PRISHTINË, 21 Nëntor/ATSH/.- Kritikat për marrëveshjen mes LDK-së dhe PDK-së, nuk po ndalen nga ish-partnerët e Isa Mustafës.
Sipas KosovaPress, Albin Kurti i Vetëvendosjes e ka cilësuar koalicion për fshehje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, në çdo deklaratë që po jep për mediat.
Këtë e ka bërë edhe sot gjatë një takimi me qytetarët e Malishevës, me të cilët diskutoi mbi situatën politike nëpër të cilën po kalon Kosova sot.
Në njoftimin që ka ardhur nga VV për këtë ngjarje, tregohet për interesimin që kanë pasur qytetarët e Malishevës, ku njëra ndër pyetjet ka qenë edhe prishja e Bllokut.
"Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i është nënshtruar PDK-së, përkatësisht Thaçit. Konsultimet që ka zhvilluar me strukturat kanë qenë sa për t'i hedhur hi syve të anëtarësisë së LDK-së, se po konsultohet edhe me të tjerët, për vendimin e mbrapshtë që e kishte marrë tashmë. Nuk bëhet fjalë këtu për demokraci të brendshme, por për keqpërdorim të anëtarësisë dhe strukturave për t'i legjitimuar interesat e tij personale", u shpreh Kurti.
Në këtë tubim me qytetarët u diskutua ndër të tjera edhe për deputetët e Kuvendit, të cilët sipas tyre qëndruan përballë presioneve dhe shantazheve të PDK-së, e të cilët as nuk u frikësuan e as nuk u shitën.
Në këtë njoftim, thuhet se qytetarët e Malishevës u shprehën thellësisht të zhgënjyer me marrëveshjen mes LDK-së dhe PDK-së, duke theksuar se një koalicioni i tillë është koalicion i cili jo vetëm që nuk do ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, por do ta mirëmbajë e do ta shtojë atë.
"Me PDK-LDK bashkë, nuk ka gjasa të luftohet as krimi i organizuar i ShIK-ut, as korrupsioni i pushtetarëve, as ndërhyrjet dhe obstruksionet e Serbisë, as varfëria dhe papunësia, dhe njëkohësisht nuk mund të ngjallen shpresat e qytetarëve për ardhmëri më të mirë në kuadër të mandatit të ardhshëm", u tha në këtë tubim./m.m/









