“Fenomeni Mamdani” lidhet me premtimin për të ulur koston e jetesës në Nju Jork, të cilën nuk arrijnë ta përballojnë më jo vetëm të varfërit, por edhe klasa e mesme. Ndër premtimet tashmë të famshme të fushatës së kryetarit të ri të bashkisë së Nju Jorkut janë: ngrirja e qirave për 2 milionë njujorkezë, supermarkete komunale dhe më të lira, kujdes falas për fëmijët deri në moshën 5 vjeç, autobusë falas dhe paga minimale 30 dollarë në orë deri në vitin 2030.

Mamdani është 34 vjeç, ka lindur në Kampala të Ugandës, është zhvendosur në Nju Jork në moshën 7-vjeçare dhe është kështu qytetar i natyralizuar amerikan: nuk do të mundet kurrë të bëhet president. Ai është kryetari i parë mysliman i Nju Jorkut dhe një socialist demokrat. E djathta adhuron një frazë të nënës së tij, regjisores së famshme indiane Mira Nair, e cila në vitin 2013 i kishte thënë Hindustan Times se Zohran “nuk ishte aspak amerikan”. Por kjo nuk i intereson votuesve të tij. Mamdani ka postuar video në urdu, arabisht dhe spanjisht. Ai e ka njohur bashkëshorten e tij, artisten 27-vjeçare me origjinë siriane Rama Duwaji, në një aplikacion për takime.

Suksesi i tij është gjithashtu rezultat i refuzimit të partisë tradicionale demokrate, e cila shihet si shprehje e status quo-së. Mamdani e nisi fushatën e tij në Bronx dhe në Queens një vit më parë. Si përfaqësues i panjohur i Astoria-s në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut, në faqen e tij në internet tregonte se kishte provuar botën e filmit, të rap-it, të shkrimit, përpara se të interesohej për politikën, duke u marrë me krizën e banesave. Ai u drejtohej njerëzve me pyetje: pse keni votuar për Trump? Apo pse nuk keni votuar fare? Pse nuk besoni më te partia demokrate? Cilat janë për ju temat kyçe? Përgjigjet, të regjistruara në video dhe të shpërndara online, tregonin zhgënjimin ndaj sistemit politik, zemërimin për pushtimin izraelit të Gazës dhe dëshpërimin për koston e jetesës. Mbi këto tema lindi një lëvizje: njëqind mijë njerëz, kryesisht të rinj, trokitën në 3 milionë dyer.

Pas fitores në primaret e qershorit të kaluar, Mamdani dërgoi sinjale bashkimi dhe pragmatizmi drejt demokratëve të moderuar. Dje, në programin Morning Joe të kanalit MSNBC, ai u tha atyre që e konsiderojnë shumë të papërvojë se mosha i jep “ndjenjë mundësie dhe përulësie. Për shumë kohë udhëheqja është paraqitur si dijeni absolute: një udhëheqës duhet t’u japë fuqi njerëzve të duhur.” Ai u distancua sërish nga postimet e vitit 2020 në të cilat kërkonte t’i hiqeshin fondet policisë. Por ndaj akuzës së Trump se është komunist, Mamdani u përgjigj se edhe presidenti kishte fituar duke premtuar uljen e kostos së jetesës, “por ai dështoi”.

Ishte në Astoria, në barin jemenas Qahwah House pranë apartamentit të tij me qira të “ngrirë” në 2.300 dollarë, përpara një filxhani me “mofawar” pikant, që Mamdani vendosi të kandidonte me Socialistët Demokratë të Amerikës, organizatë në të cilën ishte bashkuar i frymëzuar nga Bernie Sanders në vitin 2016. Ai ishte tashmë anëtar i klubit të demokratëve myslimanë të Nju Jorkut. Identiteti i tij politik është formuar para së gjithash nga aktivizmi pro-palestinez që daton që nga shkolla e mesme Bronx Science, ku debatonte në Facebook me një shok pro-Izrael, dhe nga koha në Bowdoin College, ku u diplomua në Studime Afrikane dhe themeloi një degë të Students for Justice in Palestine. Deri në ditën e votimit në televizion, ai e përsëriti mbështetjen për lëvizjen BDS për bojkot, çinvestime dhe sanksione kundër Izraelit, duke shtuar megjithatë se kritikat e tij janë “kundër një qeverie, jo ndaj një populli apo një feje”.

Trumpi kritikoi hebrenjtë që e mbështesin Mamdanin, duke i quajtur “urrejtës” të hebrenjve të tjerë. Presidenti dhe Elon Musk kishin ftuar të votohej për Cuomo-n. Në mbyllje të fushatës së tij, Mamdani publikoi një video në të cilën vlerësonte dy politikanë italo-amerikanë të Nju Jorkut: kryebashkiakun Fiorello La Guardia dhe mbrojtësin e tij më pak të njohur, përfaqësuesin e Harlem-it në Kongres, Vito Marcantonio, i cili e përkufizonte veten si socialist. "Shumë e hedhin poshtë vizionin tonë për të ardhmen si të pamundur. U them atyre: mjafton të shikoni të kaluarën si provë se e ardhmja mund të formësohet."/Corriere della sera