Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, grupi i deputetëve kërkonte:
“1. Deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr.354, datë 04.06.2014 të Këshillit të Ministrave “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI për regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme”.
2. Pezullimin e vendimit nr.354, datë 04.06.2014 të Këshillit të Ministrave “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI për regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme””.
Pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushteuese vendosi “të urdhërojë pezullimin e zbatimit të vendimit nr. 354, datë 04.06.2014 të Këshillit të Ministrave “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI për regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme” derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”.
Reagimi
Pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike. Nëpërmjet ish-ministrit të drejtësisë, Eduard Halimi, PD e përshëndeti vendimin duke shtuar se kryeministri kërkonte që të hynte në jetën private të qytetarëve. “Vendimi për të përgjuar komunikimet elektronike dhe korrespodencën personale të gjithkujt ishte antikushtetues dhe antieuropian pasi cenon hapur të drejtën kushtetuese për mbrojtjen e jetës private dhe të dhënave personale. Zbatimi i vendimit të gjykatave ka të bëjë me themelin e demokracisë, dhe kjo është një betejë që Partia Demokratike do ta bëjë çdo ditë, pa u lodhur, në emër të interesave të vendit”, deklaroi Halimi.
Precedenti
Opozita dhe mazhornaca janë përballu disa herë në Gjykatën Kushtetuese. Që me marrjen e mandatit qeverisë rreth një vit më parë, qeveria e kryesuar nga Edi Rama është përplasur disa herë me opozitën për vendime dhe projektligje. Aktualisht Partia Demokratike po përgatitet për të depozituar pesë padi të tjera në Kushtetuese si ligjin për ndarjen territoriale, për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës, Gjykatën Administrative dhe për Policinë e Shtetit.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)