Dialogu/ Nuk ka marrëveshje në Bruksel, Borrell: Palët i vunë parakushte njëra-tjetrës, s’patën gatishmëri për pajtim

BRUKSEL- Pa ndonjë pajtim, Kosova dhe Serbia përmbyllën edhe një maratonë takimesh këtë të enjte në Bruksel (26 tetor). Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell,deklaroi pas takimit se Kosova dhe Serbia nuk kanë pasur gatishmëri për pajtim në Bruksel rreth propozimit të ri evropiano-amerikan lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u është prezantuar palëve më 21 tetor.

“Është një pengesë e madhe, e që është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në mënyrë që të ndihmohen palët për të arritur marrëveshje, bashkë kemi prezantuar një propozim serioz evropian dhe të balancuar për ta themeluar këtë asociacion dhe kemi insistuar që palët ta shfrytëzojnë këtë rast, që do të ishte hap i madh përpara drejt procesit të normalizimit dhe të shmangen ngritjet e reja të dhunës”, ka thënë Borrelli në një deklarim për uebfaqen e BE-së.

“Palët nuk ishin të gatshme që të pajtoheshin me këtë, pa parakushte të cilat ishin të papranueshme nga pala tjetër. Në fund, kërkuam nga palët që të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit, që mund të bëhet vetëm përbrenda në kornizën e dialogut, sepse është e vetmja rrugë për ta për avancim në rrugën evropiane" nënvizohet më tej.

Sipas Qeverisë së Kosovës, Kurti përsëriti se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe draftin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por pala tjetër nuk është.

"Presidenti i Serbisë ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023", thuhet në komunikatë.

Nga ana tjetër, Vuçiç tha se ‘Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara apo pavarësinë e Kosovës - hapa që, në njëfarë mënyre, i kërkon Marrëveshja Bazë’.

"Nuk u bë fjalë për nënshkrim apo mosnënshkrim të ndonjë gjëje", por "për zbatimin e asaj që është nënshkruar dikur, apo që është rënë dakord", tha presidenti serb.

Duke iu drejtuar gazetarëve pas takimeve, Vuçiç tha se Serbia dëshiron t'i zbatojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me autoritetet e Kosovës. Ai tha se, më 21 tetor, kur në Beograd priti të dërguarit perëndimorë, mori një letër që ishte "bazë e mirë për të ardhmen". Sipas Vuçiç ai punim ka të bëjë ekskluzivisht me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

"Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit në përputhje me propozimet që i kemi marrë", u tha Vuçiç.

Ai shtoi se askush në takime nuk i ka përmendur "sanksionet kundër Serbisë", që do të lidheshin me sulmin në Banjskë.

Për sulmin e 24 shtatorit, që la të vrarë një polic, Kurti bëri përgjegjëse Serbinë dhe kërkoi edhe të enjten "sanksionimin dhe ndëshkimin e saj", në mënyrë që sulmet e tilla "të mos përsëriten kurrë më".

Deklaratat pasuan takime të veçanta të dy liderëve nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së. Meloni tha se dy udhëheqësve u është kërkuar të bëjnë hapa përpara "në zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të arritura në muajt dhe vitet e fundit".

Ku qëndron dialogu?
Kurti dhe Vuçiç u takuan për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim. Dhjetë ditë më vonë ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor. Gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, u vranë edhe tre sulmues serbë. Duke folur për gazetën britanike, Financial Times, më 25 tetor, Kurti tha se “nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, definitivisht nuk do të ketë dialog”. Ky proces që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nisi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:43
Borrell: S’ka marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, palët kishin parakushte

1697617375_borrell.webp

Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është deklaruar shkurt pas takimeve që kishte me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Borrell ka thënë se palët nuk ishin të gatshme që të pajtohen për Marrëveshjen Bazë, duke shtuar se kishin parakushte. Ai po ashtu ka thënë se synojnë t’i afrojnë palët edhe drejt marrëveshjes, përfshirë edhe Asociacionin.

”Dhe veprimet terroriste që i kemi dënuar sërish që sot jemi takuar me kryeministrin Kurti dhe pastaj me presidentin Vuçiç për të diskutuar për situatën dhe për të shpjeguar se rruga e vetme përpara është normalizimi përmes dialogut dhe se BE kërkon normalizim marrëdhëniesh midis dy vendeve dhe kemi pasur një pengesë të madhe që ka të bëjë me formimin e Asociacionit në Kosovë dhe në mënyrë që t’i afrojmë palët drejt një marrëveshje, ne propozuam në propozim të balancuar, evropian për Asociacionin dhe insistuam te palët që të marrin këtë rast që do të ishte hap i madh përpara”.

“Për fat të keq, palët nuk ishin të gatshme të pajtohen me këtë pa parakushte që ishin të papranueshme nga pala tjetër dhe në fund, ne kërkuam palët që seriozisht të angazhohen në procesin e normalizimit që mund të bëhet vetëm nëpërmjet dialogut, sepse është mënyra e vetme të avancojnë në rrugën evropiane, ne do të vazhdojmë të angazhohemi për arritjen e një marrëveshjeje, por sot për fat të keq, nuk ishte e mundur pa parakushte nga njëra palë që ishte e papranueshme nga pala tjetër”, ka deklaruar ai.

Ora 21:59
Vuçiç flet për planin e BE-së që i është dorëzuar më 21 tetor: Ka të bëjë me formimin e asociacionit të komunave serbe

1698348850_serbiaaleksandervucic.jpg

Presidenti i Serbisë tha se letra që ka marrë në Beograd më 21 tetor, gjatë vizitës së “pesëshes së madhe” e të dërguarve perëndimorë, është një bazë e mirë për vazhdimin e bisedës në të ardhmen.

Sipas tij, ai punim ka të bëjë ekskluzivisht me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

"Nuk mund të flas për detaje sepse nuk është marrë vesh që të flasim për detaje. Siç e shihni, ne i jemi përmbajtur shumë saktë dhe nuk ka rrjedhur askund asnjë detaj", tha Vuçiç.

Ai theksoi se më herët, kur u pa se detajet ishin publikuar në Postën Shqiptare , ishte e qartë se kush i publikonte.

Ora 21:30
Takimet në Bruksel, reagon Vuçiç: Serbia s'mund të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB

1698348776_aaqqqq.jpg

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç deklaratë për mediat

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar pas një sërë takimesh me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë e zyrtarë të BE-së sot në Bruksel, ku dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti pati takime të ndara me ta.

Në një deklaratë për mediat serbe, Vuçiç shprehet se në takime janë diskutuar temat kryesore duke nisur nga depërshkallëzimi i situatës e deri te zbatimi i marrëveshjeve të deritanishme mes dy vendeve.

“Serbia ka thënë qartë se dëshiron që të gjitha marrëveshjet të zbatohen, nga ajo bazë e vitit 2013 e deri te ato më vonë në Bruksel dhe Ohër, dhe ne gjithmonë kemi theksuar vetëm një gjë, e cila dihet ajo është se Serbia nuk mund të pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB apo pavarësinë e Kosovës' , tha Vuçiç në Brusel citon agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Ndër të tjera, Vuçiç hodhi poshtë të gjitha aludimet se BE mund të ndërmarrë sanksione ndaj Serbisë.

“Askush në Bruksel nuk ka përmendur sanksione ndaj Serbisë, i kanë thënë të tjerë, por jo BE. Asnjëherë nuk kam thënë që të vendosen sanksione ndaj Prishtinës apo kujtdo, sanksionet krijojnë një atmosferë të keqe”, tha Vuçiç

Përpara mediave, presidenti serb garantoi se qëndrimi i tij ka qënë i palëkundur në mbrojtjen e interesave të Serbisë.

“Jo vetëm që fola, por insistova në qëndrimet e Serbisë. Unë flas më qetë para jush sesa kur përfaqësoj interesat e Serbisë”, tha Vuçiç gazetarëve.

Ai deklaroi se është dakord për shtimin e trupave të NATO-s dhe KFOR-it në veri të Kosovës.

