Kurti: Kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shteti ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian për heqjen e masave kufizuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës.

Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.

Kurti tha se javën e kaluar BE-ja miratoi Planin e Rritjes ekonomike në vlerë prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor, i cili një ndër synimet ka edhe përshpejtimin e anëtarësimit të rajonit në bllok.

“Masat, që janë në fuqi ndaj Kosovës, bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe në Planin e Rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave me BE-në. Në këtë kontekst, kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit ministror për integrim evropian më 2 maj.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.

Në fund të prillit, disa burime diplomatike në BE i thanë Radios Evropa e Lirë se shumica e shteteve dërguese të bllokut janë në favor të heqjes të të gjitha masave ndaj Kosovës, ndërsa një numër më i vogël i shteteve do që heqja e tyre të bëhet në mënyrë graduale.

Kundër heqjes së masave, sipas këtyre burimeve, nuk është shprehur asnjë vend anëtar i BE-së.

Gjatë mbledhjes së Këshillit ministror, Kurti foli edhe për aspiratat e Kosovës që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

Ai tha se Prishtina është e gatshme që të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim në bllok.

“Besojmë që anëtarësimi në BE duhet të jetë i bazuar në meritokraci. Si demokracia më e avancuar në rajon ne jemi të gatshëm t’iu përgjigjemi mijëra pyetjeve teknike që vijnë nga Komisioni Evropian. Krahasuar me rajonin, Kosova është jo vetëm e gatshme për statusin kandidat, por edhe për të hapur negociatat dhe kapitujt e shumtë drejtë anëtarësimit. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është zgjedhje strategjike. Ne kemi bërë zgjedhje, andaj Agjenda e Reformave Evropiane në Qeverinë tonë, që nga fillimi i mandatit, është trajtuar me shumë seriozitet”, ka deklaruar Kurti.

Më 15 dhjetor 2022, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllok. REL

Xh.K/E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Berisha zbarkon te ‘Sheshi Uillson’, bën ‘qepalla’ dhe përqafime me Gazment Bardhin e Tedi Blushin! Protesta drejt mbylljes

Berisha zbarkon te ‘Sheshi Uillson’, bën ‘qepalla’ dhe përqafime me Gazment Bardhin e Tedi Blushin! Protesta drejt mbylljes