Policia e Durrësit ka arrestuar 37-vjeçarin Xhulio Golgota, Inspektor i Autoritetit Portual Durrës, i cili ishte shpallur në kërkim.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se Gjykata e Durrësit i kishte caktuar Xhulio Golgotas masën e sigurisë ‘arrest me burg’, lidhur me mbetjet e rrezikshme të Kurum, për të cilat u lëshuan 33 urdhër-arreste.

Nga 33 urdhër-arreste të lëshuara, Policia arriti fillimisht të ekzekutonte vetëm 20 prej tyre. Më pas Gjykata la në qeli vetëm 8 persona, ndërsa ndaj të tjerëve vendosi masat e sigurisë 'arrest shtëpie' dhe 'detyrim paraqitje'.

Njoftimi i Policisë:

Vijon operacioni koduar “Eko-Toxic”, kapet njëri nga shtetasit e shpallur në kërkim.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare kapën dhe ndaluan Xh. G., 37 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin e datës 03.02.2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.