Kush e drejton Shqipërinë në kohë zgjedhjesh?!

Kush e drejton Shqipërinë në kohë zgjedhjesh?!

Kreu i PD-së Lulzim Basha, kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta

Shqipëria në periudhë zgjedhore është pothuaj e shfazuar sa i përket funksionimit institucional. E gjithë struktura qeverisëse e shtetit hidhet në fushatë. Duket sikur vetëm ambasadat, që luajnë rol të padiskutueshëm tek ne, pushojnë ose më thjeshtë i ndjekin të patrazuara tollovitë tona. Në darkë shkruajnë raportet e zakonshme…

Por, periudha e fushatave është interesante sepse zbulon paq krahët dhe anësitë e individëve por më shumë se kaq e tregon shtetin fare të zdërhallur. E, këtë herë, ka një specifikë shumë interesante, pasi në fushatë përveç kryeministrit të vendit, Edi Rama, nën siglën e PS-së partisë së tij; kryetari i opozitës Basha në detyrën e tij krejtësisht të justifikuar të mëtonjësit të pushtetit; kemi gati të gjithë ministrat dhe sidomos egërsimin e presidentit të vendit. Si asnjëherë tjetër në historinë e shtetit shqiptar. Ilir Meta në një fushatë aspak normale për pozicionin, që e ka nxjerrë atë nga roli i garantimit të barazisë dhe më tepër akoma me një performancë zgjedhore (nuk i takon fare të jetë në fushatë) shumë më të lartë sesa i përket tonaliteteve dhe më të hidhur sa i përket përfoljeve krahazuar me të gjithë kolegët e tjerë paraardhës. Më pak i dukshëm, por edhe ai i angazhuar njësoj është edhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. Duket se të gjitha institucionet e shtetit tonë i dedikohen votimeve. Një pyetje e thjeshtë që i shkon një qytetari të zakonshëm në mend, por që deri në momentin e fundit mendohet për votën e tij, është se: Po cili punon atëherë në këtë vend në orar zyrtar nga zyrtarët e lartë? Përgjigjja zyrtare dihet: Ne kemi struktura dhe ato e dinë ta bëjnë punën sa më mirë. Në fakt, përveç ministrit të Punëve të Brendshme Blendi Çuçi, që e ka deleguar brenda të gjithë të drejtës detyrën e tij, të tjerët janë të angazhuar 24 orë, por pa procedurën e delegimit të mandatit. I gjen kudo dhe me një ngarendje për të plotësuar objektivin e z.Rama, i cili synon një mandat të tretë.

Po pse partitë nuk e gjejnë si duhet fjalën, që të bashkëqeverisin pushtetin në kohë tranzicioni? PD në përpjekjet e pareshtura për t’u futur në sistemin, që e braktisi paradoksalisht, e vendosi si një nga kushtet e saj në tryezën zgjedhore sa i përket krijimit të një qeverie të përbashkët me PS-në, 100 ditë para zgjedhjeve, ku fokusi do të ishte mbarëvajtja e administrimit të zgjedhjeve parlamentare. Kuptohet se theksi ka qenë te pozicioni i Ministrit të Brendshëm, ku në tryezën katërpalëshe të Këshillit Politik është vendosur për një propozim teknik, lidhur me rolin e policisë në zgjedhje. Dhe, në projekt-ligjin për ndryshimin e mënyrës së funksionimit të Këshillit të Ministrave, i vetmi kusht i padiskutueshëm lidhej me një kryeministër politik të emëruar nga PS , mjaft që ai të mos ishte Kryeministri aktual Rama. Nga këtu nisi mosmarrëveshja, ku PS u mbrojt me faktin se këtë hap e kishte bërë dhe më parë dhe në fakt u realizua zgjedhjet e shkuara dhe PD nuk ishte kënaqur. Por sa e mundshme është ajo dhe sa e sinqertë është nga palët?

Ka një logjikë që e shpjegon në një drejtim politologu i njohur Afrim Krasniqi, i Institutit të Studimeve Politike. Ka disa arsye pse nuk bëhet ky drejtim por ky aliazh nuk ka funksionuar, e para për shkak të mungesës së vullnetit dhe traditës jo të mirë; e dyta ministrat kanë shumë pushtet, por kur bashkëpunohet me opozitën , kandidatët e këtyre të fundit trajtohen thjesht si komisionerë kur partitë e duan vetë të gjithë pushtetin e ministrave(!!), kur e di se pushteti i tyre është edhe më i madh sesa bashkiakëve; por edhe sensi i përfitimit, që shikohet me përdorimin e administratës dhe elementët e tjerë. Për hir të së vërtetës ka një sens të drejtë në atë që shtjellon politologu: Qeveria Rama as edhe njëherë nuk u mblodh sëbashku.

A është normal një situatë e tillë?! Ka disa modele, që aplikohen në vende me demokraci më të zhvilluara por që eliminojnë disi dhe akuzat e ndërsjella politike, që partitë ia faturojnë njëra-tjetrës sa i përket përgatitjes zgjedhore dhe sidomos përdorimit. Në Greqi, ka qeveri  e cila ka përfaqësues nga të gjitha palët dhe që përgatit zgjedhjet në periudhën e fushatës, ashtu si fqinji ynë Maqedonia e Veriut bëri një akt të tillë para pak muajsh për të përgatitur zgjedhjet pas diskursit të vështirë me Greqinë. Po Shqipëria? Vendi ynë e ka realizuar disa herë këtë ushtrim qeverisës. Ajo kulmoi me një qeveri stabiliteti; pastaj me qeverinë pas trazirave të vitit 1997, që kërcënonte vendin për dëme të paimagjinueshme; pastaj sërish pas kërkesës së PD edhe me një qeveri që doli pas marrëveshjes së Majit 2017. Kjo qeveri e fundit, paçka se nuk u mblodh asnjëherë nga kryeministri i vendit, përveç njohjes unanime të rezultatit nga të gjithë anët dhe leximit shumë optimist së të huajve, nuk pati mundësi t’i qetësonte palët. Ashtu si pritej, pak javë më vonë ato iu kthyen betejave verbale dhe ky mandat i fundit ka shkuar me protesta pa fund nga opozita me braktisje të parlamentit prej krahut opozitar dhe me një anatemë ndaj Ramës.

I vetmi moment pozitiv ishte kur Palët arritën të uleshin, nën presionin e faktorit ndërkombëtar, kryesisht amerikan dhe anglez duke e ndryshuar kodin zgjedhor, por jo pa polemika, ku për ironi Socialistët e maxhorancës arritën një marrëveshje në Këshillin Politik me PD, opozitën jashtë parlamentare (e cila në këto dy vitet e fundit ishte opozita kryesore), por më pas miratuan në Kuvend, me votat e opozitës brenda Parlamentit, disa amendamente në Kodin Zgjedhor.

Ka një element, që të lodh në periudhë zgjedhore dhe që e shtjellonte pak vite më parë një studiuese CORINA STRATULAT, analiste politike në Qendrën e Politikave Evropiane në EU integration and party politics in the Balkans“Megjithatë elokuenca e fjalëve demokratike të shkëmbyera për më shumë se një dekadë nga Bashkimi Evropian dhe vendet e rajonit, nuk shkon me elokuencën e duhur të veprimit demokratik në Ballkan”. Dhe nëse për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit ka një justifikim prej traditës së munguar demokratike, shtjella e saj shkon edhe me vendet me traditë më të mirë demokratike si Polonia, Sllovakia, Hungaria, Republika Çeke, Bullgaria dhe Rumania, fakt që tregoi se menjëherë pas hyrjes së tyre në BE, transformimi demokratik i këtij rajoni thjesht kishte qenë thjesht i dobët dhe problematik, sipas studiueses së lartpërmendur.

Pse nuk eksperimenton sërish për zgjedhje Shqipëria? Me sa duket, sfida më e madhe e politikës vazhdon të jetë jo thjesht procesi zgjedhor por mungesa e besimit tek njëra-tjetra e mbi të gjitha mbijetesa në politikë. Ndaj, askujt nuk i duhet se ç’bëjnë partitë që drejtojnë me fazën e ndërmjetme, mjafton që të arrihet marrëveshje për Ministrinë e Brendshme dhe policinë. Po njerëzit. Ata rrijnë e vështrojnë ose dorëzohen sepse nuk kuptojnë se çfarë realisht ka rëndësi në shtetin e tyre. Po si drejtohet një vend në kohë zgjedhjesh?! Këtë askush nuk e thotë. Duhet ta ndjesh.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës