KURBIN- Policia ka vënë në pranga një 53 vjeçar, pasi ishte i dënuar në Itali për përdhunim dhe emigracion të paligjshëm.
Komisariati i Policisë Kurbin në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja”, të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, finalizuan operacionin policor të koduar “FOUR”.
Në kuadër të këtij operacioni, në Laç u bë kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi i 53 vjeçarit që përdorte 4 emra, Kastriot Marku alias Erjon Prenga alias Ervis Murati alias Landi Lleshaj, 53-vjeç.
‘Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e apelit në Firenze, e ka dënuar me 7 vite e 4 muaj e 8 ditë burg për veprat penale “Dhunë Seksuale” dhe “Emigracioni i paligjshëm”, të parashikuara nga Kodi Penal Italian’, njoftoi sot policia.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.