TIRANE- Braktisja dhe statusi i jetimit i ka shoqëruar gjatë gjithë jetës së tyre 57 banorët që jetojnë në konviktin e Jetimëve pranë shkollës “Besnik Sykja” në Tiranë. Megjithatë përballja e tyre më e vështirë, ka qënë ajo me indiferencën e institucioneve për ti trajtuar me seriozitetin që meritojnë. Jetojnë të vetmuar, të ndarë me dhoma të vogla, mes kushteve të vështira dhe pamundësive ekonomike që i ofron  një godinë e lagësht. Të gjithë janë mbi 18-vjeç dhe gëzojnë statusin e jetimit, megjithatë  kjo nuk i ka shërbyer për të pasur vëmendjen që vetë ata do të kishin dëshiruar.

Kushtet
Godina në hyrje të saj nuk ka një emër, është anonime si jetët e banorëve që strehohen aty. Një koridor i errët ndan dhomat e meshkujve me ato të femrave. Muret të gërvishtur, tavane që po rrëzohen nga lagështira dhe disa rroba të varura në ca tela, janë panorama e zymtë që të ofron godina nga brenda. Hera e fundit që u vu dorë në atë konvikt, ka qënë kur një fondacion hollandez restauroi dhomat dhe tualetet e femrave. Meshkujt jetojnë si mos më keq. Një aromë mbytëse vjen nga tualetët e përbashkët. Në dhoma, me krevate që shkojnë deri në afërsi të tavanenve jetojnë deri në 8 persona.

Edhe pse në një moshë madhore shumë kanë zgjedhur që jetën ta kalojnë të vetëm. Fundja s’kanë asgjë për ti ofruar askujt. Por ndonëse kushtet nuk janë aspak të denja për një jetesë normale, në godinën një katëshe të konviktit strehohen edhe disa familje. Shumë nga këto lidhje martesore janë krijuar mes banorëve në këtë konvikt. Ferdinant Lumi një prej banorëve më të vjetër tregon për Shqiptarja.com vështirsitë e jetesës së tij dhe familjes që ai ka ndërtuar. “ Ne jemi jetim, unë njeriun me të cilin kam lidhur jetën e kam njohur këtu dhe dy fëmijët që kemi s’mund ti hedhim në rrugë se e dimë çdo të thotë të jesh i braktisur”, tregon z. Lumi.

Sipas tij një dhomë me një sipërfaqe 12 metra katror është vendi ku strehohen katër anëtarët e familjes së tij. Madje kjo sipërfaqe shihet si një privilegj shumë i madh, kur në dhoma të tjera jetojnë 7-8 persona. Një ndihmë ekonomike prej 3 mijë lekësh në muaj është përfitimi i vetëm financiar që ata marrin nga shteti, gjithçka tjetër duhet ta sigurojnë vetë. Ndihen të lodhur, të fyer nga neglizhenca e vazhdueshme që institucionet u kanë bërë gjithë këto vite.

“ Duam që të jetojmë si gjithë të tjerët me familjet tona, prandaj i kërkojmë shtetit të na sigurojë apartamente të cilat ti paguajmë me qera të ulët”, thotë Ferdinanti i cili jeton prej 27 vitesh në atë konvikt. Darka është momenti i vetëm që i mbledh të gjithë në dhoma, pasi gjatë ditës secili është në kërkim të një pune apo mundësie për të siguruar para për të mbijetuar.
 
Ligji
Ashtu siç është e parashikuar edhe në legjislacion, trajtimi në Shtëpitë e Fëmijëve zgjat deri në përfundim të ciklit arsimor të detyruar, që përkon me moshën 16-vjeçare të fëmijve. Ndryshimet e reja të propozuara nga Ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj, e shtyn edhe me dy vjet qëndrimin në këto institucione të fëmijve, pra deri në 18-vjeç. Drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, Zhaneta Beqiri tregon për Shqiptarja.com, mënyrën se si asistohet me fëmijët në përfundim të qëndrimit të tyre në institucion. “ Aktualisht ne si institucion kemi pesë fëmijë të cilët janë në prag të moshës 16-vjeçare dhe do të shkëputen për të vazhduar jetesën në institucione të tjera”, shprehet drejtoresha.

Sipas zonjës Beqiri, insitucioni i drejtuar prej saj, përpiqet të bëj ndërmjetësimin me Ministrinë e Arsimit për përfshirjen e këtyre fëmijëve në shkollat që ata duan, duke bërë paraprakisht edhe një vlerësim të aftësive për secilin. Duke qënë se një pjesë e konsiderueshme e fëmijve nuk e përfitojnë statusin e plotë të jetimit, pasi gjenden në institucion pas mungesës së një prindi dhe kushteve të vështira ekonomike, atë e përfitojnë vetëm ata që e gëzojnë plotësisht këtë status.


Shkrimi u publikua sot (05.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)