Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkoi Shteteve të Bashkuara të rrisë ndihmën, për ato që i cilësoi si plane luftarake të Serbisë.

Ai falënderoi Uashingtonin për mbështetjen e ofruar ndaj Kosovës pas sulmit ndaj Policisë në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Kurti në një bisedë me këshilltarin për siguri kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se "e sigurova atë për vazhdimin e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe KFOR-it".

"Zotimi ynë për të mbrojtur të gjithë qytetarët mbetet i palëkundur", shkroi Kurti në X, që më herët njihej si Tëitter.

SHBA-ja ka dënuar fuqishëm sulmin ndaj Policisë së Kosovës, që Prishtina e cilëson terrorist.

Shtëpia e Bardhë më 29 shtator i bëri thirrje Serbisë të tërheqë trupat ushtarake të dislokuara përgjat kufirit me Kosovën, duke e cilësuar si zhvillim "shumë destabilizues".

Kosova ka thënë se mbi 80 sulmues të maskuar dhe armatosur kanë sulmuar Policinë në Banjskë më 24 shtator.

Gjatë përleshjeve të grupit të armatosur me Policinë në manastirin e Banjskës, kanë mbetur të vrarë edhe tre sulmues.

Më 29 shtator, Millan Radoiçiq, që tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – përmes avokatit të tij e pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

Më herët, autoritetet në Kosovë kanë publikuar dëshmi, sikurse një video të incizuar me dron, ku shihej Radoiçiqi i armatosur dhe i veshur me uniformë në Banjskë./REL

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:25
Sulmi në Banjskë, Kurti: Zotimi i njëanshëm i Thaçit s’e lejon FSK-në në veri, por kufiri duhet të ruhet

1696011545_albinkurti.png

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se kufiri në veri të vendit ka vakum që duhet të mbushet, pavarësisht zotimit të njëanshëm të pararendësit të tij ndaj NATO-s për moslejimin e zhvendosjet se Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në këtë pjesë të vendit.

Kurti i bëri këto komente gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të shtunën, pothuajse një javë pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga persona të armatosur në Basnjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.

“Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet. Ky vakum që është atje duhet të mbushet, dhe për këtë jemi duke shtuar bashkëpunimin me partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë, e ata praninë e NATO-s, KFOR-it atje. Për këtë akt të agresionit ndaj republikës sonë, Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht sepse sa herë që ajo nuk është ndëshkuar për krimet e saj, ajo i ka përsëritur ato dhe kjo nuk duhet lejuar”, tha Kurti.

Për dallim prej Policisë së Kosovës, shkuarjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, e kufizon një marrëveshje mes Kosovës dhe NATO-s.

FSK-ja nuk mund të shkojë apo të vendoset në veri bazuar në një letër-shkëmbim të vitit 2013, në mes të kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe shefit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Në këtë letër-shkëmbim, Thaçi i ka garantuar NATO-s se FSK-ja do të ndërmarrë misione në veri të Kosovës vetëm në bashkëveprim me KFOR-in.

Shefi aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg, ua ka bërë të qartë disa herë institucioneve të Kosovës se kjo marrëveshje është ende në fuqi.