Ora 20:34
Takimi në Bruksel, Qeveria e Kosovës: Kurti ofroi nënshkrimin e Marrëveshjeve, por Vuçiç e refuzoi

1698350443_dddxxx.JPG

Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për shtyp ka dhënë detaje mbi takimin mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Bruksel (26 tetor) me liderët evropianë në kuadër të dialogut. Sipas qeverisë së Kosovës Kurti ka ofruar nënshkrimin e tij për Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, përfshirë edhe draftin e BE-së dhe ShBA-së për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10, por është refuzuar nga Aleksandër Vuçiç. Më tej, bëhet e ditur se Kurti ka kërkuar nga pesëshja evropiane që pas sulmit në Bansjkë të ketë sanksione ndaj Serbisë.

DEKLARATA E PLOTË

"Republika e Kosovës e ka pranuar Marrëveshjen Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023. Këto dokumente të dakorduara janë një sukses i përbashkët me Bashkimin Evropian. Marrëveshja duhet zbatuar në tërësi, pa kushte, pa vonesa.

Në takimin e sotëm, me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak, Kryeministri Kurti i falënderoi të gjithë ata për rolin, angazhimin dhe kontributin për paqe dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Kurti theksoi që, pas sulmit të agresionit të 24 shtatorit, në Zveçan, prioritet për të është siguria në Kosovë, në veçanti siguria e kufirit me Serbinë, meqë nga ana tjetër erdhën paramilitarët të cilët kryen sulm terrorist e kriminal duke vrarë e plagosur policë të Kosovës. Që kjo të mos përsëritet kurrë më, nevojiten sanksione dhe ndëshkim për Serbinë.

Hetimet për grupin paramilitar e terrorist të sponzorizuar nga Serbia, duhet të përcaktojnë saktë se kush krejt çka bëri dhe si e ekzekutoi këtë akt agresioni, ndërkohë që nuk ka më dilema as te faktorët ndërkombëtarë mbi fajtorin.

Kryeministri Kurti potencoi që Kosova është kampion në sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, gjë që është konstatuar edhe nga organizata prestigjioze ndërkombëtare Ëorld Justice Project. Grupi paramilitar terrorist i Milan Radoicic dhe përgjegjësit e tjerë duhet të ekstradohen në Kosovë, ku do të kishte një gjykim të drejtë dhe fer, aq më tepër kur dihet se sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe proceset gjyqësore monitorohen nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX.

Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike. Përkundër kësaj oferte gjeneroze të Kryeministrit Kurti, Presidenti i Serbisë, Vucic, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023.

Për progresin demokratik dhe ekonomik të saj, Kryeministri Kurti tha që Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për BE, pra edhe bashkimin e pesë shteteve të mbetura të Bashkimit Evropian me shumicën prej 22 sosh, në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq siguria e kufijve për Kosovën, bashkë me sigurinë kolektive në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ngriten cilësisht nëpërmjet Marrëveshjes për Partneritet për Paqe me NATO-n drejt anëtarësimit të Kosovës në aleancën veri-atlantike.

Në fund të takimit, Kryeministri Kurti tha: Pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin".

Ora 18:55
Dialogu me Serbinë, Kurti takohet me Lajçak

1696616918_lajcak600x3601.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me liderët evropianë, ka nisur pasditen e së enjtes një takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Para Kurtit, Lajçaku ka zhvilluar takim edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ora 18:34
Presidenti i KE-së pas takimit me Kurtin dhe Vuçiç: Normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve është thelbësore

1698340013_5656.jpeg

Foto: Takimi i Albin Kurtit me Olaf Scholz, Emmanuel Macron, Josep Borrell, Miroslav lajčák. Charles Michel. në Bruksel,  26 tetor 2023

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel ka reaguar në lidhje takimet e ndara të liderëve të Francës, Gjermanisë, Italisë si dhe të tjerë zyrtarëve të BE-së me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Michel shkruan se kthimi në normalitet i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësore.

“Me Josep Borrell dhe kolegët e BE-së takuam kryeministrin Albin Kurti dhe më pas presidentin Aleksandër Vuçiç. . De-përshkallëzimi dhe kthimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor.-shkruan Michael.

Ora 18:10
Borrell paralajmëron një tjetër takim të mundshëm të liderëve evropianë me Kurtin e Vuçiçin

1696259968_borrel.jpg

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, paralajmëroi mundësinë e takimeve të reja të udhëheqësve evropianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ato shihen si përpjekje për të ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pas sulmit të armatosur në Banjskë.

