Ne na ka kapur “Sindroma e Skrapit”. Çdo gjë e mundshme shndërrohet në material të shitshëm dhe të riciklueshëm. Nuk e kemi pas ditur që kemi brenda vetes këtë ndjenjë të pangopur riciklimi, që shkon deri te cenimi i monumenteve në sheshet qendrore të vendit. Dhe kjo mani që na ka mbërthyer me thonjtë e saj të hekurt shfaqet në forma krejt makabre, që shkojnë deri te cenimi dhe vjedhja e varreve, dukuri kjo që është shtuar së fundi. Nuk thonë kot ata që e njohin botën, se qytetërimi i një vendi duket te varrezat.

Dhe për këto nuk mburremi dot, jo thjesht sepse janë një shëmti e vërtetë, sidomos ato qytetëset, por sepse këto tashmë nuk janë vendi i prehjes së përjetshme, por shkas për pasurim. Qeveria e re duhet ta ketë në vëmendje të saj këtë çështje, për ta trajtuar me përparësi. Dhe këtu nuk ka asnjë shaka. Le të kujdesemi për “të shumtët”, pastaj për të paktët. Këta të fundit do ta kuptojnë, sepse askush ndër ne nuk ka dëshirë t’i trazohet banesa e fundit, ajo që na kthen në gjirin e Krijuesit. Dhe duhet ta shohim me kujdes këtë sektor, sepse gjithmonë duhen zgjidhjet e mëdha, reformat e mëdha.

Në këtë pikë nuk duhet të bëhemi me turp për ngjarjet e rënda, si në Korçë apo Sarandë tash së fundi, sepse grabitja e varreve përveçse e njohur në aspektin filmik, është e njohur historikisht që me grabitjet e varrezave të faraonëve. E për ta bërë pakëz më të gjerë problemin, të mos harrojmë se zhvarrimet si koncept janë thellë brenda nesh: zhvarrime të diktaturës, zhvarrime pas diktaturës, riatdhesime kockash, madje themelim varrezash me kocka të huajsh që tranzitojnë sa nga një vend në tjetrin për të mos gjetur paqe.

Dheu ynë është bërë shpesh pre e nevojës për të trazuar kocka. E ka shkruar Kadare me përpikëri, në një roman të tërë, të vlerësuar dhe ndërkombëtarisht. Shpesh kujtohen fqinjët për kocka të parësh, tretur gjithandej, për të na i valëvitur si kuaj modernë Troje. Po kjo është një histori më vete, gjithsesi e lidhur me faktin se ne nuk kemi një strategji kombëtare për trajtimin e asaj çka mbetet së mbrami nga njeriu.

E për t’iu kthyer ndëshkimeve, edhe ndryshime në Kodin Penal duhet të parashikohen: gjoba dhe dënimi deri në 5 vjet nuk mjaftokan për të ndalur furinë e njerëzve të etur për të grabitur. Duhet ta ketë edhe krimi një kod nderi, që nuk e paska realisht.

E për të mos mbetur vetëm te shteti, që është një faktor i vetëm, duhet të kërkojmë dhe nga mekanizmat shoqërorë të tregojnë vetëpërmbajtje. Rrugëtimi i fundit i njeriut duhet të jetë një udhëtim pa bagazhe, i lehtë. Familjarët e lënduar nga humbja e jetës së të afërmit, nuk duhet të bëjnë gabimin të krijojnë tundime duke shpallur përpara botës fuqinë financiare, sepse fuqia financiare vetëm në strehën e fundit ska më asnjë kuptim. Le të flasin faraonët që u grabitën edhe pse përdornin lëndë radioaktive për të mbrojtur luksin e tyre. Gjithashtu vetëpërmbajtje kërkohet që të mos zihet hapësira publike duke u dhënë varrezave një pamje që nuk duhet ta kenë: personalizimin. Bota e përtejme nuk e njeh fodullëkun dhe është pikërisht e kundërta. Po lumsi ata kombe që mësuan nga gabimet e tyre dhe të pararendësve të tyre.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)