Kuvendi i Kosovës: Për Trepçën
nuk mund të vendosë Serbia

Kuvendi i Kosovës: Për Trepçën <br />nuk mund të vendosë Serbia
PRISHTINË - Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, deputetët e opozitës kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës rreth nënshkrimit të një marrëveshjeje javën e kaluar mes një kompanie amerikane dhe ministrit të Resurseve Natyrore dhe Minierave të Serbisë, Millan Baçeviç për Trepçën. Ndërsa, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se kjo kontratë e nënshkruar është e kundërligjshme, e paefektshme dhe se nga kontaktet që ka pasur me Departamentin Amerikan të Shtetit ata e kanë këshilluar kompaninë, që të mos nënshkruajë asgjë me Serbinë për minierën e Trepçës, bën të ditur RTV21 në Kosovë. 

KRASNIQI: PRIVATIZIMI I TREPÇËS DO 2/3 E VOTAVE

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë se Trepça nuk është unike, pasi atje janë dy drejtorë dhe se puna e parë, që duhet të bëhet është që, Trepça të ketë vetëm një drejtor. Krasniqi ka pohuar se nuk mund të privatizohet miniera e Trepçës dhe se për privatizimin e saj duhen votat e 2/3 të deputetëve të Kuvendit. “Prandaj ndoshta kjo që ka ndodhur me atë marrëveshje është një sinjal për neve si përfaqësues të popullit. Duhet të na japë ne që kemi ardhur këtu që të mendojmë më kthjellët dhe secilit dhe çdokujt t’ia bëjmë të qartë se Trepça të privatizohet pa vendosur se paku 2/3 e përfaqësuesve të popullit. Dhe se çfarëdo formë tjetër e privatizimit do të jetë vazhdim i kriminalizimit të jetës politike në Kosovë dhe kjo duhet të diskutohet dhe tradita e faljes së pasurisë publike duhet të ndërpritet një herë e mirë. Përndryshe, ne marrim përgjegjësi edhe për të sotmen edhe për të ardhmen e këtij vendi”, ka thënë Krasniqi.

YMERI: FAJI PËR TREPÇËN TEK MARRËVESHJA E BRUKSELIT

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka deklaruar se e ashtuquajtura marrëveshje midis kreut të kompanisë amerikane Kathurias dhe Ministrit të Resurseve Natyrore dhe Minierave të Serbisë, Millan Baçeviç vjen si pasojë e veprimeve e vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe negociatave në Bruksel. “Faktorizimi politik e ekzekutiv i Serbisë brenda Kosovës, që ndodhi gradualisht përmes negociatave e që u kurorëzua me marrëveshjen e 19 prillit, e inkurajoi Serbinë që të sillet sikur ka pushtet sovran përmbi Kosovë. Bordi i AKP-së i politizuar e i ndërkombëtarizuar vështirë se mund të reagojë. E Qeveria e shantazhuar e Kosovës më me rëndësi e ka të mbetet në pushtet e larg nga burgu se sa ta mbrojë Trepçën nga plaçkitësit e matrapazët”, ka thënë Ymeri. Ai ka pohuar se edhe dorëheqjet që kanë ndodhur në AKP, janë lidhur jo me proceset e parregullta të privatizimit që kanë ndodhur në Kosovë, por janë të lidhura me atë se duhet të privatizohet dhe kjo është shqetësuese për çdo qytetarë që i dhimbset pasuria publike.

FERATI: BRENGOSEM NGA HESHTJA E INSTITUCIONEVE


Ndërsa, shqetësimin për mosdeklarimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me këtë marrëveshje e ka paraqitur edhe deputeti i LDK-së, Sadri Ferati, i cili ka thënë se nuk brengoset për atë çka flasin serbët në Beograd, por për heshtjen e institucioneve të Kosovës. “Nuk merakosëm për atë çka bisedohet në Beograd për çështjen e Kosovës, por brengosëm se si institucionet kompetente të Kosovë mjaftohen me deklaratën se nuk është legale. Të kujtojmë më herët një deklaratë të zyrtarëve të lartë, gjegjësisht kryeministrit serb se miniera e Trepçës është e Serbisë dhe shikoni a mund të gjeni një deklaratë të institucioneve të Kosovës ngase kjo është një pasuri që ende nuk është shitur dhe zhvlerësuar si të tjerat”, u shpreh Ferati.


Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm