TIRANË- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nuk e ka një përgjigje për pyetjen se kush i ka paguar shpenzimet më shumë se 100 mijë euro për aktivitetin e hapjes së fushatës të koalicionit të tij me Berishën në ‘Air Albania’ më 15 prill. Pyetjes së gazetares së Report Tv, Danjela Maloku se kush i pagoi ai apo Berisha dhe sa ishte shifra totale, Meta nuk iu përgjigj dhe kërkoi që ajo të bëhej me shkrim.

Madje ai tha se lajmet që flasin për shpenzimet e fushatës janë tregues se Rama ka frikë.

 “Këto janë pyetje që ju i ngrini me të drejtë. Mund t’i bëni pyetjet me shkrim dhe personat përkatës mund t’ju kthejnë përgjigje. Por ka shumë të drejtë Rama dhe ‘ramarucët’ e tij kudo ku ndodhen që janë të tmerruar nga manifestimi në stadiumin kombëtar, siç janë nga manifestimi në Durrës, Elbasan apo edhe dje në Gramsh. Do të jenë të detyruar që të shmangin vëmendjen nga vjedhja që Rama ka bërë në të gjitha këto bashki. Ta sjellë në mistrecllëqe të tilla. Megjithatë ju bëni pyetjet dhe do t’i merrni përgjigjet. Çdo ditë që kalon ankthi i atij që do të mbillte pemë pasi mbolli beton dhe shkatërrim në Tiranë për 20 vite, në Durrës për 20 vite, duke vënë dorë edhe mbi pasuritë arkeologjike dhe hapësirat publike. Tani erdhi ora e llogaridhënies”, tha Meta.

Kryetari i Partisë së Lirisë u shpreh se Rama është i dëshpëruar sepse skenari i tij që opozita të mos i regjistronte 61 kandidatët e saj mori fund.

“Nuk ka konkurrentë përballë konkurrentëve tanë tani kërkon të mbjellë konfuzion me atë ‘billboard’ e shtrenjta, duke pranuar dështimin e plotë të Rilindjes më 14 Maj. Ai mund të dalë ajo zonja që as administrata nuk ia di emrin në Durrës përballë Igli Carës, apo ai kukulla në E;lbasan përballë një personaliteti si Luçiano Boçi. Sigurisht që ata nuk dalin dot. Ndaj edhe ky përpiqet të mbjellë konfuzion dhe t’i ikë llogaridhënies”, tha Meta.

Gjithashtu, nuk dha as një përgjigje as për fshehjen e emrit të tij në fletën e votimit, por vijoi me akuzë në drejtim të kryeministrit Rama.

“S’ka interes së çfarë vendos KQZ, të gjithë e dijnë shumë mirë dhe Rama dhe ramarucët nuk i shmangen dot së vërtetës”, tha Meta.

Në fund, ai u shpreh i bindur për një fitore në 14 maj.  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:59
KQZ nuk vendosi emrin e Metës si drejtues i koalicionit me Berishën, ish Presidenti: S’ka rëndësi çfarë vendoset në fletën e votimit nga Rama dhe ramarucët

 

Kreu i PL-së, Ilir Meta i është përgjigjur pyetjes së gazetares së Report Tv, Danjela Maloku e cila e pyeti lidhur me fshehjen e emrit të tij si kryesues i koalicionit me Berishën. Meta u shpreh se nuk ka rëndësi se çfarë vendos KQZ sepse demorkatët e dinë mirë se kë duhet të votojnë më 14 maj.

“Së pari, demokratët e dinë shumë mirë se s’do kishte qenë e lehtë për ta në 2005 nëse s’do ishte LSI, ata e dinë rëndësinë e asaj partie në atë rotacion historik.

Demokratët e dinë se nuk e ka lënë Meta PD-në dhe opozitën pa këshilltar, s’ja ka dhuruar Meta pushtetin lokal Ramës. Përkundrazi, qëndrova vetëm si President përballë tij. Demokratët e dinë mirë se kush ishte ai palaço që nuk e regjistroi në KQZ, sepse nuk e linte Rama. Janë pikërisht këta që i shërbejnë Ramës sepse jo vetëm demokratët e shumë parti të tjera që janë në mbështetje tanët, gjithashtu dhe socialistët e zhgënjyer që do i ndëshkojnë me votën e tyre Rilindjen më 14 maj. S’ka interes së çfarë vendos KQZ, të gjithë e dijnë shumë mirë dhe Rama dhe ramarucët nuk i shmangen dot së vërtetës. Në Tiranë do fitojë Belind Këllici, s’ka tjetër, po pati le t’i dalë përballë. Përballë Carës është dikush? Në Elbasan po ashtu është Luçiano Boçi.  Në Tiranë ja ku e kemi listën, s’është këtu, as Berisha as Meta është Ilir Alihmehmeti, ja kush është.”- tha Meta.