Partia Tisza, e drejtuar nga kryeministri hungarez Peter Magyar, pritet të vendosë sot se kë do të propozojë për postin e presidentit të Hungarisë. Afati për dorëzimin e kandidaturave skadon të hënën, më 10 gusht, në orën 10:00, ndërsa Parlamenti do të zgjedhë kreun e ri të shtetit të martën, më 11 gusht.
Procesi për zgjedhjen e presidentit të ri nisi pasi në fund të korrikut Tamás Sulyok nënshkroi amendamentin e 17-të të Kushtetutës, duke i dhënë fund mandatit të tij si president.
Menjëherë pas kësaj, Peter Magyar njoftoi se do të priste propozime për emrin e ri që do të merrte detyrën. Një ditë më vonë ai bëri të ditur se do t'i propozonte mjeshtres së madhe të shahut, Judit Polgar, të pranonte kandidaturën.
Mënyra se si u zhvillua procesi u kritikua edhe nga mbështetës të partisë Tisza, të cilët kërkuan më shumë konsultime për përzgjedhjen e kandidatit.
Polgar, e cila ishte propozuar nga 16 personalitete të njohura, mes tyre shkencëtarë, artistë, sportistë dhe figura publike, e refuzoi ofertën. Ajo deklaroi se nuk ndihej mjaftueshëm e përgatitur për të marrë mbi vete përgjegjësinë historike për të "bashkuar një komb të përçarë".
Pas vendimit të saj, Peter Magyar mori përgjegjësinë për mënyrën se si ishte zhvilluar procesi.
"Më vjen keq nëse gabimet në komunikim, të shkaktuara nga entuziazmi im dhe besimi i pakushtëzuar, kanë ndikuar në këtë situatë dhe në vendimin e saj. Për këto gabime mbaj përgjegjësi të plotë", tha ai.
Tre emra në garë
Mes kandidatëve që po përmenden për postin e presidentit janë juristi Peter Barandy, ish-ministër i Drejtësisë në qeverinë e Ferenc Gyurcsany, ish-gjyqtarja Adrien Laco dhe themeluesi e pastori i Hungarian Evangelical Brotherhood, Gabor Ivanyi.
Ndërkohë, vëmendje kanë tërhequr edhe disa takime që Peter Magyar ka zhvilluar ditët e fundit me figura të njohura.
Më 21 korrik ai publikoi një fotografi me Balint Ruff dhe juristin Botond Filip, i njohur në Hungari si "prokurori i fshatit". Dy ditë më vonë u takua me historianin dhe akademikun Ignac Romsics, ndërsa këtë javë zhvilloi një takim edhe me ekspertin e së drejtës dhe ish-presidentin e Gjykatës së Lartë, Andras Baka.
Sipas ligjit hungarez, që një kandidaturë për president të jetë e vlefshme duhet të mbështetet me shkrim nga të paktën 40 deputetë, ose një e pesta e përbërjes së Parlamentit.







Komente
Komento