Ish-deputeti Ralf Gjoni thotë se publikimi i mijëra dokumenteve të dosjes Epstein nuk ka lidhje me transparencën, por synon të godasë kredibilitetin e sistemit politik perëndimor.

Në një intervistë për emisionin Bota Report në Report TV, ish-deputeti tha se ekspozimi i dokumenteve të dosjes Jeffrey Epstein ka një qëllim denigrues dhe synon të ulë besimin ndaj politikës perëndimore. Sipas tij, fakti që përmenden emra të njohur nuk është i çuditshëm, pasi Epstein kishte arritur të depërtonte në rrethe shumë të larta politike dhe ekonomike.

“Përderisa Epstein ka arritur të penetrojë në Shtëpinë e Bardhë dhe të ketë në avionin e tij privat miliarderët më të mëdhenj të botës, kaq mjafton që ky njeri do të kishte interesa për të penetruar në Kremlin apo në Buckingam Palace. Po ekspozohet kalbëzimi i një sistemi politik. Mund të ketë interes nga aktorë politikë ndërkombëtarë, për të ekspozuar figura të caktuara dhe goditur sistemin perëndimor. Kush vuan më tepër nga historitë e Epstein? Perëndimi dhe politika! Kush janë aktorët që kanë qëllim të denigrojnë politikën perëndimore? Ka aktorë lindorë por edhe perëndimorë që po mundohen të denigrojnë dhe ulin kredibilitetin sistemin perëndimor. Përmes dosjes Epstein ka një atak kundër perëndimit. Pyll pa derra nuk ka. Edhe në Shqipëri ka pasur  politikanë që mund të jenë munduar të krijojnë kontakte me Epstein. Nuk do të më habiste fare. Mund të ketë histori që ne as na a pret mendja se cfarë është bërë. Ka indikacione për keqtrajtim të vajzave të vogla nën moshë” tha Gjoni.

Gjoni u shpreh se dosja ka shumë “dritëhije” dhe se për vite me radhë ka pasur përpjekje për ta mbajtur të fshehtë. Ai ngriti pikëpyetje edhe mbi vdekjen e Epstein dhe raste të tjera të lidhura me dëshmitarë apo persona kyç, duke thënë se në nivelet e larta të politikës ka pasur interes që detaje të caktuara të mos dalin në dritë.

“Thuhet që Epstein ka vrarë veten. Nuk e di nëse ka vrarë veten por ka shumë dritëhije kjo dosje. Ka një tjetër person që hedh akuza kundër Princit Andrew. Shpresoj që dëshmitari të jetë gjallë deri në fund të procesit. Ish avokati i Epstein vdiq gjithashtu në mënyrë misterioze. Në sferat e larta të politikës ka një interes për ta mbajtur këtë dosje sa më të fshehtë. Është e qartë se ka pasur qëllim për të fshehur detaje” tha Gjoni.

Në dokumentet e reja të dosjes Epstein përmendet edhe Shqipëria, në dy episode të ndara, në vitet 2012 dhe 2017. Njëri lidhet me një mesazh të ish-sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, pas një vizite zyrtare në Tiranë, ndërsa tjetri flet për një vajzë shqiptare 22-vjeçare që kishte dërguar CV për punë, por imazhet e saj përfunduan si kandidate te Epstein.

Gjoni, i cili në atë periudhë punonte në Ministrinë e Jashtme, tha se e ka takuar Jaglandin në takime të Këshillit të Evropës dhe se ky rast nuk e habit, duke shtuar se shumë politikanë të huaj e shohin Shqipërinë vetëm për interesat e tyre personale dhe karrierën politike.

“E kam takuar Jaglandin, por nuk më habit aspak. Ka shumë politikanë të huaj që vijnë në Shqipëri dhe pëlqejnë vajzat shqiptare. Vajzat shqiptare janë shumë të bukura. Kjo nuk është problem, por ajo që është interesante është se Jagland, ishte ish kryministër, ish ministër i jashtëm, sekretar i përgjithshëm i KE. Madje paraardhësi i tij Norvegjez e ka cilësuar Jaglandin “budalla”. Ka shumë pak politikanë të huaj që kanë pak zemër dhe që kanë pasur një bonsens për të ndihmuar shqipërinë në rrugëtimin evropian. Shumica e këtyre politikanëve që kanë marrë psote të tilla u shërbejnë interesave të tyre, xhepit të tyre dhe karriereës së tyre, Shqipëria është një moçal i vogël. Shqipëria ka vëmendje të bota aq kohë sa i duhet një avioni të kalojë hapësirën ajrore të Shqipërisë’ tha Gjoni.