Kuvendi ka miratuar me 75 vota pro, 20 kundër dhe 0 abstenim projektligjin “Për Marrëveshjen Fiskale’. Edhe pse Komisioni i Ekonomisë i dha dritën jeshile propozimit të Erion Braçes që kompanitë që do të përfitojnë nga paqja fiskale duhet të deklarojnë burimin e parave dhe pronarin përfitues, me propozim të Taulant Ballës ky ndryshim u hoq në kuvend.

“Do të votojmë amendamentin e paraqitur nga deputeti Taulant Balla, ku propozohet që neni dy paragrafi përfitimi nga marrëveshja, bëhet me verifikimin e burimit të fondeve dhe pronarit përfitues sipas standarteve të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, i shtuar nga Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat të hiqet”, tha kryetari i Kuvendit Niko Peleshi.

Projektligji për ‘Marrëveshjen e Paqes Fiskale’ parashikon lidhjen e një marrëveshje mes bizneseve të mëdha dhe tatimeve për të negociuar fitimin. Konkretisht mbi fitimin e deklaruar të një biznesi këtë vit, do të shtohet një marzh 18% në 2026-ën, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%.

Braçe ka kërkuar edhe në kuvend që të gjitha bizneset që do të rrisin deklarimet duhet që të vërtetojnë burimin e parave për të mos ligjëruar pastrimin e parave.

““Propozimet që kam bërë, thellojnë karakterin e ligjit. I jep mundësi të gjithë atyre që kanë mashtruar shtetin me fitimin, me të ardhurat, me bilancet financiare, i jepet mundësia për deklarim real për të përfituar nga paqja. Të gjtihë propozimet që kam bërë ndajnë thelbin e ligjit me mundësinë për të pastruar para. Secili propozim i bën mirë ligjit në këtë aspekt. Një subjekt që prë 20 vite ka deklaruar 3% normë fitimi, nuk mund të vijë e të deklarojë 19% fitim, dhe të përfitojë 5% për atë atë 1% mbi 18%. Po duhet ta thotë edhe burimin e të ardhurat. Edhe ato që u morën parasysh në komision dhe u rrëzuan tani heqin mundësinë për pastrim parash, dhe i japim ligjit karakter transparence”, thotë Braçe.

Edhe propozimi për të përjashtuar kompanitë që kanë marrë koncesione nga kjo paqe, u rrëzua.

“Kam kërkuar që kush merr koncesione dhe PPP nuk duhet të përfitojë nga kjo marrëveshje fiskale”, tha Braçe. U rrëzua me 73 vota kundër dhe vetëm 22 vota pro.

Kurse PD-ja kërkoi që nga Paqja Fiskale të jetë i përjashtuar sektori i ndërtimit, si dhe tatimi për ata që deklarojnë mbi 18% të fitimit të dakordësuar të jetë 10%. Por as këto nuk morën dritën jeshile në Kuvend.

Të gjithë ndërkombëtarët janë shprehur kundër këtij projektligji. Ky është projektligj si lavatriçe parash, duhet të ribëhet i gjithi”, tha Bozdo. Pas rrëzimit të këtyre amendimeve, Jorida Tabaku tha se ligji do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Sot në nisje të seancës, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike kërkova që ligji për marrëveshjen e paqes fiskale të tërhiqej nga rendi i ditës. Disa nga kolegët kanë bërë amendamente për t'u përpjekur për të kufizuar dëmet që ky ligj ka dhe që do të ketë në ekonomi. Por ne besojmë dhe gjykojmë që ligji është antikushtetues. Ligji cenon barazimin përpara ligjit. Ligji nga ana tjetër hap edhe një shteg për pastrimin e parave, jo se në ekonominë shqiptare nuk po ndodh pak ky fenomen. Ligji ka mungesë transparence, ligji cenon konkurrencën. Ligji është një nga ligjet më të lobuara që vijnë këtu në Parlamentin e Shqipërisë. Disa nga amendamentet e prezantuara nga kolegët socialistë për përjashtimin e kontratave koncesionare, partneriteti publik privat, kompanive që janë hetim, kompanive që janë subjekt i SPAK-ut, kompanive që kanë ortak që janë hetim, janë bërë njëkohësisht edhe nga deputetë e Partisë Demokratike, për t'u përpjekur për të kufizuar dëmet që ky ligj ka. Edhe në qoftë se presidenti e dekreton, grupi parlamentar i Partisë Demokratike të gjithë do ta shohin ligjin në Gjykatën Kushtetuese”, tha Tabaku.

Gjithashtu kush hyn në marrëveshje ka të drejtë të korrigjojë pasqyrat financiare të 5 viteve të mëparshme, deri me 30%. Pra nëse në vitin 2022, një biznes ka deklaruar 200 mijë euro të ardhura, ai do të mund të ndryshojë pasqyrën financiare, dhe ti rrisë të ardhurat deri në 60 mijë euro, kjo pjesë do të tatohet me vetëm 5%.

Ndërkohë, me 73 vota pro dhe 14 kundër Kuvendi miratoi ligjin “Për fshirjen e detyrimeve”. Sipas këtij ligji, të gjitha detyrimet e krijuara deri në 31 dhjetor 2014 fshihen automatikisht, me përjashtim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Janë afro 2 miliardë euro që preken nga kjo nismë e miratuar, nga të cila 1 miliardë euro borxhe që falen automatikisht pasi janë me vjetërsi mbi 10 vite, pa përfshirë detyrimet për sigurimet shoqërore. Ndërsa borxhet e krijuara si doganore ashtu edhe tatimore nga 2015-2024 do të lehtësohen vetëm nëse paguhen detyrimet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 01:12
Kuvendi 'dritë jeshile' Paketës fiskale 2026, 'lumë' amendimesh por asnjë propozim i vlefshëm për PS! Kalon pa ndryshim TVSH në bujqësi

As në seancë nuk pati asnjë ndryshim në projektligjin për TVSH, me fokus në bujqësi.  Edhe pse i propozuar nga deputeti socialist Erion Braçe por edhe nga deputetët e opozitës Eno Bozdo e Jorida Tabaku të kishte ndryshime dhe të përfitonin me shumë fermerët, amendimet u rrëzuan. 

Kështu u miratua pa ndryshime me 80 vota pro, 25 kundër projektligji për TVSH, që parashikon që fermerët me NIPT në tatime të përfitojnë 10% kompensim për faturën që marrin nga grumbulluesit kur ju shesin produktet që kanë prodhuar. Në fakt në vend janë 111 mijë fermerë, por vetëm 11 mijë përfitojnë nga kjo nismë.

Pa ndryshime me votat e mazhorancës kaloi edhe projektligji për procedurat tatimore që parashikon që bizneset nuk do të bëjnë transaksione me vlerë më të lartë se 100 mijë lekë në cash me një biznes tjetër. Projektligji për ndryshimin e ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ul tavanin për pagesat cash mes bizneseve nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë, si dhe kufizon për herë të parë në 500 mijë lekë vlerën e pagesave që mund të bëjnë me para në dorë individët apo të vetëpunësuarit.

Me 81 vota pro dhe 18 kundër u miratua Projektligji “Për sistemin e taksave vendore”, që nis të diskutohet në komisione, parashikon të përjashtojë të gjitha investimet të financuara nga buxheti i njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, të ndërtimeve për qëllime publike në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Gjithashtu me 81 vota pro kaloi edhe ndryshimi i ligjit për “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, si dhe me 84 vota pro projektligji për të ndryshuar ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, ku parashikohet një sërë lehtësish fiskale për sponsorizimet në sport si dhe në fushën e zhvillimit dhe kërkimit.

Ora 00:53
Kuvendi miraton ligjin që i hap rrugë fshirjes së 1 mld euro borxhe! Rrëzohen të gjitha amendimet e bëra

Kuvendi ka miratuar me 73 vota pro dhe 14 kundër Projektligjin “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”.

Ky projektligj është kritikuar ashpër nga opozita, e cila ka kërkuar nga qeveria të bëjë publike listën e përfituesve. Sipas këtij ligji që mori dritën jeshile pas mesnate në seancën maratonë në Kuvend, të gjitha detyrimet e krijuara deri në 31 dhjetor 2014 fshihen automatikisht, me përjashtim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Janë afro 2 miliardë euro që preken nga kjo nismë e miratuar, nga të cila 1 miliardë euro borxhe që falen automatikisht pasi janë me vjetërsi mbi 10 vite, pa përfshirë detyrimet për sigurimet shoqërore.

Ndërsa borxhet e krijuara si doganore ashtu edhe tatimore nga 2015-2024 do të lehtësohen vetëm nëse paguhen detyrimet.

Për detyrimet nga 2015-2020 borxhet do të falen 50% nëse pjesa e mbetur paguhet me një këst brenda qershorit të 2026-ës. Kur ky kusht nuk realizohet do të falet 25% e borxhit nëse pjesa e mbetur prej 75% paguhet me këste mujore deri në fund të dhjetorit të vitit 2026. Në të dyja këto raste gjobat dhe kamatëvonesat thuhet në projektligj do të fshihen.

Kategoria tjetër me borxhe nga 1 janari 2020 e deri në fund të dhjetorit 2024, do të përfitojnë falje të gjobave dhe kamatave nëse i paguajnë të gjitha detyrimet tatimore brenda vitit 2026.

Deputeti i PD pati dy amendime, por nuk morën mbështetje me vota.

“Nga fshirja e/shuarja e detyrimeve të parashikuara sipas këtij ligji, nuk përfitojnë tatimpaguesit/subjektet në pronësi/zotërim të të njëjtit individ apo grup individësh, që operojnë subjekte të tjera tatimpaguese, të cilat: Kanë përfituar ose përfitojnë financime publike nga viti 2015 e në vazhdim. Kanë deklaruar bilance pozitive duke paguar detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi që nga viti 2020. Brenda datës 31.01.2027, organet përkatëse publikojnë në faqen zyrtare online të internetit (faqja ëeb) të institucionit, listën e plotë të tre mijë (3000) tatimpaguesve/subjekteve që kanë rezultuar me fshirjen/shuarjen më të madhe të detyrimeve sipas përcaktimeve të këtij ligji. Në cdo rast, në listë të përfshihen të gjithë tatimpaguesit/subjektet të cilëve u është fshirë/shuajtur detyrimi jo më i vogël se 5 milionë lekë”, propozoi Bozdo.

Ora 00:39
‘Paqja fiskale’, debate në Kuvend! Shehaj: Doni t’i falni gjobën 120 mln Bankers! Malaj: Nuk përfiton, po merren masa për t’ia vjelur gjobën

1765496700_kuvend.png

Projektligji i dytë i paketës së Paqes është ai i fshirjes së detyrimeve me të vjetra se 10 vite, si dhe falje me këste për borxhet e reja.

Teksa ishte në votim nen për nen Agron Shehaj kërkoi që në ligj të caktohet që Bankers Petroleum të mos përfitojë nga falja e gjobave dhe detyrimeve.

Kësaj kërkesë ju përgjigj ministri i Financave Petrit Malaj duke thënë se s'do jetë përfituese.

“Keni 120 mln euro që duhet ti merrni. Ju vjen për tu qeshur? Mungojnë ilaçet në spitale se nuk keni para. Mungojnë shërbimet bazë nëpër spitale, kemi pensione skandaloze se s’ka para. Pse do t’ia lëmë Bankers. Nuk kam marrë shpjegim, sepse ky ligj është për të shpëtuar gjobën e Bankers dhe do përfundojë si amnistia penale që dolën të korruptuarit nga burgu”, tha Shehaj.

"Bankers Petroleum që është në hetim nuk përfiton nga ligj i faljes së detyrimeve. Gjoba 120 mln euro që i është vënë kompanisë po merren masa për t'u vjelur", tha Malaj.

Gjatë një debati në Kuvend, ku opozita pretendonte se Bankers-it do t’i falej gjoba, ministri pati paralajmëruar se po merreshin masa për të vjelë gjobën.