Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me dy anëtarë të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, si dhe me kryeministrin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës, të premten.
Gjatë vizitës në Sarajevë, ai zhvilloi takime të ndara në Presidencën e Bosnjës me anëtarin kroat, Zhelko Komshiç dhe atë boshnjak, Denis Beqiroviç.
“Falënderoj kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për vendimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Bosnje e Hercegovinës. Vlerësojmë një hap të tillë të jashtëzakonshëm të njëanshëm dhe, për këtë arsye, të pazakontë. Ky veprim sigurisht do të kontribuojë në lidhjen më të mirë të qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës, si dhe në rritjen e shkëmbimeve të ndërsjella tregtare”, shkroi Komshiq në Facebook pas takimit me Kurtin.
Ndërkohë, Kurti theksoi se vendimi i Qeverisës së tij për t’i lejuar qytetarët e Bosnjës të udhëtojnë për në Kosovë me letërnjoftime do të kontribuojë shumë në rritjen e bashkëpunimit dhe miqësisë ndërmjet dy vendeve.
Zyra e Kurtit tha në një njoftim se kryeministri kosovar gjithashtu e theksoi rëndësinë që edhe Bosnje e Hercegovina ta ratifikojë marrëveshjen e mobilitetit për lëvizje të lirë e dalë nga Procesi i Berlinit “në mënyrë që përfitimet nga lëvizja e lirë të jenë të dyanshme”.
Ndërkohë, zyra e kryeministrit të Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Nermin Nikshiq, tha se në qendër të takimit mes Nikshiqit dhe Kurtit ishte përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.
“Bashkëbiseduesit vlerësuan se ekziston nevoja e ndërsjellë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, veçanërisht duke marrë parasysh afërsinë e tregjeve në rajon dhe interesin ekzistues të kompanive, dhe shprehën përkushtimin e plotë për përmirësimin e këtij bashkëpunimi”, thuhet në njoftim.
Kurti nisi vizitën në Sarajevë më 5 dhjetor dhe gjatë qëndrimit në Bosnje do të mbajë edhe një fjalim në një konferencë për raportet rajonale që organizohet nga “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.
Bosnje e Hercegovina dhe Kosova nuk e kanë njohur njëra-tjetrën për shkak të kundërshtimit të Republikës Sërpska, në krye të së cilës është Millorad Dodik, i cili ka orientim prorus dhe është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Vizita e Kurtit në Sarajevë është kundërshtuar nga kreu i entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili ka thënë se qëndrimi i kryeministrit kosovar në Bosnje, do ta ndërlikojë situatën në këtë shtet.
“Bosnje e Hercegovina nuk e ka njohur Kosovën. Ne nuk do të lejojmë që shqiptarët nga ai rajon të hyjnë me letërnjoftim”, tha Dodik , sipas raportimit të Srnas.
Për shkak të vizitës së Kurtit në Sarajevë, më 5 dhjetor ministrat nga Republika Sërspak thanë se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës.
Kryeministri kosovar nuk zhvilloi takim me anëtaren serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, kryesuesen Zhelka Cvijanoviq.
Komshiq tha se kritikat e pretenduara lidhur me vizitën e Kurtit dhe takimet që ai ka në Bosnjë dhe Hercegovinë, të cilat vijnë nga entiteti i Republikës Sërpska (RS), si dhe nga rajoni, “më kujtojnë se RS-ja nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe se RS-ja nuk ka kompetenca për lëshimin e vizave për hyrjen në Bosnjë dhe Hercegovinë”.
Ai shtoi se kritikat që vijnë nga vendet e rajonit i konsiderojmë si një provë tjetër të qartë të përpjekjeve për të mohuar sovranitetin e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe si presion ndaj organeve dhe institucioneve sovrane të vendit tonë në udhëheqjen e politikës së jashtme.
“Po ashtu, anëtarët e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës sigurisht nuk do të pyesin as [udhëheqësin e serbëve në Bosnje, Millorad] Dodikun, as këdo tjetër, se me kë do të takohemi dhe për çfarë do të diskutojmë”.
Ndërkaq, Beqiroviq tha se me kryeministrin kosovar u pajtua se të gjithë në Ballkanin Perëndimor duhet të punojnë për forcimin e bashkëpunimit rajonal, paqes, stabilitetit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Sipas një njoftimit të publikuar në rrjetet sociale, Beqiroviq tha se disa politikanë nga entiteti i Republikës Sërpska duhet të ndalojnë “propagandën e stilit të Joseph Goebbelsit” – që ishte ministër i Propagandës në Gjermaninë Naziste – sa i përket ndërveprimit me Kosovën.
“Sot nuk diskutohet për njohjen e Kosovës, sepse të gjithëve u është bërë e qartë se për një vendim të tillë nevojitet konsensus në Presidencën e Bosnjës dhe Hercegovinës. Njerëzit e përgjegjshëm gjithmonë duhet të këmbëngulin në respektimin e parimeve të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, por edhe në biseda konstruktive për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Procesin e Berlinit. Askush nuk do të lejohet të mendojë se mund të disiplinojë udhëheqësit e shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të përcaktojë me kë, ku dhe kur mund të bisedojnë. Kjo është diçka që duhet ta harrojnë përgjithmonë,”, tha Beqiroviq.
Në takim, Beqiroviq po ashtu tha se është vlerësuar si i rëndësishëm vendimi i Kosovës për lëvizjen me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës drejt Kosovës. Ai tha se është e rëndësishme që të gjitha shtetet të përmbushin obligimet e tyre që dalin nga Procesi i Berlinit.
Kurti kishte deklaruar në mes të tetorit, gjatë samitit të Procesit të Berlinit, se Kosova nga 1 janari 2025 do t’i lejojë qytetarët e Bosnje e Hercegovinës të hyjnë me letërnjoftim.
Marrëveshja që do të hiqte regjimin e vizave midis Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës dhe do t’u mundësonte qytetarëve të këtyre dy vendeve të udhëtojnë pa viza, ende nuk është ratifikuar në Parlamentin e Bosnje e Hercegovinës.
Ajo po bllokohet nga përfaqësuesit e Republikës Sërpska, të udhëhequr nga Lidhja e Socialdemokratëve të Pavarur e Millorad Dodikut.
Beqiroviq po ashtu e falënderoi Kosovën për solidaritetin dhe mbështetjen në promovimin e të vërtetës dhe drejtësisë për gjenocidin ndaj boshnjakëve.
Kuvendi i Kosovës më 7 korrik 2021 ka miratuar një rezolutë që dënon gjenocidin e kryer në Srebrenicë në korrik 1995. Rezoluta ndalon mohimin e gjenocidit dhe kërkon shënimin e 11 korrikut si Ditën e Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë.
Gjatë vizitës në Bosnje, përveç takimit me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Kurti ka bërë homazhe pranë Memorialit të fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës, për të nderuar 1.601 fëmijët e vrarë gjatë rrethimit të këtij qyteti nga forcat serbe në vitet 1992-1996./ REL