Në qendër të lëvizjeve më të fundit gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara, në media po përflitet veçanërisht ndikimi i një biznesmeni në Shtëpinë e Bardhë. Qoftë në rastin e Venezuelës apo të Groenlandës, skema duket e njëjtë: miq të pasur të presidentit, investime të vendosura në momentin e duhur dhe nisma politike që mund t’i japin prestigj Trumpit, por edhe vlerë ekonomike kapitalit privat të hedhur më herët.
Në rastin e Groenlandës, personazhi kyç është Ronald Lauder, 81 vjeç, trashëgimtar i perandorisë së kozmetikës Estée Lauder dhe ish-shok shkolle i Trumpit në Wharton School of Business. Sipas një hetimi të përditshmes daneze Politiken, Lauder ka nisur së fundmi një seri investimesh në Groenlandë, duke e aktualizuar interesin amerikan për ishullin arktik.
Lauder është një donator i vjetër i kandidatëve konservatorë dhe ka dhuruar të paktën një milion dollarë për fushatat e Trumpit në vitet e fundit. Përtej mbështetjes financiare, ai ka qenë edhe burimi i një ideje konkrete politike: blerja e Groenlandës. Këtë e ka konfirmuar ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Trumpit, John Bolton, i cili ka deklaruar se ishte pikërisht Lauder ai që ia sugjeroi për herë të parë presidentit këtë ide, e cila më pas u diskutua në vitin 2019.
Versioni i Bolton përputhet me atë që shkruajnë gazetarët Peter Baker dhe Susan Glasser në librin The Divider (2021), ku Trump citon “një mik shumë të pasur” si autorin e idesë për Groenlandën. Nuk është e qartë se nga e ka marrë Lauder këtë sugjerim. Megjithatë, fakti që ai, si president i Kongresit Botëror Hebre, është takuar dy herë me Vladimir Putin në Kremlin, në vitin 2016 dhe në mars 2019, ka nxitur dyshime për një rol të mundshëm rus në nxitjen e kësaj ideje.
Së fundmi, edhe Kirill Dmitriev, i dërguar i Kremlinit, ka theksuar në rrjetet sociale presionet e Shtëpisë së Bardhë për Groenlandën. Interesi rus në këtë çështje shihet si strategjik: një përplasje e mundshme e SHBA-ve me Danimarkën në Arktik mund të shpërqendrojë Uashingtonin nga Ukraina dhe të relativizojë veprimet e Moskës ndaj Kievit. Megjithatë, nuk ka prova konkrete për një ndërhyrje direkte të Kremlinit në këtë proces.
Një episod i paqartë mbetet letra e rreme e vitit 2019, dërguar senatorit republikan Tom Cotton, që fliste për një referendum të Groenlandës për pavarësi nga Danimarka. Letra u konfirmua më pas si e falsifikuar dhe me autorë të panjohur.
Ndërsa letra ishte false, ajo që ishte e vërtetë është shoqëria e investimeve “Greenland Development Partners”, e regjistruar në Delaëare, ku Lauder ka kapitale dhe interesa veçanërisht në sektorët e ujit dhe energjisë. Një model i ngjashëm shihet edhe në Venezuelë.
Sipas Fiona Hill, ish-zyrtare e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Rusia i propozoi administratës Trump në vitin 2019 një marrëveshje joformale: dorë të lirë për SHBA-në në Venezuelë, në këmbim të lirisë së veprimit për Moskën në Ukrainë. Oferta u refuzua, por interesat ekonomike të rrethit të Trumpit nuk kanë ndaluar.
Së fundmi, investitori Paul Singer, donator me 5 milionë dollarë në fushatën e fundit të Trumpit, ka blerë tre rafineri në Gjirin e Meksikës të përshtatshme për naftën e papërpunuar venezueliane. Vetëm pak ditë më pas, administrata amerikane njoftoi se do të importojë naftë nga Karakasi, duke e bërë edhe më të dukshëm ndërthurjen mes politikës, diplomacisë dhe interesave private.
Komente








Ne gjoftese i duhet le te blejne edhe Shqiperine,te shpëtojnë njehere e mire shqipetaret
PërgjigjuKe te drejte Ashtu blene palestinen para 100 vjet Dhe banoret e saj qe vuanin tash kan shpetue