Leshi është një produkt me origjinë shtazore, por edhe bimore. Teknologjia ka përparuar aq shumë, sa ky produkt, për qëllime të dëshiruara nga njeriu, është prodhuar edhe në rrugë sintetike dhe industriale. Por, leshi si fjalë dhe për të marrë një përcaktim më specifik, ka nevojë edhe për një sqarim më të hollësishëm. Jam i bindur që një zonjë, apo zotëri i nderuar kur e përdori shprehjen e famshme ...”keni për t’shku për lesh” këtë sqarim, apo detaj duhet ta kishte mbajtur parasysh.

Kur doli shprehja e famshme “keni për t’shku për lesh” në sallën e burrave dhe grave të vendit, ndaj kundërshtarëve politik, nuk u sqarua nominalisht se për çfarë leshi bënte fjalë, për lesh të gjatë apo të shkurtër, me fije të hollë apo fije trashë, lesh rudë apo shtëllungë leshi, i krehur apo i pakrehur, mundësisht edhe nga cili pozicion i trupit duhej të merrej, bagëtie apo lesh njeriu, etj. Kjo, sepse nganjëherë nëse nuk e sqaron, bëhet lesh e li dhe hajde t’ia  gjesh fillin.

Zonjën apo zotërinë folës të shprehjeve të tilla të gjetura enkas për opozitarët e tyre, i “patën lodhur” aq shumë opozita, sa u zuri goja lesh duke bërtitur, brenda sallës së kuvendimit, në çdo fshat e tubim elektoral në shkodralocen e vjetër, por edhe në çdo takim, anë e kënd vendit, më të theksuara me përfaqësues të huaj brenda, por veçanërisht jashtë vendit.

Atyre, nga “meraku i madh” për mosvotimin e tre ligjeve nga opozita, gojët e liga thonë se iu ngritën edhe leshrat përpjetë, mbasi mendonin që opozitarëve të tyre mund t’u kishin “zënë sytë lesh”dhe nuk e shihnin realitetin, rreth dëmit që po i shkaktohej vendit nga sjellja e tyre. Por, në  asnjë mënyrë nuk duhet pranuar dhe nuk duhet besuar që atyre “iu hap leshtë e barkut”, si thotë populli, mbasi nuk njihen si të tillë.

Por le të kthehemi te gjendja konkrete. A mund të themi se me të vërtetë ky vend ka vajtur për lesh. Kurrë nuk e pranuan këtë realitet, edhe kur zgjedhësit protestonin ose i kundërshtonin. Gjendja e mjeruar ekonomike e cila ka shkuar  dita  ditës  drejt rrënimit, pret shpëtimin e domosdoshëm për të ndalur më tej fundosjen e “anijes rrangallë” të rrjepur nga dallkaukët e tetë viteve që shkuan.

Trumbetohej natë e ditë në çdo media e për çdo orë, për arritje, rroga, pensione të rritura, rrugë të shumta e ferma me fermerë që janë të lumtur e plot shëndet, ku papunësia është më e ulëta në Evropë, falë arritjeve ekonomike, që rendisin Shqipërinë, mbas Gjermanisë, e plot deklarata të dala boje.

Ishin mbërthyer mbas karriges aq shumë, sa ishin gati t’i bënin zullume më të mëdha vendit. Por, ata u ndëshkuan me meritë falë pjekurisë dhe arsyes popullore, e cila diti me mençuri e pjekuri të ndajë “shapin nga sheqeri”. Tani duhet thënë me plot kuptimin e fjalës se, paaftësia, mediokriteti, mashtrimi, tarafi, hajduti dhe militantizmi shkuan për lesh, ngaqë e kishin bërë këtë vend lesh arapi.

Pra kjo që shkoi ishte dhe do të mbahet mënd si qeveria më leshko që kemi pasur ndonjë herë, por që fatkeqësisht i shkaktoi vendit një kosto të lartë, duke i lënë një faturë mjaft të shtrenjtë. Këtë zgjedhësit e dinë dhe e pranojnë si mundësi dhe sakrificë për progresin e domosdoshëm.

At’here kush shkoi për lesh!?

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)