Kushti i Bashës për konsensusin,
një lloj refuzimi

Kushti i Bashës për konsensusin,<br />një lloj refuzimi
Çështja e ngritjes së një komisioni parlamentar posaçërisht për të përcaktuar drejtimet dhe detajet e realizimit të reformës administrative – territoriale, nuk duket të realizohet shumë shpejt, megjithëse kjo reformë është një nga ato pesë të rëndësishmet, për zhvillimet akute dhe perspektive të vendit. Njëkohësisht, kjo reformë është një objektiv ende i paplotësuar në listën e 12 kritereve të parashikuara, që Komisioni Evropian ka rekomanduar tre vjet rresht, për të përmbushur thuajse plotësisht mundësinë e akordimit Shqipërisë të statusit zyrtar të Shtetit kandidat për në BE. Në këtë drejtim, nuk ka munguar as solidariteti dhe as asistenca (edhe ajo financiare) e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si edhe ato të disa shteteve anëtare të Unionit Evropian, pa harruar të përmendet oferta e Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet një prej Agjencive më prestigjioze të Organizatës së tyre - PNUD.

Në këtë klimë të ngrohtë bashkëpunimi të përmasave mjaft të gjera, mazhoranca qeverisëse aktuale ka treguar dhe po shfaq vazhdimisht vullnetin e saj politik për zbatimin e kësaj detyre, duke qenë e gatshme madje që komisioni parlamentar përkatës të kryesohet bashkërisht me një përfaqësues të opozitës dhe të përbëhet me numër të barabartë anëtarësh - deputetë nga të dyja palët kryesore të politikës shqiptare. Ndërkohë që kujton se, tek e fundit, ajo i ka 3/5 – t e votave në Kuvend, për miratimin e ligjit të ri për ndarjen administrative të Republikës, siç e parashikon neni 81/2 i Kushtetutës. Mirëpo, nga krahu i djathtë ende nuk po i jepet përgjigje përfundimtare ftesës së mazhorancës, në tentativë për ta bllokuar frymën konsensuale që në fillim të ndërmarrjes së kësaj reforme, ashtu sikurse pothuajse të gjithë aktivitetin e Kuvendit të Shqipërisë.

Edhe pas takimeve të herë pas hershme të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë me Kryetarin e Partisë Demokratike, pritshmëritë për arritjen e konsensusit në këtë drejtim, deri tani nuk janë dhënë prova të besueshme. Pra, bihet dakord mbi rëndësinë e kësaj reforme për interesat e të gjithë popullisisë, ndërsa menjëherë nxirren bishta që i kthejnë deklaratat në një retorikë politike të padurueshme. Një të tillë prodhoi edhe Tryeza e fundit e PD  me përfaqësuesit e biznesit, të cilët i kërkuan Bashës mbështetjen për realizimin e kësaj reforme, kurse ai ua mbylli gojën kësisoj (citoj): ”Kemi insistuar se do e bëjmë për respektimin e një parimi konsensual, pa të cilin nuk do të ketë sukses. Reforma ndryshe do të ishte përjashtuese, ne nuk i ikim parimit të konsensusit, sikundër mirëpresim sugjerimet tuaja dhe presionin tuaj ndaj mazhorancës, për të kuptuar se konsensusi nuk është luks, por domosdoshmëri”(?).

Ishte i përgatitur apo i befasuar Lulëzim Basha për këtë rrjedhë që morën bisedimet në Tryezën e fundit të organizuar nga Partia e drejtuar qoftë edhe veçse formalisht prej tij, kjo nuk ka ndonjë rëndësi për të shpjeguar përgjigjen e paqartë që u dha bashkëfolësve të vet. Nuk ka ndonjë rëndësi, sepse vetëm një ditë përpara asaj Tryeze, Lulëzim Basha deklaroi në Konventën e të zgjedhurve vendorë nën siglën e PD, se: ”Reforma territoriale që është njëkohësisht reformë elektorale dhe reformë e pushtetit vendor nuk mund të hedhë asnjë hap legjitim përpara pa rivendosur konsensusin e plotë në çdo hallkë të vendimmarrjes midis mazhorancës dhe opozitës”.

