në pellgun e vanitetit, por në ato orë kam mundur ti admiroj mprehtësinë e të menduarit e zhdërvjellësinë e të vepruarit, si dhe një qetësi relaksuese në ndjekjen me vëmendje të bashkëbiseduesit kur dëgjonte gjëra që si dinte...Kjo e bënte siç pat thënë vetë njëherë cakërrqejf, e sjell këtu dashamirësisht "më rrugaçin e politikanëve dhe më politikanin e rrugaçëve".

Mendimi për Artan Shkrelin
Për planin e Tiranës...roli i Artan Shkrelit, shok i imi nga kohët e vjetra universitare e peripatitë mes miqsh në xhiron e përmbrëmshme të bulevardit, ku këmbenim mbresat e librave të ndaluar, dhe këshilltar për zhvillimin urban i Fatosit në kryeministri gjatë asaj kohe, rezultoi i suksesshëm në negociimin e konfliktit absurd, me durim e argumente pas argumentesh të shtrira me pikatore në thuajse një vit vonesë, duke shpëtuar më në fund planin dhe qendrën e Tiranës...

Takimi me At Zef Pllumin e Baba Reshatin
S'ma lejojnë po ashtu grindjen politike për një të tillë punë të pazakontë (xhamia e Tiranës) njohjet e mia fatlume me shqiptarë të bekuar prej hirit të Zotit, nga At Zef Pllumi që rrnoi për me tregue e smi kurseu kurrë mësimet e jetës së tij, deri te Baba Reshat Bardhi që më kërkoi bashkë me Lindën në dhomën e vetmisë së vet të komunikimeve me të Gjithëpushtetshmin për të na dhënë pak nga drita e frymës së fundit teksa po mbyllte punët me këtë botë...

Edi: Saliu i mbyllur në shpellë
Saliu thotë se është njeri i kënduar, ka lexuar shumë libra, gjë që nuk duket hiç nga fjalimet rrakazhdrraka që mban mbi marrëzitë e përlumshme që thotë, megjithatë, skam arsye të mos e besoj, magazina pa iventar ka plot. Por nëse librat e pakët se penguan Fatosin të kuptonte kohën e shoqërinë ku jetojmë në orët e tij më të mira, librat e shumtë se kanë ndihmuar dot Saliun të dalë asnjë orë nga shpella e thellë e mendjes së tij primitive..

Rama: Jozefina, grua e pazhvilluar
(Për kompleksin parlamentar) E tregoi këtë fare qartë edhe konkursi i organizuar nga Kryetarja e Kuvendit, e vetmja gjë e hairit që ka bërë në detyrë ajo grua e pazhvilluar, një variacion skemash jashtëzakonisht interesante, ku juria e drejtuar nga e famshmja Gae Aulenti zgjodhi më befasuesen, por edhe më te thjeshtën në realizim...Nuk e kam marrë vesh dot ndonjëherë pse u la në të vërtetë ai projekt, Fevziu më tha skemi lekë për ta ndërtuar, por projekti i ri, ky i halucinacionit enverist të Saliut, aty ku është sot Piramida, kushton shumëfish më tepër nëse vërtet do të ndërtohet...

Biseda e Fugës me Erla Mëhillin
(Për Erla Mëhillin) Kur Endri Fuga, drejtori im i komunikimit, që e kishte pasur në klasë në gjimnaz, i pataksur ngaqë mori vesh një ditë prej meje pikërisht këto lidhje (familjare të familjes së saj me të Edit) e pyeti "Si ka mundësi që ti pranon të shash publikisht me atë zhargon vulgar rruge një familje që ka lidhje me familjen tënde?" ajo iu përgjigj: "Unë dua të bëj karrierë Endri dhe ky është një mut për t'u ngrënë aty te ne, nëse do që Doktori të të japë dorën, ja si Gerti Bogdani që e hëngri të gjithin dhe pastaj u bë deputet".

