Kush ishte trashëgimtari i Mbretit Zog

Leka Zogu i Parë është fëmija i vetëm i mbretit shqiptar Ahmet Zogu dhe mbretëreshës Geraldinë. Ai u lind më 5 prill 1939, vetëm dy ditë para pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Pas arratisjes dhe vendosjes në mërgim, më 1957-n, në Paris i ati e kurorëzoi atë si pauses të tij dhe trashëgimtarin e kurorës mbretërore shqiptare.

Gjatë qëndrimit të Familjes Mbretërore në Egjipt, në vitin 1946, Princi Leka filloi studimet në kolegjin britanik “Victori Collegie” të Aleksandrisë dhe më pas në “British Boys School”, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1954.

Pas transferimit të Familjes Mbretërore në Francë, në vitin 1955, Princi Leka tashmë 16 vjeçar, regjistrohet në kolegjin e famshëm “Vilare Ailange Kolegie” të Olon-it, në Zvicër, ku mori edhe diplomën “Matriculation of Oxford” në vitin 1956.

Në vitet 1956-1958, Princi Leka vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake Mbretërore të Sund’hurstit në Londër (Royal Military Academy), ku pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera mori titullin oficer, me gradën toger. Në vijim, ai studioi për Shkenca Politike dhe Ekonomike në “Universite De Sorbone” të Francës, ku ndoqi gjithashtu edhe kursin intensiv të gjuhëve orientale.

Më 5 Prill 1957, me rastin e 18 vjetorit të lindjes, në prani të personaliteteve më të njohura të botës shqiptare në emigracion dhe të miqve të huaj nga më të shquarit, Mbreti Zog, pasi e dekoroi personalisht me Kolanin e Shqipërisë e shpalli solemnisht Princin Leka i Parë “Trashëgimtar të Kurorës Mbretërore Shqiptare”.
Ndërsa më 15 Prill 1961, në ceremoninë speciale të organizuar në hotelin “Bristol” të Parisit, në prani të ish deputetëve të Parlamentit të Mbretërisë Shqiptare, si dhe të 70 delegatëve të përzgjedhur nga e gjithë mërgata, Asambleja Provizore e mbledhur zyrtarisht, në bazë të artikujve 51 dhe 55 të Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, e shpalli dhe e kurorëzoi unanimisht Princin Leka si “Mbret i Shqiptarëve”.

Pas kësaj, në përputhje me nenin 56 të Statutit, Sovrani i ri bëri betimin formal kushtetues si Mbret i Shqiptarëve. Leka Zogu u përkushtua për përmbushjen e detyrimeve prej Sovrani para bashkatdhetarëve në mbarë Europën dhe në vendet arabe gjatë 5 viteve të para pas kurorëzimit (1961-1966).
Në vitin 1967, veprimtaria politike e tij në dobi të çështjes kombëtare dhe intensifikimi i kontakteve me bashkatdhetarët, njohën kulmin pas vizitës që kreu në SHBA-të në verën dhe vjeshtën e këtij viti.

Në vitin 1972, Pretendenti i Fronit Mbretëror bëhet nismëtar i zhvillimit të Kuvendit të Madridit, i cili kishte për qëllim bashkimin e të gjitha forcave politike të emigracionit politik dhe jopolitik shqiptar, nën moton e famshme “Atdheu mbi të gjitha”.

Viti 1975 shënoi ngjarjen më të rëndësishme në gjirin e Familjes Mbretërore dhe garantoi trashëgiminë e kurorës së Dinastisë Mbretërore shqiptare nëpërmjet martesës së Leka Zogut të Parë me Mbretëreshën Susan.

Deri në vitet e fundit para se të kthehej me familjen e tij në Shqipëri, Leka Zogu jetoi në Afriken e Jugut. Pas një jete të gjatë në mërgim, i larguar nga vendi që kur kishte vetëm dy ditë jetë, në prill të 1939, ai shkeli për herë të parë në Tiranë në nëntor të 1993, në një vizitë të papritur kur u ul në aeroportin e Rinasit me një avion privat. Leka Zogu ishte i pajisur me një pasaportë të lëshuar nga Gjykata Mbretërore e tij-në mërgim. Në këtë pasaportë, të cilën qeveria shqiptare kishte refuzuar ta njohi, Leka kishte përkufizuar profesionin e tij si "Mbret". Në aeroport, Leka u përshëndet nga një turmë prej rreth 500 përkrahës. Ai deklaroi në këtë kohë se do të hiqte dorë nga kjo pasaportë dhe të pranonte statusin e një qytetari normal, nëse një referendum për monarkinë do të zhvillohej.

Në 1997 kthimi i tij në atdhe u shoqërua me një sërë incidentesh, duke nisur nga bllokimi në aeroport i një sasie armësh, që nga vetë Leka Zogu u cilësuan si trofe.

Po në 1997, shqiptarët votuan kundër referendumit për monarkinë. Shtatë vjet më parë ndërroi jetë në Tiranë bashkëshortja e Leka Zogut, mbretëresha Suzanë.

Prej vitesh Leka Zogu I është tërhequr nga jeta publike edhe nga ajo politike aktive. I biri i tij, Princi Leka i cili ka zëvendësuar të atin në aktivitet të ndryshme publike, nuk ka një angazhim të dukshëm politik. Ndërkohë që forca politike, Partia e Legalitetit e cila synon rikthimin e monarkisë, përfaqësohet në koalicionin qeveritar, me postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes.

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Zaptuan hapësirën publike në Karaburun, nën hetim 3 administratorë subjektesh! Sekuestrohen 300 shezlongë