Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Arben Malajt për të hedhur poshtë vendimin e Kuvendit, i cili e shkarkoi Malajn nga pozicioni i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ish-ministri dhe ish-deputeti socialist u shkarkua me propozim të grupit parlamentar të Partisë Socialiste në 18 dhjetor të 2019, me argumentin se ka mbajtur qëndrime personale politike, të cilat nuk lidhen me politika mbikëqyrje të Bankës së Shqipërisë. Më parë, në 12 mars 2019, qeveria, me propozim të kryeministrit Edi Rama vendosi pezullimin e Malajt nga detyra si dhe i propozoi Kuvendit shkarkimin e tij. Në 15 korrik 2019, edhe grupi parlamentar i PS i propozoi Kuvendit shkarkimin e Malajt.

Malaj i kërkoi Gjykatës Kushtetuese rrëzimin e vendimit të shkarkimit me pretendimin se është cenuar pavarësia e Bankës së Shqipërisë, është cenuar e drejta për proces të rregullt ligjor, është cenuar e drejta për të mos u dënuar pa faj dhe e drejta për t’u prezumuar i pafajshëm, si dhe është cenuar e drejta e lirisë së shprehjes. Në 3 korrik 2020, trupa gjykuese pranë Gjykatës Kushtetuese, e përbërë nga Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Marsida Xhaferllari, në dhomë këshillimi, ka vendosur që kërkesa e Malajt të mos kalojë për shqyrtim në seancë plenare.

Sipas vendimit, Malaj duhet t’u drejtohet gjykatave të tjera të të juridiksionit të zakonshëm për të vendosur në vend të drejtën e tij. “Kolegji vlerëson se kërkuesi, për mbrojtjen e të drejtave të tij, ka në dispozicion mjete të tjera juridike pranë gjykatave të juridiksionit të zakonshëm, të cilat ofrojnë premisa suksesi në drejtim të efektivitetit. Vetëm pas shterimit të tyre kërkuesi mund të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese me anë të ankimit kushtetues individual. Kontrolli kushtetues që kryen Gjykata Kushtetuese ka karakter subsidiar, çka nënkupton se ai nuk mund të ushtrohet pa u shteruar kontrolli i zakonshëm gjyqësor”, thuhet me vendim.