Në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se “me një urdhër të ministres së Shëndetësisë, disa inspektorë të paautorizuar po ushtrojnë kontroll në këtë godinë, përfshirë edhe në vendet e punës së deputetëve”. Ai theksoi se në zyrat e deputetëve “nuk mund të hyjë askush për kontroll pa leje, as prokurori e as policia”, duke e cilësuar veprimin si shkelje të rëndë të imunitetit parlamentar.
Pas një ndërprerje të seancës prej 5 minutash, kryeparlamentari Niko Peleshi tha se inspektimet po kryhen në përputhje me kuadrin ligjor për ndalimin e duhanpirjes në ambientet e mbyllura.
“Sipas ligjit, nuk po veprohet në kundërshtim me asnjë procedurë. Bëhet fjalë për kontrolle lidhur me duhanin në ambientet e brendshme. Inspektorët do të jenë të pranishëm edhe në një moment tjetër, pasi ta kemi shqyrtuar çështjen sipas rregullores,” u shpreh Peleshi.
Lajmi kryesor:
Seanca maratonë në Kuvend/ Miratohen ndryshimet në Këshillin e Integrimit, bashkëdrejtim PD-PS, opozita shpall bojkotin: Doni të na hiqni rolin











