PRISHTINË - Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, i ka thënë Kolonelit të KFOR-it turk dhe Komandantit Rajonal për Jugun Omer Faruk Demircioglu, se ky vit ka qenë i vështirë për komunën që udhëheq ajo.
Sipas KosovaPress, në të njëjtën kohë ajo informoi për zhvillimet gjatë këtij viti qeverisës në Komunën e Gjakovës.
Përveç vështirësive për këtë vit, Kusari - Lila, ka thënë se në komunën që udhëheq ajo ka pasur edhe shumë zhvillime pozitive si në tërheqjen e fondeve nga donatorët e huaj ashtu edhe në zbritjen e borxhit të trashëguar.
"Shumë projekte tashmë kanë filluar ose pritet të fillojnë në kuadër të iniciativave të ndryshme që janë marrë në këtë komunë", citohet të ketë thënë Kusari - Lila.
Në njoftimin e kësaj komune, thuhet se gjatë takimit, u diskutua edhe për zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në komunën e Gjakovës, konkretisht për rrënimin e objekteve në rrugën Mbretëresha Teuta.
Në njoftim, thuhet se Kusari - Lila, ka qartësuar edhe njëherë që procedura ka qenë sipas ligjit, ku janë informuar paraprakisht Ministria për Komunitete dhe Kthim, dhe vendimi është marrë pas konfirmimit se objektet paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve, për trafikun dhe objektet fqinje.
"Rrënimi nuk ka qenë aspak vendim për të ngjallur reagime të ndryshme politike ose etnike, dhe pikërisht për këtë gjë është shtyrë edhe data e rrënimit që ishte planifikuar për më herët", thuhet në njoftimin e kësaj komune./ATSH/











