Kushtetuesja i bindet Bashës,
ridërgon ligjin e përkthyer në Venecia

Kushtetuesja i bindet Bashës,<br />ridërgon ligjin e përkthyer në Venecia
Ashtu siç kërkoi Lulzim Basha në mesditë, Gjykata Kushtetuese nuk vonoi të ridërgonte të përkthyer edhe një herë ligjin e Vetingut në Komisionin e Venecias. Kreu i opozitës foli për gabime në përkthim, duke lënë të kuptohet se nuk do të pranonte variantin e rekomandimit të Venecias, duke ja faturuar këtë, gabimeve teknike në përkthim.

Edhe pse nuk bëhen me dije se cilat çështje, paragrafë apo fjalë janë përkthyer gabim, burime nga Gjykata Kushtetuese bëjnë me dije se ky institucion i nisi pasditen e së mërkurës një përkthim të ri Venecias, pasi kishte marrë të premten një ankesë me shkrim nga Partia Demokratike se varianti anglisht i ligjit të publikuar në faqen e Komisionit ishte i pasaktë dhe paragrafët thelbësore të tij nuk përputhen me variantin shqiptar të miratuar në Parlament.

Gjykata Kushtetuese konfirmoi se përkthimi i ri është bërë nga përkthyes të licencuar të Ministrisë së Drejtësisë. Ndërsa burime nga opozita bëjnë të ditur se versioni anglisht i çuar në Venecia është ai i misionit EURALIUS, marrë nga Gjykata Kushtetuese për të mos humbur kohë pas ankimimit nga Partia Demokratike.

Ky veprim duket i vonuar në mënyrë të pakuptimtë, pasi fillimisht PD kërkoi kohë bashkë me Gjykatën Kushtetuese për ta përkthyer ligjin, kur asokohe, ai ishte në anglisht në origjinal sic ishte përpunuar nga ekspertët e Euralius dhe OPDAT.

Por Lulzim Basha ka deklaruar në grupin parlamentar të opozitës se ky version nuk paraqet versionin final të ligjit dhe se ka ndryshime thelbësore mes versionit të parë me përkthimin e ri. Për këtë arsye, Partia Demokratike i ka dërguar po të mërkurën një letër Komisionit të Venecias.

Mësohet se në letrën që Oerd Bylykbashit ka dërguar në emër të opozitës, i thuhet Komisionit të Venecias se ka ndryshime mes versioneve, duke shprehur bindjen se një opinion i saj sipas versionit të parë me 17 nene të përkthyera keq do të çonte në një gjykim të gabuar. Por ligji nuk është problemi i vetëm i Partisë Demokratike.

Sipas saj, edhe Kushtetuta në anglisht, që është publikuar në faqen e Venecias, është e ndryshme nga Kushtetuta që ka miratuar me konsensus Kuvendi i Shqipërisë. Opozita ngre shqetësimin se, në 3 nenet që lidhen me Vetingun ka ndryshime të tilla që mund të manipulojnë dhe të ndikojnë opinionin e Venecias.

Partia Demokratike thotë se ka konfirmuar zyrtarisht se versioni i Kushtetutës në anglisht nuk është çuar në Venecia as nga Kuvendi, as nga Gjykata Kushtetuese dhe as nga Ministria e Drejtësisë dhe si i tillë mbetet ende i paidentifikuar burimi prej nga e ka marrë Venecia. Bashkë me këto dyshime, opozita i ka dërguar Komisionit një version të sajin në anglisht të Kushtetutës, duke shpresuar që ai të merret parasysh përpara vendimit final.
 
dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Ndërron jetë në moshën 88-vjeçare aktori dhe producenti i njohur francez Alain Delon

Ndërron jetë në moshën 88-vjeçare aktori dhe producenti i njohur francez Alain Delon