Kush po e zhduk shqiponjën e maleve?

Kush po e zhduk shqiponjën e maleve?

Shqiponja e malit

Moratoriumi i kafshëve nuk është gjë tjetër veçse një ligj “invalid”, pasi nuk po jep rezultatet e kërkuara. Paralelisht me moratoriumin, qeveria lejon shitjen e armëve të gjuetisë dhe numri i lëshimit të autorizimeve është shumë i lartë, pa përmendur këtu numrin e fishekëve të importuar nga jashtë. Kërkesa e lartë për import përkthehet në shitje fishekësh dhe shkrepje armësh. Përveç kafshëve të egra, pre janë edhe shpendët e rrallë. Numri i individëve të shqiponjës së maleve, pelikanit kaçurrel, kalit të qyqes, e të tjerë shpendë të futur në listën e rrezikut kritik për zhdukje, çdo vit e më shumë po tkurret. Në këtë shkrim do të gjeni shkaqet që po ndikojnë në zhdukjen e shpendëve të rrallë.

Ekspertët na shpjegojnë se ku çedon moratoriumi

Moratoriumi i gjuetisë nisi në vitin 2016 si një plan 2-vjeçar, por që ende vijon të jetë në fuqi pas shtyrjeve të një pas njëshme. Gjatë muajve të parë të hyrjes në fuqi të këtij ligji, u vërejt një mobilizim i strukturave përgjegjëse (kryesisht Policia e Shtetit) për sigurimin e zbatimit e tij, një aksion që u la shumë shpejt në harresë. Moratoriumi është një vendim në fuqi thjesht me letra, pasi terreni vërteton të kundërtën. Sipas ekspertëve, vërehen mangësi në zbatim pasi nuk ka një plan të mirëmenduar masash.

Në Qershor 2021 kur moratoriumi i dytë përfundoi u la një pauzë (një sezon gjuetie) e paqartë, duke qenë se nuk kishim as moratorium, por as urdhër për hapjen e gjuetisë nga Ministria e linjës. Vetëm në gusht 2022, Presidenti i Republikës dekretoi ligjin e ri për moratoriumin e gjuetisë, i cili parashikon zgjatjen edhe për tre vite të tjera të tij në Republikën e Shqipërisë, por pavarësisht kësaj, situata është jashtë kontrollit.

Kreu i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare, Taulant Bino u shpreh se tashmë ka ikur “frika” edhe nga Policia e Shtetit, e cila nuk i përgjigjet as thirrjeve të institucioneve publike në raste denoncimesh të vrasjes së shpendëve apo dhe kafshëve të tjera të egra. Sipas tij nëpër ultësirën perëndimore të Shqipërisë gëlojnë aparatet imituese ndjellëse nga kriminelë, të cilët e sfidojnë hapur ligjin ditën dhe natën. Mjaft problematike mbetet gjuetia me aparate imituese të shkurtëzës (Coturnix coturnix). “Institucionet inspektuese janë pothuajse jo ekzistentë, shpeshherë me inspektorë të cilët mbulojnë sipërfaqe mjaft të mëdha, të cilat janë të pamundura të aksesohen. Ajo që është më e rëndë, duket sikur organet kompetente po fshihet pas një moratoriumi në letër dhe duke qenë të vetëdijshëm që vrasja e shpendëve vazhdon ndoshta edhe më agresive se dikur, duke dëmtuar popullatat e shpendëve në vendin tonë”, shprehet Bino.

Lista e specieve që janë në rrezik kritik për tu zhdukur

Sipas të dhënave zyrtare që ka siguruar gazetarja Silvana Muça rezulton që të ketë një ulje drastike të specieve që janë në rrezik zhdukje. Sipas vlerësimit të kryer në vitin 2020, sipas ekspertëve rezulton se 79 specie shpendësh kërcënohen me zhdukje nga afërsisht 360 të ndodhura në vend. Pra rreth 22% e shpendëve, apo 1/5 e tyre, janë të kërcënuar. Rrezikimi më i madh paraqitet për shpendët gjatë foljezimit, ku rezulton se 26 i përkasin kategorisë më të larë të rrezikimit, duke u vlerësuar si “Tepër të Rrezikuar” ose të “Rrezikuar në mënyrë Kritike”. Disa nga speciet tepër të rrezikuara gjatë folezimit janë: pelikani kaçurrel, lejleku, lejleku i zi, Kryekuqe e Vogël, Kali i Qyqes, Shkaba e Zezë, Shqiponja e Maleve, Shqiponja Perandorake, Shqiponja e Vogël, Shqiponja Bishtvizuar, Skifteri i Mesdheut, Skifteri i Gjuetisë, Sqep biza, Pulëbardha Rozë, etj.

Nga të dhënat zyrtare numri i individëve të pelikanit nga censuset rezulton përkatësisht sipas viteve; 2020 numërohen 475 individë, në vitin 2021 shikohet një rritje e lehtë, me një total prej 582 individë dhe në vitin 2022 konstatohet ulje drastike e pelikanëve, me vetëm 293 individë, ndërsa për viti 2023 Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka paraqitur shifra. Shkak për rënien e individëve në vitin 2022, sipas Ministrisë së linjës ishte Influenca Aviare. Në rrugë zyrtare raportohet se në zonën e Prespës së Vogël, zonë kufitare me Greqinë, kjo specie është eliminuar në masë.

Influenca Aviare vrau Pelikanin

Kreu i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare na servir të tjera shifra sa i përket numrit të individëve, ku sipas tij në vendin tonë gjenden dy specie të pelikanëve; pelikani kaçurrel (Pelecanus crispus) dhe pelikani rozë (Pelecanus onocrotalus). I dyti është verues në Shqipëri, por jo folezues. Largohet në fillim të vjeshtës dhe kthehet në mars.

“Në Divjakë, zonën e Karavastasë, kolonia ka njohur luhatje të mëdha. Në vitet 1960 kolonia u vlerësua në 200-250 çifte, për të mbërritur në vetëm 19 çifte në fillim të viteve 2000. Që prej asaj kohe, kolonia është rritur në saj të marrjes së masave mbrojtëse ndaj kolonisë, edukimit mjedisor dhe ndërgjegjësimit për mbrojtjen e habitateve. Sot kolonia numëron sërish rreth 80 çifte folezuese. Me gjithë rritjen, vërehet për fat të keq sukses i ulët i riprodhimit, gjë që të bën të mendosh se rritja e mëtejshme e kolonisë mund të jetë e vështirë”, argumenton Bino.

Shqiponja e maleve ulje në shifra të frikshme

Sa i përket situatës mbi Shqiponjën e Malit, e cila është edhe simboli i kombit të dhënat janë drastike. Nga vlerësimi i bërë në vitin 2002 numërohen rreth 5-200 çifte. Pas 10 vitesh konstatohet rënie, me 50-150 çifte,ndërsa nga vlerësimi më i fundit në terren, që i përket vitit 2018 e jep në vlerën 25-63 çifte. Vlerësimet e para kanë qenë pak a shumë të përafërta, ndërsa ky i fundit i është nënshtruar një analize më të detajuar. Megjithatë, të dhënat tregojnë prirjen për reduktim të fortë të popullatës dhe pasqyrojnë mendimin se në fillim të viteve 2000, Shqiponja e Malit ishte gjithkund e pranishme në Shqipëri, sot është e rrezikuar me zhdukje.

Shkaqet e rënies së shpendëve

Për secilën specie shkaqet e rënies mund të jenë të ndryshme, por në tërësi duket se urbanizmi është faktori kryesor i rrezikimit të shpendëve. Ai kontribuon në humbjen dhe degradimin e habitateve, rritjen e ndotjes se ekosistemeve, etj. Faktorë të tjerë janë persekutimi, aksidentet fatale me infrastrukturën e energjisë, helmimi ose gjuetia e paligjshme,etj.

Helmimi, një nga shkaqet kryesore të zhdukjes së shpendëve

Sipas Binos, helmimi i kafshëve të egra është një fenomen që sipas indikacioneve dhe dëshmive daton që në kohën e sistemit komunist. Gjatë kësaj periudhe, institucionet zyrtare kanë përdorur në mënyrë të organizuar karremat helmues me bazë striknine me qëllim zhdukjen e ujkut në zonat rurale. Pas vitit 1990 dhe me shpërbërjen e sistemit komunist, helmimi i kontrolluar, që deri atëherë kryhej nga institucionet shtetërore, u ndalua zyrtarisht, por ndërkohë që tashmë ishte një praktikë e njohur, vazhdoi të kryhej në mënyrë të paligjshme nga banorët e zonave rurale kundrejt kafshëve të padëshiruara që mund të shkaktonin dëme në bagëti, në të mbjella, etj, (përmendim: ujkun, ariun, baldosën, etj).

Duke qenë se deri në vitin 2019, helmimi nuk ka qenë shprehur qartësisht në ligj si një vepër e ndaluar dhe rrjedhimisht nuk kontrollohej apo investigohej si krim nga institucionet përkatëse, kjo bëri që ky fenomen të përhapet gjerësisht dhe sot e gjejmë si një praktikë që përdoret nga kushdo dhe kudo (dhe nëpër zona urbane tashmë, kundrejt kafshëve endacake). Mungesa e kontrollit nga ana e shtetit për një kohë të gjatë, përhapja e gjerë e helmimit në vend dhe mungesa e ndërgjegjësimit dhe informacionit për pasojat e helmimit në faunën e egër dhe në mjedis, ka bërë që ne të humbasim në masë të konsiderueshme faunën e egër.

Shpendët jo gjithmonë janë target i helmimit, megjithatë helmimi është një metodë që vret në masë dhe në mënyrë jo-diskriminuese, që do të thotë nëse vendoset një karrem helmues në natyrë me qëllim vrasjen e një kafshe të caktuar, kjo do të pasohet nga një zinxhir vrasjesh të një numri më të madh të kafshëve që ndodhen në atë mjedis dhe që ushqehen me kërma.

Shkabat janë shembulli më i mirë për të ilustruar se si helmimi vret në mënyrë jo diskriminuese. Shkabat nuk janë në konflikt të drejtpërdrejtë me njeriun dhe rrjedhimisht nuk janë target i helmimit, megjithatë ato janë viktimat kryesore të helmimit për shkak se ushqehen me kafshë të ngordhura, të cilat mund të jenë të helmuara ose janë vendosur në natyrë si karrema helmues. Helmimi është dhe arsyeja kryesore pse popullata e shkabave në Shqipëri ka pësuar një rënie drastike. Nga 4 specie të shkabave që dikur folezonin në të gjithë vendin, sot folezon vetëm Kali i Qyqes (Neophron percnopterus) me një numër të reduktuar çiftesh folezuese.

Shkrepja e armëve bën namin në kohë moratoriumi

Për periudhën 2016-2023, në të gjithë Shqipërinë janë dhënë në total 10516 autorizime për armë gjuetie.

Sa i përket importimit të armëve në të njëjtën periudhë, rezulton se janë importuar 1820 armë gjahu dhe 567 840 fishekë. Janë 3775 armë gjahu të llojeve të ndryshme dhe 5306986 fishekë.

Në 7 vite që moratoriumi ka qenë në fuqi, janë arrestuar/proceduar penalisht për gjueti të paligjshme, 92 persona shtetas. Autore Silvana Muça/ Voxnews

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë