Kurti: Marrëveshja saboton
shtetin e Kosovës

Kurti: Marrëveshja saboton <br />shtetin e Kosovës
As një nga të 15 pikat e marrëveshje të nënshkruar në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është e mirë për Kosovën. Të gjitha këto pika e sabotojnë shtet ndërtimin e Kosovës.
Kështu ka thënë lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti në një konferencë për media. Madje sipas Lëvizjes Vetëvendosje, kjo është marrëveshje personale mes kryeministrit Thaçi dhe Daçiq, dhe jo marrëveshje e Kosovës.

“Kjo marrëveshje e ndryshon Planin Ahtisarit, më të cilin serbët kanë qenë të pa kënaqur. Pra, kjo marrëveshje legalizon strukturat e Serbisë në Kosovë. Më këtë marrëveshje personale të Thaçit, sabotohet shteti i Kosovës. As një pikë nga ky pajtim nuk është e mirë për Kosovën”, tha Kurti.

Shpend Ahmeti nga VV-ja tha se, marrëveshja është personale mes Thaçit e Daçiqit dhe se nuk ka të bëjë asgjë me Kosovën.

“Vetëvendosje është i vetmi subjekte në Kosovë që nuk ka shprehë iluzione për këtë pajtim. Ky pajtim i Thaçit saboton shqiptarët veriut të Mitrovicës dhe ata të Luginës së Preshevës”, tha Ahmeti.

Më poshtë mund të shihini tekstin e marrëveshjes dhe komentet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për secilën nga pikat

1. Do të ketë një Asociacioni/Bashkësi me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësia do të jetë e hapur për secilën komunë tjetër nëse anëtaret aktuale pajtohen.

Koment: ‘Shumica’ bëhet kategori e vlefshme vetëm si e shoqëruar me fjalën ‘serb’. Themelohet Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe si dhe e drejta e vetos së saj për zgjerim.

2. Bashkësia/Asociacioni do të krijohet me statut. Shpërbërja e saj do të ndodhë vetëm me një vendim të komunave pjesëmarrëse. Garancionet ligjore do të jepen me ligjin e aplikueshëm dhe ligjin kushtetues (duke përfshirë shumicën prej 2/3).

Koment: Instalohet e drejta e vetos e Asociacionit/Bashkësisë për shpërbërje. Presidenti mund ta shpërbëjë Kuvendin por jo edhe këtë Asociacion/Bashkësi. Njësoj, Kryeministri e shpërbën Qeverinë përmes dorëheqjes së tij, por jo edhe këtë Asociacion/Bashkësi. Dhe, nuk thuhet qartë se cilit ligj e cilës kushtetutë i referohet kjo pikë.

3. Strukturat e Asociacionit/Bashkësisë do të ndërtohet mbi bazën që e parasheh statuti aktual i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si Presidenti, zv/Presidenti, Kuvendi dhe Këshilli.

Koment: Këto janë organe të larta të autonomisë që tash e quajnë Asociacion/Bashkësi. Po krijohet Asociacion/Bashkësi paralele, pra strukturë paralele në nivel shtetëror.

4. Në përputhje me kompetencat e dhëna nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje dhe ligji kosovar komunat pjesëmarrëse duhet të jenë në gjendje të bashkëpunojnë për të zbatuar fuqitë e tyre kolektivisht përmes Asociacionit/Bashkësisë. Asociacioni/Bashkësia do të ketë mbikëqyrje për zhvillimin ekonomik, arsim, shëndetësi dhe planifikim urban e rural.

Koment: Këto fusha kaq të shumta përbëjnë shtrirjen e pushtetit të autonomisë serbe që quhet Asociacion/Bashkësi. Fjalia e parë konsiston praktikisht në delegimin e pushtetit nga komunat te Asociacioni/Bashkësia. Kjo e vështirëson edhe më tej, deri në pengim të pakapërcyeshëm, kthimin e shqiptarëve të dëbuar nga veriu, rindërtimin e ndërtimin e shtëpive të tyre dhe të drejtat e tyre pronësore.

5. Asociacioni/Bashkësia do të ketë të tjera kompetenca që mund t'i delegohen nga pushteti qendror.

Koment: Krijon mundësi për rritje kompetencash për Asociacionin/Bashkësinë, por jo edhe për zvogëlim të tyre.

6. Bashkësia/Asociacioni duhet të ketë një përfaqësues në autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim të ketë një ulëse në këshillin konsultativ për komunitete. Në ndjekje të këtij roli parashikohet një funksion monitorues.

Koment: Nuk sqarohet se çfarë përfaqësimi dhe ku. Sidoqoftë, Asociacioni/Bashkësia duke pasur përfaqësinë e vet kundrejt autoriteteve qendrore e shkatërron integritetin institucional të Kosovës. Përfaqësuesi i këtillë bëhet figura dhe personifikimi i vetos.

7. Duhet të ketë një forcë policore të quajtur Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës duhet të integrohen në strukturën e Policisë së Kosovës. Pagat do t’i marrin vetëm nga Policia e Kosovës.

Koment: Aspekt formal i cili në pikat 8 dhe 9 tregon që përmbajtësisht do të jetë ndryshe. Po ashtu, luftimi e arrestimi i strukturave ilegale, kriminale e armiqësore të Serbisë, por edhe shpërbërja ose largimi i atyre strukturave, zëvendësohet me integrimin e tyre.

8. Pjesëtarët e strukturave tjera të sigurisë serbe do t’iu ofrohet një vend i njëjtë në strukturat kosovare.

Koment: Kjo pikë është në vete dhe nuk u përfshi te pika 7. Pjesëtarët e strukturave të sigurisë serbe janë BIA, VBA, të ashtuquajturat Mbrojtje Civile e Rojet e Urës etj. Kjo pikë thotë se ato integrohen jo vetëm në Polici të Kosovës por edhe në AKI, G2 të FSK-së etj. Pika 8 shënon amnisti për strukturat kriminale, rehabilitim i plotë i Serbisë, dhe legjitimim e forcim i saj përbrenda shtetit të Kosovës që ajo nuk e njeh.

9. Do të ketë një Komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç). Komandanti i këtij rajoni duhet të jetë serb shtetas i Kosovës i nominuar nga Ministria e Brendshme nga një listë e dhënë nga 4 kryetarët e këtyre komunave në emër të Asociacionit. Përbërja e Policisë së Kosovës në veri do të reflektojë përbërjen etnike të popullsisë së katër komunave. (Do të jetë një tjetër Komandant Regjional për komunat e Mitrovicës Jugore, Skenderajt dhe Vushtrrisë). Komandanti regjional I katër komunave veriore do të bashkëpunojë me komandantët e tjerë regjionalë.

Koment:Veriu fiton forcën e vet policore si regjion i veçantë. Komandanti thuhet të jetë serb, e jo i zgjedhur nga serbët apo organet e tyre. Përderisa në Graçanicë shumica dërrmuese e policëve janë serbë, ky nuk do të jetë rasti me shqiptarët për shembull në Çabër apo Mëhallën e Boshnjakëve. Madje, Thaçi po merret vesh me Daçiqin edhe për Mitrovicën e jugut, Skënderajn dhe Vushtrrinë.

10. Sistemi i drejtësisë do të integrohet në kornizën ligjore të Kosovës dhe do të operoj brenda kësaj kornize. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të formoj një panel të përbërë nga shumica e gjyqtarëve serbë të Kosovës për t’u marrë me të gjitha komunat që kanë shumicë serbe.

Koment: Ndarje e gjyqësisë mbi baza etnike dhe themelim i gjykatës së autonomisë së serbëve, që quhet Asociacion/Bashkësi e komunave me shumicë serbe. Homogjenizim dhe autonomi gjyqësore e të gjithë serbëve në Kosovë sipas kërkesës së Beogradit.

11. Një njësit i Gjykatës së Apelit, i përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqtarët do të jenë të vendosur në Mitrovicën veriore (Gjykata e Qarkut e Mitrovicë). Secili panel i divizionit të lartshënuar, do të jetë i përbërë me një shumicë të gjyqtarëve serbë të Kosovës. Gjykatësit përkatës, do të vendosen varësisht nga natyra e rastit në të cilin janë përfshirë.

Koment: Veriu i Mitrovicës po bëhet si Banja Lluka. Rastet përcaktojnë gjykatësit e përshtatshëm - ky është arbitraritet i jashtëzakonshëm.

12. Zgjedhjet komunale do të organizohen në komunat veriore në vitin 2013, me lehtësimin e OSBE-së në përputhje me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.

Koment: Nuk i referohet Kushtetutës së Kosovës. Përfshirja e OSBE-së në organizimin e zgjedhjeve paraqet shkelje të Kushtetutës, aq më tepër që kjo bëhet në marrëveshje me Serbinë.

13. Diskutimet për Energji dhe Telekomin do të intensifikohen dhe përfundohen para 15 qershorit.

Koment: Vazhdon dialogu, gjithnjë për çështje të brendshme të Kosovës, ndërkohë që Serbia s’na njeh edhe përkundër koncesioneve të bëra nga Kosova.

14. Janë pajtuar që asnjëra palë nuk do të bllokojë ose inkurajojë të tjerët të bllokojnë palën tjetër në rrugën përkatëse drejt BE-së.

Koment: Serbia mund të angazhohet kundër anëtarësimit të Kosovës në çdo forum ndërkombëtar përveç në BE, ku edhe ashtu jemi tepër larg, e madje as Serbia s’na bën dot gjë edhe për shumë vite. Në fakt, kjo është më shumë që Kosova të mos e pengojë Serbinë.

15. Një komision i zbatimit do të themelohet nga të dyja palët, me lehtësimin e BE-së.

Koment: Trashet varësia Kosovë-Serbi (të cilën BE-ja e Serbia e quajnë Beograd-Prishtinë) dhe institucionalizohet ajo. Ndërkohë, Serbia nuk e ndryshon Kushtetutën e saj ku shkruan që Kosova është pjesë integrale e Serbisë.

Marrë nga Indeksionline

(v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës