SELENICE- Segmenti prej 15 kilometra i konsideruar si investim i rëndësishëm për lidhjen e fshatrave të Mallakastrës me fshatrat e Selenices dhe me autostradën Levan–Tepelenë sot paraqet rrezik për qarkullimin e automjeteve.

Në disa pjesë të rrugës "Poçem-Vllahinë" janë shfaqur çarje të theksuara të asfaltit, deformime të trupit te rruges dhe dhe ulje të ndjeshme të nivelit të saj. Ky segmendet prej rreth 400 metrash ndodhet pranë fshatit Karbonar.

Si pasojë e lëvizjes së tokës, përveç dëmtimit të rrugës, rrezikohen edhe tokat bujqësore përreth si dhe disa prona private përgjatë këtij segmenti.

Situata bëhet edhe më alarmante pasi një banesë, e ndërtuar në kodër mbi segmentin e dëmtuar, rrezikon shembjen për shkak të zhvendosjes së tokës. Banorët kërkojnë ndërhyrje emergjente për stabilizimin e terrenit, ndërtimin e mureve mbajtëse, sistemimin e skarpateve dhe rehabilitimin e plotë të rrugës.

Aktualisht, qarkullimi i automjeteve në këtë aks kryhet me shumë vështirësi.

Punimet për ndërtimin e aksit Vllahinë–Poçem janë realizuar dy vte me parë, me një investim prej rreth 4.7 milionë eurosh nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Probleme të ngjashme janë shfaqur edhe në aksin Kuç–Qeparo, ku rrëssqitjet e dherave kanë krijuar veshtiresi në qarkullim. Prej ditës së djeshme kanë nisur ndërhyrjet për pastrimin e materialeve të rëna dhe stabilizimin e zonës, por lëvizja vijon të kryhet me vështirësi.