TIRANE  -  Gjashtë zonjat e arrestuara nën operacionin “Kredia”, mes tyre drejtoresha e filialit të fondacionit të kredive të vogal "Besa", Albana Imami do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve.

ReportTv ka siguruar dosjen e plotë të Prokurorisë ku rezulton se kallëzimi është bërë nga fondi Besa pasi ishte pikasur skema piramidale e ngritur nga Imami brenda kompanisë.

Sipas hetimeve, ajo kërkonte nga vartësit gjetjen e klientëve për marrje kredie të cilët realisht merrnin kredi nga 10-30 mijë lekë ndërsa në letra pa dijeninë e tyre firmosej kredi me vlerë prej 150-500 mije lekë.

Mes të arrestuarve që do të qëndrojnë në burg janë edhe oficerët e kredive, Blerina Kanani, Matilda Domi, dhe Mihal Hanxhari si dhe ndërmjetësuesja për gjetjen e personave për kredi fiktive Orkida Driza. Ndërsa Esmeralda Vaso, 38 vjeçe, oficere kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit do të qëndrojë nën masën e sigurisë "arrest shtëpie".

Para gjykatës, të arrestuarat refuzuan të japin deklarime të hollësishme për skemën fiktive të kredisë ndërsa deklaruan se ata drejtoheshin nga drejtoresha Albana Imami dhe të gjitha kreditë i kanë firmosur me kërkesë të saj.

Vetë Imami pranoi dhënien e kredive por tha se gjithçka e ka bërë pavetëdije duke pretenduar të shmangë përgjegjësinë penale.

Në këtë masë sigurie një prej të arrestuarve, 41-vjecarja Orkida Driza deklaroi se është e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë pasi atë e kanë përdorur dhe në këtë skemë fiktive ajo ka përfshirë edhe fëmijët e saj.

Avokatët kërkuan masa më të lehta për klientët e tyre ndërsa gjyqtari Kujtim Vranishti pranoi kërkesën e prokurorit Sokol Hysenaj duke lënë në burg të arrestuarat.

Në skemën e kredive fiktive deri më tani rezultojnë 160 të tilla, ndërsa për të shlyer detyrimet ndaj kompanisë drejtoresha Albana Imami e cila prej 15 vitesh ishte pjesë e fondit Besa kish nisur dhe skemën e piramidave duke marrë para me % në hua jashtë sistemit bankar.

Të arrestuarit

Albana Imami, 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Drejtoreshë në një nga degët e filialit të Fondacionit
Blerina Kanani, 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit
Matilda Domi, 27 vjeçe, banuese në Vorë, Tiranë, me detyrë Oficere kredie, në një nga degët e filialit të Fondacionit
Mihal Hanxhari, 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrën ish-Oficer kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit
Esmeralda Vaso, 38 vjeçe, banuese në Tiranë, Oficere kredie në një nga degët e filialit të Fondacionit
Orkida Driza, 41 vjeçe, banuese në Tiranë, me rolin ndërmjetësuese për gjetjen e personave për kredi fiktive
A. A., 32 vjeç, banues në Tiranë, me rolin ndërmjetësues për gjetjen e personave për kredi fiktive, i cili aktualisht është me masë sigurie “Arrest në burg” pasi ka aksidentuar me vdekje një perosn, dhe akuza e re do t’i komunikohet në ambientet e burgut.  

1566475597_1566475348kredibesa1.jpg

Albana Imami - Drejtoreshë në një nga degët e filialit të Fondacionit