Kushtetuesja, Abdiu: Jam
me Presidentin per dekretet

Kushtetuesja, Abdiu: Jam <br />me Presidentin per dekretet
TIRANE- Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, thotë se Presidenti kishte të drejtë që kërkonte shfuqizimin e vendimit të Kuvendit për dekretet e tij për anëtarët e kësaj Gjykate. Ai nuk ka munguar të komentojë dhe vendimin e anëtarit të Kushtetueses Petrit Plloçi i cili dha dorëheqjen dje nga detyra.

Si e konsideroni dhënien e dorëheqjes nga ana e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Petrit Plloçi?
Nuk e njoh me hollësi shkakun dhe argumentin e dhënies së dorëheqjes, sepse ta njohësh atë duhet ta shohësh të shkruar. Zoti Plloçi që është një nga ish-kolegët e mi në Gjykatës Kushtetuese, një ish-koleg dhe profesionist shumë i nderuar. Unë parimisht e mbështes këtë veprim të tij. Në fund të fundit e drejta për të dhënë dorëheqjen nga një verimatari që e kryen është një e drejtë personale dhe e vlerëson vetëm ai që e jep, dhe në rastin konkret vetë ish-kolegu im Plloçi.

Por kjo dorëheqje sjell ndonjë problem në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese...?
Ka disa probleme që kanë rëndësi juridike, prandaj preferoj të mos konsiderohen një opinion përfundimtar deklaratat e mija, sepse nuk dimë gjë me hollësi mbi shkakun dhe argumentet e dhënies së dorëheqjes nga ana e ish-kolegut Petrit Plloçi. Kushtetuta është shumë e qartë. Sëpari mandati i ish-kolegut Plloçi ka mbaruar para më shumë se 18 muajsh dhe mbarimi i tij është deklaruar me vendim të vetë Gjykatës Kushtetueses, siç është deklaruar dhe mbarimi mandatit ish-anëtarëve të tjerë që kanë ikur në kohën e duhur. Në këto kushte lind problemi nëse ai ka dhënë dorëheqje apo është larguar nga përmbushja e detyrës që e ka vazhduar dhe pas mbarimit të mandatit, pas atyre problemeve që tashmë ne i dimë që kanë ekzistuar mes Presidentit dhe Kuvendit. Si pasojë e këtyre mosmarrëveshjeve është krijuar një situatë paradoksale ku unë kam shfaqur disa herë mendimin tim, konform Kushtetutës dhe ligjit.

Ju mendoni se është një rast pa zgjidhje...?
Unë po them se në këto kushte shtrohet problemi nëse do të konsiderohet vend vakant vendi i tij në Kushtetuese, ashtu siç mendohet dhe siç e parashikon neni 127 pika 3 e Kushtetutës, i cili thotë se me pëlqimin e Kuvendit, Presidenti emëron në këtë vend vakant një gjyqtar të ri. I cili qëndron në detyrë deri në përfundim të mandatit të gjyqtarit të larguar. Kjo zakonisht ndodh atëherë kur vendi mbetet vakant para mbarimit të mandatit të anëtarit të larguar, por në rastin konkret siç e thashë, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që mandati i tij ka mbaruar që më 2010. Prandaj diskutohen disa probleme me karakter juridik dhe kushtetues se si do veprohet në këtë rast.

Dhe si e mendoni zgjidhjen...?
Atëherë, do ta zgjidhin organet përkatëse që e kanë krijuar këtë precedent, në këtë gjendje ku ka shkuar puna. Shtrohet problemi nëse do të zëvendësohet ky vend vakant deri në fund të mandatit, apo një gjyqtar me mandat të plotë 9 vjeçar, pasi mandati i tij kishte mbaruar. Këto probleme mund të diskutohen, por pa qënë në gjendje për të njohur hollësira për çështjen, mund të mos thuash shumë gjëra të saktë.

Por Plloçi ka qënë kundër vendimit të Kuvendit për shtyrjen e mandatit...?
Nuk mund të them asgjë me siguri, dhe nuk di as citimin që ka bërë kjo gjykatë kohët e fundit rreth kërkesës së Presidentit që kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit të Kuvendit dhe që kishte kërkuar dekretet e tij për anëtarët e Kushtetueses të votoheshin nga Kuvendi, jo të shtyhej mandati i anëtarëve. Për të cilat unë mendoj se presidenti Topi kishte drejtë.

PËRPLASJA MES PRESIDENTIT DHE KUVENDIT, PËR EMRAT

Konflikti Presidencë-Kuvend lindi kur Parlamenti, më 23 qershor të vitit të kaluar, i ktheu mbrapsht Presidentit tri dekrete për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pas këtij veprimi, Kuvendi mori një vendim përmes të cilit pezulloi deri në 2013-n procesin e ripërtëritjes së anëtarëve të saj, me qëllim zbatimin e nenit kushtetues të ripërtëritjes së përbërjes së Gjykatës Kushtetuese 1/3 e saj një herë në 3 vjet. Deputeti i PD, Viktor Gumi, në muajin qershor 2011, i propozoi Kuvendit të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, ky institucion duhet të garantojë qëndrueshmërinë e tij në përmbushjen e funksioneve. "Parimi i qëndrueshmërisë në përbërjen e Gjykatës dhe parimi i garantimit të kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit kushtetues", u shpreh Gumi. Sipas tij, në bazë të vendimit, sanksionohet qartë se gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti dhe Kuvendi janë interpretuesit e parë të normës kushtetuese.

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni