ORA 17: 55 - PATOZI: PRESIDENTI I RI, JO KUNDËRSHTARI YNË
“Shqipëria është një jo dy. Ka pasur zhvillime pozitive dhe vazhdon të ketë nevojë për më shumë punë. Por nuk mund të themi se janë 100 vite të cuara dëm vetëm se Edi Rama nuk është në pushtet. Ky 100 vjetor duhet të jetë cdo ditë punë, secili me funksionin që disponon të luajë rolin e tij. Mazhoranca do të bëjë cdo gjë nga ana e saj që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat”, tha Patozi.
Ai tha se debati i hapur për zgjedhjen e presidentit është i parakohshëm.
“Ky është seksioni i zgjedhjes se presidentit, ndaj e shohim të parakohëshëm debatin që ka nisur, pasi fryma e Kushtetutës nuk e lejon, fryma e saj është të mos e lërë vendin në krizë. Bamir Topi është zgjedhur pas dy raundesh. Debati është hapur nga opozita dhe presidenti në detyrë", tha kreu i grupit kuvendor demokrat.
ORA 17: 45 - RUÇI: DUAM PRESIDENT MBI PALËT
“Ky 100-vjetor e gjen shtetin shqiptar pa shtet në shërbim të qytetarëve. E gjen vendin në krizë, ku rritja ekonomike ka ndalur, ku korrupsioni dhe kapja e shtetit jane evidente,. E gjen me një papunësi në rritje, me një varfëri të shtuar dhe mbi të gjitha me një të ardhshme të rrezikuar. 100- vjetori e gjen shtetin shqiptar në udhëkryqyin: diktaturë bjelloruse apo rrugë drej Europës", tha kryetari i grupit kuvendor socialist.
“Viti i 100 vjetorit është viti i zgjedhjes së Presidentit, kemi dëgjuar mjaft argumente, por ju them se ju dhe ne kemi detyrimin tonë që të paraqesim vizionin tonë për Presidentin. Si mund të zgjidhet ndryshe Presidenti?! Jashtë Kushtetutës... askush nuk kërkon që të zgjidhet jashtë Kushtetues. Por juve u mungon legjitimiteti politik si maxhorancë. Presidenti i Republikës, është kryetari i shtetit dhe përfaqëson qytetarët, zgjedhja e tij me 3/5 e votave tregon se është fryma e kushtetutës, dhe kërkon jo unitetin e një maxhorance të thjeshtë, por zgjedhja e tij me 3/5 e votave synon materializimin e frymës kushtetuese”, u shpreh më tej Gramoz Ruçi.
Në këtë linjë ai theksoi se Partia Socialiste kërkon një President që të jetë mbi palët dhe jashtë palëve dhe të tregojë respekt të vazhdueshëm për Kushtetutën dhe shtetin ligjor, me moral të lartë si qytetar e si politikan.
ORA 17: 30 - TOPALLI: ME OPOZITEN DO VOTOJME REFORMAT
Në fjalën hapëse kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli vlerësoi si pozitiv bilancin e sesionit parlamentar të vitit 2011 ndërkohë që u shpreh optimiste për vitin 2012.
“Ky që po fillojnë është sesioni i 6 i kësaj legjislature. Bilanci ka qenë i sukseshëm, pasi me votën tuaj është kaluar ligji për lëvizjen e lirë. Gjatë këtij mandati janë miratuar 400 ligje. Këto reforma na kanë shpëtuar nga kriza që ka mbërthyer Europën. Në këtë 100 vjetor kemi arsye të themi që Shqipëria ia ka dalë, sdhe se rritja ekonomike është inkurajuese”, tha ajo.
Kryeparlamentarja Topalli nënvizoi se kalendari i punës për sesionin e ri parlamentar parashikon miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar.
“Kalendari, ka disa ligje që kërkojnë votën e opozitës, pa votën e tyre ato nuk miratohen. Ekonomia dhe përmisimi i jetës, ulja e varfërisë është synimi jonë për këtë vit. Ju uroj suksese dhe punë të mbarë”, deklaroi Topalli.
KODET, THEMBRA E AKILIT
Në mbledhjen e ditës së mërkurë mes kryetarëve të grupeve parlamentare, palët nuk kanë rënë dakord për miratimin e 3 kodeve të cilat, kërkojnë 3/5 e votave. OPozita kërkoi kohë për shqyrtimin e tyre, kërkesë e cila nuk u aprovua nga të djathtët. Kjo bëri që të largohej nga salla kryetari i grupit kuvendor socialist, Gramor Ruçi.
Kësisoj, Konferenca e Kryetarëve me shumicë votash përcaktoi si datë të parë të shqyrtimit në seancë plenare të këtyre pr/ligjeve, datën 2 shkurt 2012-të, në rendin e ditës së të cilës do të përfshihet shqyrtimi i Kodit civil. “Për shkak të refuzimit të përfaqësuesve të PS-së për të filluar punën me këto pr/ ligje, Konferenca e Kryetarëve miratoi kalendarin e ri të punës, pa konsensus”,- thuhej në njoftimin e Kuvendit. Ndërsa më pas, në emër të grupit parlamentar të PSsë, sekretari Taulant Balla u shpreh se, “Të gjitha këto projektligje janë prej kohësh tashmë pjesë e punës së përditshme të përfaqësuesve socialistë në Komisionin e Ligjeve, të cilët po përgatisin qëndrimin tonë në atë komision për secilin nga projektet e paraqitura nga qeveria”.
(aq/shqiptarja.com)