"Puna është në vazhdim e sipër. Ndoshta duhet të largohemi nga samiti i BE-së dhe të ulemi sërish me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe të shohim nëse mund të gjejmë ndonjë zgjidhje përmes dialogut. Nuk ka zgjidhje tjetër. Rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalon përmes këtij dialogu", u tha Borrell gazetarëve.

Më herët, Kurti dhe Vuçiç u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së.

Ora 17:00
Meloni pas takimeve me Kurtin e Vuçiçin: U kemi kërkuar zbatimin e marrëveshjeve, të shohim si do të shkojë

1698332979_rama.JPG

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic, Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në një deklaratë për mediet ka thënë se Franca dhe Gjermania po mundohen që të bëjnë hapa përpara sa i përket dialogut. Sipas saj sot iu kanë kërkuar edhe Kurtit dhe Vuçiçit që të ndërmarrin hapa lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë viteve të kaluara të gjatë muajve të kaluar.

“Pak më parë ne ishim të angazhuar në një tjetër le të themi një skenar tjetër kritik që është se mes Serbisë dhe Kosovës. Po mundohemi të gjejmë një zgjidhje në bazë të qartë të punës Itali, Francë, Gjermani nga Bashkimi Evropia. Po përpiqemi të bëjmë hapa përpara dhe u kemi kërkuar të dy liderëve të ndërmarrin hapa përpara në lidhje me zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të hartuara së bashku në vitet e kaluara në muajt e kaluar, do të shohim se si do të shkojë gjatë ditës, shpresojmë të bëjmë disa hapa përpara”, ka thënë Meloni.

Ora 15:52
Përfundon takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, nuk japin asnjë deklaratë para gazetarëve! Takim tjetër i mundshëm mes dy liderëve?! Burimet e BE-së: Asgjë nuk përjashtohet

1698328313_kurti.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përfunduan takimet e parapara me udhëheqësit evropianë, në margjina të një samiti të BE-së në Bruksel, por nuk ka ende informacione për rrjedhën e tyre.

Kurti dhe Vuçiç nuk dhanë asnjë deklaratë para gazetarëve. Në lidhje me mundësinë e ndonjë takimi tjetër gjatë ditës, burime të BE-së thanë se "asgjë nuk përjashtohet".

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më herët se takimet janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.

Kurti dhe Vuçiç u pritën veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Në takime ishte i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Ora 14:28
Albin Kurti nis takimet me liderët evropianë në Bruksel për Asociacionin dhe zbatimin e marrëveshjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nisi takimet me udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të BE-së në Bruksel. Takime të tilla pritet të zhvillojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, ato janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.

“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.

Kurti dhe Vuçiç do të priten veç e veç nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Në takime do të jetë i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Ora 14:17
Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, reagon Lajçak: Nuk negociojmë në mënyrën 'merre ose lëre'

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosov-Serbi, Miroslav Lajçak para fillimit të takimeve ka folur ekskluzivisht për Kanal10 dhe gazetarin Kushtrim Sadiku duke thënë se nuk negociojnë në mënyren “merre ose lëre”.

Ai foli rreth pritshmërive të tij lidhur me takimin e sotëm në Bruksel duke thënë se Lajçak tha se ka pritje të larta.

“Kam pritje të larta, të vazhdojmë përpara”, tha Lajçak, raporton Gazeta10.

Ai gjithashtu shtoi se ata presin edhe implementimin e marrëveshjes. 

“Ne nuk negociojmë në mënyrën ‘Merre ose lëre’, kjo duhet të jetë pajtim mes dy palëve në të cilën jemi duke iu ndihmuar”, tha Lajçak./Kklankosova

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbëri: 26/10/2023 10:23

    Mellonin e riporoi më disa miliona € ky tradhtari shqipfolës Edvin Vucici… por kot se koti

    Përgjigju
    • asolingo: 27/10/2023 05:05

      Edvin "Vucici"kerkoi lirimin e pjestareve te UÇK ne parlamentin europian dhe jo Albini(i cili i çoi ne Hage nepermjet gjykates speciale).

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë