Kush dashuron, nuk bën luftë! Mesazhi në pikturën e Tiziano-s që në 1550-n

Kush dashuron, nuk bën luftë! Mesazhi në pikturën e Tiziano-s që në 1550-n

Një libër, një ekspozitë arti, një shëtitje në natyrë mund të jenë të gjitha të mbushura me shenja të papritura që na bëjnë të kuptojmë më shumë. Artistët, duke qenë më të ndjeshmit në një shoqëri, që në kohë të kohëve, arrijnë të shohin atë që ne të tjerët e shohim më me vështirësi. Prandaj, pikërisht në ag të njerëzimit, familjet e mëdha që udhëhoqën fatet e civilizimit, të shtetformimeve, ishin përherë të rrethuar nga artistë: I inkurajonin, i paguanin, i strehonin që të jepnin më të mirën e tyre. Poetët, piktorët, muzikantët, shkrimtarët (ata më të talentuarit që marrin përmasa universale), më shumë se të tjerët, sikur janë ndërmjetësit e një bote që ne normalët nuk e njohim dhe nuk e shohim, ndërsa ata e përcjellin përmes veprës së tyre. Piktorët e mrekullueshëm të Rilindjes italiane, Leonardo Da Vinci, Michelangelo, Tiziano, Paolo Veronese etj. janë një burim i pashtershëm simbologjie, bukurie e mesazhesh për njerëzimin. Dante Alighieri, pioneri mes tyre, është përcjellësi i një kodi të çmuar në  të tijën “Komedi Hyjnore”: Nga Ferri i njerëzores, në Parajsën, po të njerëzores, pa pritur botën e përtejme, arrihet vetëm përmes Dashurisë (Beatriçe) dhe Diturisë e maturisë (Virgjili).

Dhe pikërisht Dashuria dhe Dituria janë përmbyllëset e një ekspozite me disa vepra të mrekullueshme të Tiziano Vecellio-s (Venecia 1488-1576) në Pallatin Mbretëror në Milano.

Në sallën e fundit shndrit “La Sapienza”, Dituria, e pikturuar me simbolikën e një gruaje në pozicionin e një shënjtoreje: Dituria njësoj si shënjtërimi, Dituria, një grua, si të ishte një Madonë, si të ishte një engjëll që vjen të përmirësojë jetën e njerëzve, prandaj njerëzit asaj duhet t’i dedikohen e t’i falen.

Përballë pikturës së Diturisë, realizuesit e ekspozitës kanë vendosur “Afërdita, Marsi dhe Dashuria”, një pikturë e Tiziano-s (Ticianos) e realizuar në vitin 1550. Marsi, Perëndia e Luftës, ka lënë mënjanë shpatën dhe helmetën për të puthur Afërditën, duke realizuar kështu atë që njihet si puthja e parë në një pikturë europiane. Tiziano, pas Dantes, na kujton se Dashuria, ndalon Luftën, se kush dashuron, nuk lufton. Dhe është ky mesazh që është kaq aktual në ditët e sotme, pasi njerëzit që nuk dashurojnë, ende luftojnë, edhe pas qindra e qindra vitesh.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare