Kurti pas Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë: I kërkova Brnabiç të firmosë marrëveshjet! Serbia na kërcënon ende me pushtim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë me dije se sot i ka thënë kryeministres serbe, Ana Brnabiç që të nënshkruajnë marrëveshjen bazike dhe aneksin e Ohrit. Këto komente kreu i qeverisë së Kosovës i ka bërë në konferencën për medie pas Samitit të Berlinit në Tiranë.

“Presidenti i Serbisë është i zënë në Kinë. Le ta nënshkruajmë marrëveshjen me kryeministren e Serbisë, marrëveshjen bazike të Brukselit dhe aneksin e zbatimit, por nuk ishte i interesuar”

Një koment ai e kishte edhe për debatin mbi deklaratat e Kryeministrit Rama për veriun e Kosovës.

 “Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës dhe ne kemi nevojë për më shumë siguri”- tha Kurti.

Në takimin me dyer të mbyllura në samitin e Procesit të Berlini në Tiranë, kryeministri i Kosovës u shpreh para liderëve evropianë e ballkanikë se 25 vjet pas fushatës gjenocidale, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia.

Në fjalimin e zbardhur nga Qeveria e Kosovës, Kurti tha se sulmi terrorist kundër Kosovës më 24 shtator ishte një akt i ligë i sponsorizuar nga Serbia.

“Në një sulm terrorist kundër Kosovës më 24 shtator, një nga zyrtarët tanë policorë u vra, por autorët akoma enden të lirë në Serbi edhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre. Ky ishte një akt i ligë sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim të sofistikuar dhe municione të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak. Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë”, tha Kurti.

“Edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, shtoi ai.

Kurti tha se “qytetarët në Ballkanin Perëndimor sot nuk duhet të jetojnë nën frikën e një konflikti nesër, por të punojnë për një të ardhme së bashku”. Ai foli më tej për përgjegjësinë e liderëve “për të ndërtuar atë të ardhme të përbashkët”.

“Dhe si udhëheqës, ne duhet të përfshihemi në atë proces me mirëbesim. Kërkohet një angazhim me mirëbesim për të garantuar efektivitetin afatgjatë të marrëveshjeve tona dhe respektimin e të gjitha palëve të investuara në proces”, tha Kurti.

Ai tha se vitin e kaluar u nënshkruan tri marrëveshje, ndërsa shtoi se progresi “mund të ishte edhe më i shpejtë”.

“Fatkeqësisht, mospërfillja e një marrëveshjeje kyçe për lirinë e lëvizjes nga ana e Bosnjës dhe Hercegovinës do të thotë se vazhdon kushti për viza ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës”, tha Kurti.

Kurti tha se e mirëpret marrëveshjen e re për profesionet e reja për infermierët, kirurgët veterinarë, mamitë dhe farmacistët, dhe “marrëveshjet e ardhshme që zgjerojnë edhe më tej gamën e profesioneve të përfshira”.

“Ne mbështesim “Planin me katër hapa” të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor nga Presidentja e Komisionit Evropian. BE-ja mund të reformohet dhe të zgjerohet. Unë gjithashtu besoj se përfitimet e Tregut Unik të BE-së duhet të lidhen me reformat ekonomike dhe demokratike. Nuk duhet të ketë përfitime të BE-së dhe as fonde të BE-së, pa vlerat të BE-së”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha se janë të vetëdijshëm “për hendekun thelbësor të standardeve të jetesës me BE-në, i cili do të kërkojë kohë për t’u mbyllur”.

“Së bashku, ne duhet të vazhdojmë të punojmë drejt rritjes së qëndrueshme për rajonin tonë. Kosova, një demokraci e gjallë, është e përgatitur të përballet me sfida të reja dhe të përqafojë një të ardhme më të ndritshme. Në këtë drejtim, ne jemi të kënaqur që kemi krijuar Observatorin e Konvergjencës”, tha Kurti.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:34
Kurti flet pas Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë: Brnabiç s’ishte e interesuar të nënshkruante marrëveshjen bazike me ne

 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka bërë një deklaratë për mediat pas samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt në Tiranë. Kurti tha se kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç nuk ishte e interesuar që të firmoste marrëveshjen bazike me Kosovën dhe aneksin e zbatimit.

‘Shpresojmë mos të ketë episod të katërt nga sulmet e Serbisë. Duhet të ketë sanksione ndaj Serbisë. Është ditë e mirë pasi Procesi i Berlinit e bën Ballkanin Europian.  Presidenti i Serbisë është i zënë në Kinë. Le ta nënshkruajmë marrëveshjen me kryeministren e Serbisë, marrëveshjen bazike të Brukselti dhe aneksin e zbatimit, por nuk ishte i interesuar. Scholz i jam falënderuar dhe Gjermania është partneri ynë i rëndësishëm.’- tha Kurti.

Kurti u shpreh se Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës.

“Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës dhe ne kemi nevojë për më shumë siguri. Pra trupat e NATO-s të jenë në patrullim me Policinë e Kosovës. Policia është dhe në veri të Ibrit. KFOR Nuk është institucion i zbatimit, por Policia e Kosovës.  I falënderoj ata që ishin konstruktiv dhe na mbështesin.”, tha Kurti.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur