Mospjesëmarrja e Kryeministrit Albin Kurti në takimin e Tiranës, në kuadër të procesit të Berlinit, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Politikanë dhe analistë vendas e vlerësojnë këtë vendim në dëm të Kosovës.

Në një intervistë për Report TV për emisionin “Sot Shqipëria Live” deputeti i PDK-së Xhavit Haliti shprehet kritik ndaj refuzimit të Albin Kurtit të ftesës për të qenë i pranishëm në takimin informal të liderëve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Tiranë.

"Kosova e ka humbur shansin për të biseduar për interesat e saj dhe përgatitur rajonin për të mbështetur në projektin e saj për zhvillim. Nuk e konsideroj të arsyeshme që kryeministri i Kosovës të sillet si kalama sepse ai ka marrë detyrën për të udhëhequr Kosovën dhe është i pari zyrtar në Kosovë që duhet të hedhë firmën për zhvillimin e saj" tha Xhavit Haliti.

Takimin e sotëm informal që po mbahet në Tiranë e quan ngjarje të rëndësishme dhe parapërgatitje për procesin e Berlinit

“Parapërgatitja për të nisur zbatimin e procesit të Berlinit do të thotë parapërgatitja për shpenzimin e fondeve të BE-së, rrugë, autostrada.Fatkeqësisht po ndodh pa asnjë arsye, sepse marrëdhëniet Kosovë- Shqipëri duhet të jenë të hapura dhe të diskutojnë për çdo gjë që kanë të bëjnë me dy vendet tona dhe duhet ti gjendemi njëri tjetrit në këtë situatë".