Ndërsa shumë kompani detare po shmangin ngushticën e Hormuzit për shkak të tensioneve ushtarake, një sipwrmarrws grek ka vendosur të bëjë të kundërtën. Manjati George Prokopiou, armator ( pronar ose operator i një anijeje tregtare) me famë dhe një nga emrat më të njohur të transportit të naftës në botë, ka dërguar të paktën pesë cisterna përmes kësaj rruge të rrezikshme detare.
Sipas raportimeve të mediave financiare, anijet e kompanisë së tij Dynacom Tankers kanë kaluar ngushticën ku kalon rreth 20% e naftës që tregtohet në botë. Lëvizja vjen në një moment kur ushtria iraniane ka paralajmëruar për rrezik në këtë zonë dhe shumë anije janë ndalur nga frika e sulmeve.
Për të kaluar në këtë korridor të tensionuar, cisternat kanë marrë masa të forta sigurie. Disa prej tyre kanë pasur roje të armatosura në bord dhe në raste të caktuara kanë fikur sistemin GPS që tregon pozicionin e anijes. Rreziku më i madh bie mbi ekuipazhet, të cilave u janë ofruar paga shumë më të larta dhe kompensime të mëdha në rast lëndimi apo vdekjeje.
Por rreziku shoqërohet edhe me fitime të mëdha. Aktualisht Kina paguan deri në 500 mijë dollarë në ditë për cisternat që transportojnë naftë përmes Hormuzit, rreth pesë herë më shumë se para luftës. Pikërisht këtë mundësi ka shfrytëzuar flota e Dynacom Tankers.
George Prokopiou, 79 vjeç, është një figurë e njohur në botën e transportit detar. I lindur në Athinë në vitin 1946, ai bleu cisternën e parë në vitet ’70 dhe themeloi kompaninë Dynacom Tankers në vitin 1991. Sot ai ka një pasuri të vlerësuar rreth 4,7 miliardë dollarë.
Kompania e tij operon me 73 anije dhe më shumë se 5.500 marinarë, shpesh në zona me tension të lartë gjeopolitik. Në të kaluarën, flota e tij ka transportuar edhe naftë iraniane dhe më pas sasi të mëdha të naftës ruse, duke deklaruar se respekton kufizimet e çmimeve dhe sanksionet ndërkombëtare.
Sipas vlerësimeve të industrisë, krizat e viteve të fundit, pandemia, sulmet në Detin e Kuq dhe tensionet në Hormuz, kanë rritur ndjeshëm çmimet e transportit të naftës. Kjo ka çuar në fitime rekord për pronarët, ndërsa kompanitë si Dynacom po zgjerojnë flotën me dhjetëra cisterna të reja./CorrieredellaSera
Komente