Mirë, por kush e pengokërka konsensusin? Mos vallë duhen vënë në dyshim ato që shpjeguam më sipër? Të mos nxitohemi, le të përqendrohemi te fjalia vijuese e tij në Konventë (përsëri citoj): ”Ne do të nisim një tur të gjatë konsultimi përmes të zgjedhurve vendorë, përmes këshilltarëve të majtë e të djathtë të çdo komune e bashkie me qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të cilët kanë dhe do të kenë përgjithmonë të drejta sovrane për të vendosur dhe ratifikuar çdo ndarje dhe bashkim territorial në territorin e kësaj Republike”.

Theksimi që i bëmë dy fjalëve në ligjëratën e mësipërme, ndoshta na jep mundësinë që të komentojmë pasaktësinë dhe kotësinë e deklaratave të tilla. Njëkohësisht, synimin e mosdhënies së konsensusit gjoja në emër të konsensusit. Konkretisht, dihet që kontrata themelore e qytetarëve të kësaj Republike me organet shtetërore të saj është Kushtetuta, nëpërmjet së cilës shtetasit përveç të drejtës për të dhënë mendimin e tyre në këtë fushë, pra për t’u dëgjuar edhe ata sëbashku, nuk pretendojnë që të vendosin dhe t’i miratojnë ata, veçse ata, kufijtë e ndarjeve të njësive administrative – territorale. Kushtetuta në nenin 108/2 shprehet, se: ”Ndarjet administrative – territoriale të njësive të qeverisjes vendore caktohen me ligj mbi bazën e nevojave të interesave të  përbashkët ekonomikë dhe të traditës historike. Kufijtë e tyre nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në ’to”.

Pra, kur është fjala për një ndarje të tillë është detyrim i organeve shtetërore vendimmarrëse, në këtë rast i Kuvendit të Shqipërisë, që të mos injorohen opinionet dhe opsionet e shfaqura nga qytetarët. Por, sikurse është bërë prej kohësh e qartë, shteti i së drejtës konsiderohet si mjeti me anë të të cilit sistemi i vlerave demokratike depërton në mekanizmat juridikë. Në të kundërtën, ai shndërrohet në shtet të së padrejtës, me të cilin kuptohet edhe vënia në lëvizje e kaosit dhe anarkisë, çka vjen në kundërshtim me sistemin e vlerave demokratike. Ndërsa, shteti i së drejtës, duke respektuar normat kushtetuese dhe duke qëndruar brenda kufijve të tyre, nëpërmjet veprimtarisë ligjvënëse të tij siguron garantimin e të drejtave të njeriut, nën kontrollin e një organi specifik për të verifikuar pajtueshmërinë midis ligjeve dhe këtyre të drejtave.

Nga ky vështrim, për të arritur deri në miratimin e ligjit përkatës, me shumicë të cilësuar të votave në Kuvendin e Shqipërisë, një rrugëzgjidhje e pranueshme nga i gjithë spektri i politikës do të ishte organizimi i takimeve me qytetarët apo përfaqësues të tyre në çdo zonë, harta e të cilave piketohet me ndryshime kufijsh. Për të vënë në jetë demokracinë e drejtpërdrejtë, mund të pretendohet organizimi i një referendumi. Por, sipas nenit 151/2, çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, sikurse edhe ato për kufizimin e lirive dhe e të drejtave të qytetarëve, nuk mund të shtrohen në asnjë referendum.

Për ndryshim territoresh të veçanta mund të aplikohet forma e referendumit vendor, që në këtë rast do duhej të organizohej në mënyrë të shumëfishtë, nëpër shumë zona, çka për kohën e mbetur do të ishte praktikisht e pamundur. Prandaj, kushti i ri i Bashës për të arritur konsensusin merr trajtën e një refuzimi të thithjes së kësaj fryme demokratike nga ana e tij dhe e bashkëpunëtorëve të vet të ngushtë të forcës politike opozitare që ai është caktuar të drejtojë.             
 

Shkrimi u publikua sot (02.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale