Kuvend, PD: Duam votim
elektronik, PS:OSBE arbitë

Kuvend, PD: Duam votim<br />elektronik, PS:OSBE arbitë
TIRANË-Parlamenti ka nisur seancën e sotme me debate mbi votimin elektronik.

PD teksa adreson akuza ndaj qeverisë, i mëshon kërkesës për votimin elektronik në zgjedhjet e Qershorit, kurse e majta i përgjigjet se arbitër është OSBE dhe për këto kriteret vendos ky organizëm.
E në fakt, OSBE pak ditë më parë, përmes ambasadorit të saj në Shqipëri, është shprehur se votimi elektronik është i pamundur. 

Ora 13:45 Patozi: Të hapen dosjet për 140 deputetët dhe drejtuesit e mediave
Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi i kërkon Ilir Metës që ligji i hapjes së dosjeve të nisë nga 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe më pas në pjesën tjetër të administratës.
 
Patozi u shpreh se duhet të ndahemi me të kaluarën komuniste duke publikuar emrat e të gjithë bashkëpunëtorëve të shtetit që sot mund të jenë në parlament dhe të atyre që mund të pretendojnë.
 
Astrit Patozi në vijim të deklaratës së tij tha se hapja e dosjeve për deputetë ka lidhje edhe me zgjedhjet për të ëbrë transparencë për të gjithë emrat.
 
"Të hapen dosjet për 140 deputetë e Shqipërisë dhe më pas administratës. Sigurisht kryetari i Kuvendit nuk e ka detyrim, por ligji nuk e pengon, flas në emrin tim personal.
 
Duhet të zbardhet e kaluara, ligji për hapjen e dosjeve të shoqërohet edhe me lustracionin.
 
Ne duhet të ndahemi me të kaluarën komuniste. Kjo, ka lidhje edhe me zgjedhjet, sepse nisja e transparencës nis nga parlamenti, me të kaluarën mund t'u mbyllte rrugën atyre që mund të rezultojnë të ftohur nga hapja e dosjeve.
 
Ligji nuk e ndalon që të jenë në Kuvend, më duket 'non sens', pasi po heqim mandate për ata që janë kapur me patenta false dhe jo për ata që kanë spiunuar gjysmën e Shqipërisë, por nëse dalin emrat besoj që nuk do të kandidonin.
 
Ish- bashkëpunëtorët e sigurimit që mund të binin tani në site, mund të dekurajonin edhe të tjerët që pretendojnë të hyjnë, por edhe të tjerë që janë.
 
Do të sensibilizonte edhe kryetarët e partive tona, që para se ta firmosin ta dërgonin te Gena Sula, se mbase ngecte ndonjëri në rrjetë.
 
Por mbi të gjitha do të shërbente si model për instiucionet e tjera, qofte edhe private, që këtë ta aplikonin edhe institucione të tjera.
 
Ligji nuk e pengon një ish-bashkëpunëtor të sigurimit të qëndrojë në detyrë, por publiku duhet ta marrë vesh" tha ai.
 
Deputeti i PD, Patozi u shpreh se ligji duhet të aplikohet përveç Kuvendit dhe administratës edhe në media, pasi sipas tij ka drejtues dhe analistë që bëjnë moral, por mund të jenë të zhytur në llumin e bashkëpunimit me ish-sigurimin e shtetit.
 
"Po marr mediat, kanë nevojë për një transparencë të plotë, pasi ka fjalë që disa nga bajlozët e mediave kanë 27 vite me radhë që shesin moral dhe që mund të jenë të zhytur në llumin e bashkëpunimit me sigurimin e shtetit.
 
Shpresoj që edhe cdo gazetar, analist dhe opinionist të kalojë në sitën e këtij autoriteti dhe kush është i ndyrë të ndahej nga kjo.
 
Ftoj Metën të aplikonte në emër të parlamenti për ta filluar hapjen e dosjeve te 140 deputetët e Shqipërisë" përfundoi ai.

Ora 13:06 Beqaj: Rimbursim të ilaçeve për 600 mijë të pasiguruar
Ministri Ilir Beqaj u është përgjigjur akuzave të Albana Vokshit për shëndetësinë falas, rimbursimet dhe virusin e gripit.
 
Beqaj u shpreh se PD është kundër rimbursimit të ilaçeve me rimbursim të 600 mijë të pasiguruarve, ndërsa përsa i përket virusit të gripit tha se qeveria reagoi në kohë.
 
"Ajo që u angazhuam dhe u bë e mundur me një vendim të qeverisë. Njerëzit që nuk janë siguruar do të marrin barnat falas. Nëse ju jeni kundër kësaj, kjo është zgjedhja juaj, do të na e bëni më të lehtë zgjedhjen.
 
Edhe 4 muaj para zgjedhjeve nuk e keni as fotografinë e Shqipërisë së sotme dhe nuk e keni ditur se cfarë ka ndodhur. Janë edhe sot 630 mijë persona të siguruar drejtpërdrejt, një grup sigurohet në mënyrë indirekte dhe të gjithë bëjnë 2.3 milionë.
 
Përsa i përket gripit, erdhi 4-6 javë më shpejt, por ka pasur edhe rënie të shpejtë, se reaguam në kohë, pasi nuk lejuam grumbullimet masive, mbyllëm shkollat.
 
Vaksinat në fund të vitit erdhën falas, nuk janë prokuruar, janë shpërndarë me letër shqip. Në kushte gripale, bie imuniteti dhe ata që kanë ndërruar jetë kanë qenë të sëmurë kronikë
" tha Beqja.
 
Ora 12:45 Replikë për Berishën, Ruçi: Perëndimi e hoqi votimin elektronik
Ruçi ka replikuar me Berishën duke thënë se edhe vendet perëndimore e kanë hequr votimin elektronik, ndërsa përsa i përket votimit të emigrantëve, kreu i grupit të PS kujtoi se ka qenë e majta që ka kërkuar që në qershor që ata të votojnë, por PD heshti.
 
"Askush nuk të beson ty. Sot  nuk je kryetar partie, por je edhe kryetar partie dhe kryetar grupi.
 
Shqiptarët nuk janë as somalegë dhe as ganezë, shqiptarët duan të shkojnë në Holandë, ku është arsimuar kryetari jot, shqiptarët duan të shkojnë në Francë dhe të votojnë si francezë, e cila e ka hequr votimin elektronik, po ashtu edhe Gjermania.
 
Është hera e tretë që po e them, kemi një arbitër se jemi një vend që nuk shkëlqejmë në zgjedhje prej 25 vitesh.
 
U kërkova të ulen me OSBE dhe nëse ata marrin përgjegjësinë, bujrum, ne jemi dakord, nuk kemi asnjë shqetësim dhe këtu mbyllet cështja.
 
Në 2009 dhe 2011 në dritë të diellit u numëruan me kamera dhe rezultoi me 10 vota dhe ti e përmbyse.
 
Lidhur me votimin e emigrantëve. Në qershor Balla hodhi idenë për votimin e emigrantëve, ndërsa ju asnjë fjalë, pasi nuk ishit dakord dhe i hidhni sot
" tha Ruci.

Ora 12:30 Berisha: Rama urdhëron Gjykatat, do më lironi Aldon Baren ose do ju bëhet Vetting
Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar qeverinë si bashkëpunëtore me bandat e krimit, ndërsa theksoi se votimi elektronik do të ishte zgjidhja përfundimtare për gjithë problemet që, sipas tij, ka sot qeverisja aktuale.

“Ju e keni mëndjen si të lirojmë Aldo Baren, sesi të shpëtojmë bodiguardin që vrau Besnik Pudjan. Se ju mbroni surrelsin. Ky është vrasës vetë. Të këqiat nuk kanë fund, duhet zgjidhje, nqs nuk ka alternativë zgjedhje, të mobilizojmë zgjedhjet, të vendosim votimin elektronik”.

Sipas Berishes për lirimin e Aldo Bares, kryeministri po kërcënon gjykatat me Vettingun.
"Nëse apriori  e hidhni poshtë kërkesën e opozitës bindni opozitën se vetëm zgjedhje të drejta s’mund të ketë. Ju drejton armiku më i egër pas kohës së diktaturës.  Ju drejton njeriu si Asadi i Sirirë. Kështu zgjidhni dhe votimin e emigrantëve.

Kryetari juaj e di që përfundon në koshin e plehrave të historisë e nuk ka si ta pranojë kurrsesi sepse është angazhuar në një proces kriminal të lirimit të Lul Berishës, Aldo Bares, atë e menaxhojnë bandat e bandidatë. Ju s’ju pyet fare.

U drejton gjyqtarëve Vettingun, ose do më lironi Aldon ose do ju bëhet Vetting.
Dhe me hakmarrjen për drejtësi po bën të njëjtën gjë si me Aldo Baren. Do votojmë apo do i nënshtrohemi një njeriu që i është nënshtruar kapos së Meduzës".


Ora 12:20 Ruçi: Votimi elektronik vetëm nëse OSBE jep 'OK'
Kryetari i grupit të PS, Gramoz Ruçi iu përgjigj kërkesës së Halimit për votimin elektronik duke u shprehur se mund të bëhet vetëm nëse OSBE do të japë miratimin.
 
Ruçi fajësoi opozitën për këtë çështje, pasi i kujtoi se kur kanë qenë në pushtet kanë qenë kundër votimin elektronik dhe se ngritja e kësaj cështje tani është një alibi për humbjen në 18 qershor që i pret.
 
"Unë e kuptoj që fushata ka filluar dhe këto muaj ligjëratat tuaja do ti politizoni. Sigurisht që dua ti paragjykoj apo jo është e drejta ime zoti Berisha, por jeni katandisur keq, pasi po e shikoni te një rezolutë e simotrave tuaja që është normale.
 
Por kjo nuk u jep votë. Ore ku janë ata 19 deputetët e inkriminuar, por deri sot skam dëgjuar asnjë emër. Thoni një emër, por mos shpifni. Kush ka marrë poste në parti nga Rama, pasi është hequr?
 
Keni kohë që nxorët alibinë për votimin elektronik. Kur ne e kërkuam, ju me vështirësi pranuar pilotimin e numërimit dhe jo votimit dhe nuk ishit në gjendje ta realizonit. Atë që se bëtë ju dot për dy vite resht, kërkoni të bëhet tani, dhe e dini se nuk bëhet prandaj e kërkoni.
 
E keni alibi, pasi Kodin dhe listat e zgjedhësve i keni bërë vetë dhe sot nuk keni asnjë rezervë. ID i keni vetë me kompaninë qe e keni zgjedhur vetë, Berisha i cilësoi më të sigurta.
 
Komisionerët i keni ju 4-3, Kolegjin Zgjedhor e keni bërë sikur donit ju... OSBE na ka vënë në tavolinë një raport dhe detyra ishte zbatimi i rekomandimeve që ata kanë bërë.
 
Kërkesa për votim elektronik është një alibi e juaja për humbjen në zgjedhjet e qershorit. Nëse OSBE jep miratimin dhe jep garancinë për votimin elektronik ne jemi plotësisht dakord
" tha Ruci.

Ora 12:05 Halimi: Votimi elektronik shpëtim për zgjedhje. Vendi plot me krim e kanabis
Deputeti i PD, Eduart Halimi në një fjalë të tij në hapje të seancës parlamentare ngriti çështjen e votimit elektronik. Duke u ndalur tek rezoluta e partive të PPE në BE, Halimi tha se, kjo rezolutë bëri thirrje për zgjedhje të lira e të ndershme dhe më pas u ndal tek Dekriminalizimi.

Dy ditë më parë PPE, që ka shumicën në BE diskutoi dhe miratoi një rezolutë për Shqipërinë, që bëri thirrje për zgjedhje të lira e të ndershme. Dekriminalizmin e parlamentit. Dua ta bëj të qartë se nuk mund të ketë zgjedhje normale pa i legjitimuar vota e lirë dhe e ndershme. Kemi 10 muaj që disktuojmë për reformën zgjedhore. Votimin elektronik e kërkuam në maj të vitit 2016. Se nuk e dinim se vendi do të mbulohej me drogë. Këtë bëri Edi Rama me 18 deputetët me rekorde kriminale që i solli këtu dhe i përdori sa kundër opozitës e sa kundër të vetëve që e kundërshtonin brenda pS.
një vit më parë, opozita mendonte se do merrte fund futja e kriminelëve në parlament me dekriminalizimin. Por Rama dhe sot ushkel syrin. U ngre traun në dogana të kalojnë kontrabandë.

Beteja për zgjedhje e lira, nuk është për pushtet, por që vota e tyre të lexohet.
 
Koha për reformën zgjedhor ngushtohet akoma më shumë. Zgjidhja e korrupsionit dhe largimit të krimit është votimi elektronik.Ta bëjmë sot, që të jetë përgjithmonë për të shpëtuar Shqipërinë nga krimi dhe ndikimi në zgjedhje.
 
Nuk mund të ketë zgjedhje normale nën kërcënim elektoral dhe banditëve të kanabisit me leje qeveritare. Koha e pamjaftueshme është alibi, votimi elektronik është domosdoshmëri
”, tha ndër të tjera Halimi.

Ora 12:00 Betohen dy deputetët e rinj
Seanca nisi me dy deputetët më të rinj të Kuvendit Flamur Çela dhe Edmond Zeno që kanë bërë betimin pas kalimit të mandatit nga KQZ. Flamur Çela mori mandatin e ish-deputetit të LSI, Shkëlqim Selami të cilit iu hoq për shkak të prekjes nga ligji i dekriminalizimit. Ndërsa Edmond Zeno nga listat e PDIU, ka zënë vendin e Dashamir Tahirit, që po ashtu u prek nga ligji për pastërtinë e figurës.

Në rendin e ditës janë planifikuar për diskutim disa projektligje dhe marrëveshje, nga akti normativ për buxhetin, projektligji për sigurinë kibernetike, që pritet të sjellë debate për votimin elektronik, projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të ministrave të Republikës së  Shqipërisë  dhe  Qeverisë  së  Republikës  Federale  të  Gjermanisë,  për  bashkëpunim  financiar  2010,  për  projektin  “linja  e  transmisionit  400  kv  Shqipëri – Maqedoni” etj.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?