Sulmet e Mero Bazes
Komisioni hetimor parlamentar Olldashi, përfshirë periudhën që parapriu ngritjen e tij, ishte një ekstazë akuzash e shpifjesh mbi mua...një shfrim i pashembullt urrejtjeje e dalldie mendore që ndodhte nga foltorja e kuvendit nën udhëheqjen e Saiut dhe pastaj gjatë përsëritjejeve si në jerm të fantazive të tij të shfrenuara nga deputetët e opozitës së atëhershme e nga penat plot helm të shtypit të PD, ku mbi të tërë luzmën e mediokritetit të vënë në shërbim të kauzës së shtatërrimit tim, spikaste talenti i vecantë gazetaresk dhe nxite opozitarizmi atëbotë egërsisht antietik i Mero Bazes.

Punësimi i vëllait të Bodes
E di ti e di, më tha ankuesi në fjalë "që e ke aty vëllain e Ridvanit, se të ushqen breshkat në zyrë". Histori më vete ajo e dy breshkave që ndanë me mua zyrën e kryetarit të bashkisë, ngase një mik i huaj, artist, jo mjek në fakt, më pat thënë se prania e breshkës në mjedisin ku rri është një ndihmë e vyer për një astmatik dhe për mua që vuaj qysh në fëmijëri nga astma bronkiale po edhe më tërheqin besëtytnitë e çuditshme të kësaj natyre, ky m'u bë sebepi i kësaj bashkëjetese me dy breshkat...po burrin e urtë rreth të pesëdhjetave a dicka më shumë që hynte në zyrën time për tu sjellë ushqimin, punonjës në kopshtin zoologjik, të cilit i dija vetëm emrin e ia çmoja një mirësjellje të pashtirur si mund ta largoja nga puna pse kishte vëlla ministrin e Saliut?

Ç'thotë për Muç Nanon
Këto ditë të nxehta mërzie e zemërate pas vjedhjes disatën për diell të fitores sonë të katërt në Tiranë, Mustafa Nano, penë e mprehtë plot intelekt e pasion opozitar që ngjyhet shpesh në bojën e nervozizmit kaps...nxorri sheshit një përsiatje të turbullt me një paralele të hequr mes David Cameronit e Rupert Murdoch-ut nga njëra anë dhe meje e Koço Kokëdhimës nga ana tjetër...

Mendimet për Koço Kokëdhimën
Eshtë koha për të thënë açik disa gjëra, është koha për të thënë se Koço Kokëdhima as ka hyrë ndonjëherë nga dera e pasme e bashkisë e as ka përfituar nga miqësia shumëvjeçare me mua gjësend që nuk i ka takuar si sipërmarres ndër gjithë tjerët...

Edi: Lejet për Sandër Frangajn
Nuk pendohem sot asnjë dekik pse se kam penguar Aleksandër Frangajn të kthehet nga pronari i një TV kombëtar në investitor për një ndërtim të konsiderueshëm në Tiranë në kohën kur ekrani i kontrolluar prej tij derdhte vrer ndaj meje, Bashkisë së Tiranës e PS...

Vlerësimi për Tanin e TOP-it
Dallimi mes Tanit të Topit dhe shumë të tjerëve, ndër të cilët spikat për të kundërtën konkurrenti i tij shtetëror Aleksandër Frangaj ishte se ai e vuri biznesin e ngritur nga hiçi, tregtinë shumë fitimprurëse të kafesë në dispozicion të revolucionit pamor e teknologjik që bëri duke celur një horizont të pabesueshëm për botën shqiptare të ekranit...

Si ra kështjella e Carlo Bollinos
Rënia së fundmi e kështjellës së vogël, por shumë influente në opinionin tonë publik, që një tjetër personazh historik i orëve të para të lirisë në sipërmarrjen mediatike shqiptare, Carlo Bollino, ngriti e mbajti në këmbë për vite me radhë, në rrugë mirëfilli artizanale, pa asnjë biznes në mbështetje të ekranit e gazetës, gjithnjë në opozitë me qeverinë, shënoi një tjetër humbje dramatike për publikun dhe një hap tjetër të rëndë përpara në marshimin uniformizues të regjimit të sotëm mbi median, të cilës i kanë mbetur fare pak pika ende të pavarura....

Dallimet Fatos-Sali
Fatosi i frikej ligjit, Saliu e tremb ligjin. Fatosi ishte shtetndjekës edhe pse sishte shtetndërtues, Saliu shtetin e lidh pas vetes ...politikat e Fatosit sdilnin jashtë hijes së shtetit, politikat e Saiut shtetin e kthejnë në hije të tijën...

Fotot e lakuriqësisë, reagimi i Valit
Se mohoj dot kur Vali Bizhga...më mori për të më thënë se kishte një zarf me një përmbajtje shqetësuese në dorë e nuk më thoshte dot më shumë në telefon, ishte kulmi i fushatës..."S'është puna ç'mendoj unë" tha Vali pa e fshehur dot turbullirën nga fytyra e saj gjithnjë transparente. Kur u ktheva e pashë mbi tavolinë pikërisht atë që mendoja, dy foto të futura në një zarfanonim të hedhur në kutinë time postare në hyrje të bashkisë "po ç'do të mendojnë njerëzit e zakonshëm që na votojnë pasi t'i shohin dhe dëgjojnë edhe bubullimat e këtyre maskarenjëve që shkojnë deri këtu".

Politikanët për fotot
"Thuaj që është montazh" këmbënguli disa herë Iliri që ishte sinqerisht i shqetësuar...të vetmit ndër të politikës që mbaj mend plotësisht në një mendje me mua, madje të pasikletosur hicfare ishin Erjon Bracja që qeshte me lot e thoshte "Mbaroi kjo punë, do jetë e thellë" dhe Ben Blushi që më tha "Do tju kthehet në bumerang", ndërsa Pandi Majko u mbyll i bukosur nga sëkëlldia në shtëpi atë ditë dhe komunikoi vetëm me nënën time e cila merret lehtë me mend, ishte tejet e sëkëlldisur...

Si shkojnë Kaçi e Iliri
Sapo kishin nisur debatet e keqkuptimet në shtyp për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe kërcënimin jetik që u vinte partive të vogla nga sistemi spanjoll...që e bënte kërcënimin e supozuar të dukej edhe më i zi për shkak të reputacionit që Kastriot Islami gëzonte në mjedisin politik, posaçërisht opozitar, si "nëna e gjithë intrigave" në familjen socialiste. Shtuar këtu edhe alergjia e lëkurës që u shkaktohej reciprokisht të dyve, Metës e islamit, kur njëri dëgjontre emrin e tjetrit...

Vlerësimi për Maks Velon
Maks Velo, të cilit do t'i jem gjithnjë mirënjohës për ndihmën e pakursyer që më dha me idetë, mendimet, qortimet e tij publike, apo miqësisht konfidenciale, po gjithnjë lartësisht profesionale për zhvillimin urban të Tiranës, ka qenë edhe një ndër protagonistët e pazëvendësueshëm të konkurseve ndërkombëtare...

Zhani Ciko si spiunoi baritonin
...Fjala vjen, dëshmia tronditëse në gjyqin komunist e drejtorit aktual të TOB Zhani Ciko, për burgosjen politike të tenorit të madh Llukë Kaçaj në vitin 1973 ku Zhani mbrojti partinë nga armiku Gjergj Fishta, për të cilin i gjori Llukë i kishte thënë se e konsideronte poet të madh kombëtar, tingëllon edhe më e shëmtuar sot që Zhani shërbesat proqeveritare, i bën sa herë i kërkohen, duke dënoncuar opozitën publikisht si destruktive...

Gërdeci dhe Delijorgji
(Për Gërdecin)...dhe s'kisha pasur asnjëherë në vitet e njohjes me Delijorgjin arsyen më të vogël për të menduar keq, ashtu siç ai nuk kishte pasur asnjë lidhje pune me bashkinë e Tiranës, deri ditën kur, vite më vonë, pas orvajtjes për "Tironën" paraqiti kërkesën për leje ndërtimi...e si gjithë të tjerët mori atë çka i takonte me ligj, pavarësisht se nëpërmjet Saliut...e po aq brutal më është dukur jo vetëm maskarallëku i atyre që, nga njëra anë, kishin ngritur, bashkë me Delijorgjin, Fabrikën e Vdekjes dhe nga ana tjetër më qepën mua nga pas tërë zogorinë e të vetëposhtëruarve për të më bërë rezil në sytë e publikut...

Sali Berisha për Anetën
Iu qep Saliu time mëje e i ulërinte çakërgjosur në emër të motrave dhe nënave shqiptare të tregonte se kush isha unë, thuaju zonjë që ke 10 vjet që e kuron për skizofreni tët bir, e dimë mirë ne të dy dhe ata kolegët tanë mjekë, thuaju si të rrihte yt bir dhe të nxirrte rruygëve të lagjes me këmishë nate, tregoju të vërtetën vajzave shqiptare se si unë dhunoja gratë, se iknin të lemerisura nga shtëpia kur u futesha në dyshek të shokëve të mi, sesi i kisha thyer nofullat e bërë hundët me gjak gruas në publik...

Mendimi për Ariana Fullanin
...Sikundër as që mund të imagjinohet në botën e lirë një kryegjyqtare e lartë si Ariana Fullani, që përballë një gruaja pensioniste si nëna ime, e cila detyrohet të marrë rrugën e gjyqit për të mbrojtur jo djalin, po dinjitetin e saj të cënuar publikisht, të nxjerrë të pafajshëm dhunuesin kryeministër e të kthejë mbrapsht në shtëpi qytetaren që skërkonte asgjë përvecse ti tregonte opinionit publik se nuk kishte asnjë të vërtetë në akuzat lehëse të kryeministrit ndaj saj...

Edi: Ristani, xhepisti i Saliut
...e cila ekzekutoi një plan pushtimi kriminal të bashkisë përmes një manipulimi në front të gjerë, duke nisur nga dosjet e dokumenteve zgjedhore të të gjitha kutive të votimit në kryeqytet gjatë zgjedhjeve të vjedhura të qershorit 2009, që Arben Ristani, xhepisti dandy i Saliut në KQZ, i fotokopjoi në shkelje të plotë të ligjit dhe ia dorëzoi shtabit të pushtimit, për të nxjerrë emër për emër ata që kishin votuar si dhe ata që s'kishin marrë pjesë...

Ftohja me Arvizun
Ambasadori Aleksandër Arvizu i zbuloi kohë më vonë publikut një detaj të vërtertë nga ditët traumatike që rrodhën menjëherë pas 21 janarit, kur marrëdhëniet mes nesh s'ishin mjaltë dhe ambasadori përpiqej me këmbëngulje të më bindte për domosdoshmërinë e anulimit të demostratës sonë të paralajmëruar...ambasadori tregoi se kishte qenë asokohe i shqetësuar për garantimin e jetës sime të vënë nën një kërcënim serioz...

Reagimet për Topin e Inën
Saliut i blatuan një përshëndetje publike për tërheqjen nga antimitingu, po asgjë si thanë nga ato që meritonte të dëgjonte me gjuhën e botës demokratike...për sulmet rrugaçërore ndaj Presidentit "horr" të Republikës, dhe "lavires së bulevardit" në krye të organit të akuzës, për shantazhin mafioz mbi gazetarët Andi Bushati, Sokol Balla, Filip Çakuli e Mero Baze...

Lotët e Lindës ditën e 21 janarit
Linda mbeti në shtëpi atë paradite me mpakjen e parrëfyeshme të mundësisë së fundit për tu parë e përqafuar te dera, edhe njëherë e gjitha në mbështetje të gjëse që bëra me zemër dhe mirëkuptuese mes lotëve për nevojën për të mos qenë në krahun tim si gjysma gjithnjë më e mirë, se cilës, në rastin e keq, do ti binte barra e vazhdimësisë së kujdesit për fëmijët e prindërit...(rasti i kërcënimit)

Vlerësimi për Kadarenë
...Ajo distancë pa fjalë nga ana e Ismailit ka qenë si zakonisht haraçi që ai ka paguar për t'u lënë i qetë brenda mjegullës ndarëse , por nga ana e pushtetit përditë e më eksiq në arrogancën e vet që sigurisht i ka dëshiruar tërë këto vite, me epsin e vjetër sa bota të të gjitha regjimeve, komplimentat e munguara të letrarit të famshëm, është kuptuar si pakënaqësi gjithnjë e më cimbisëse

Çfarë është Tirana
Për mua Tirana është një histori dashurie që do të vazhdojë sa do të vazhdojë edhe fryma ime...Tirana është për mua një eksperiencë e magjishme që më bëri ta shoh vendlindjen time, kryeqytetin tonë, të shqiptarëve kudo që janë..si vendin ku mund të bëhen realitet ëndrrat e pamundura...Në Tiranën që shoh në sytë e mendjes ka një model të ri të Shqipërisë në përkujdesjen sociale.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja