PRISHTINË, 26 Shkurt /ATSH-B.Jashari/.- Kuvendi i Republikës së Kosovës seancën e sotme plenare të drejtuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli e nisi me "koha për deklarime jashtë rendit të ditës" pikërisht me urimin tradicional të minatorëve me "Me fat!" dhe përkujtimin e grevës së urisë në Trepçë para 26 vitesh, në mbrojtje të Kosovës.
"Jemi në 'Javën e Minatorëve' dhe uroj minatorët me përshëndetjen e tyre 'Me fat!', u shpreh deputetja Sala Berisha-Shala në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së. Ajo përkujtoi se Trepça në vitin 2011 ka paraqitur një padi ndaj Serbisë për dëmet që i ka shkaktuar gjatë kohës së masave të dhunshme të viteve të okupimit, ndërsa kërkoi për këtë padi veprimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Kuvendi i Republikës së Kosovës po zhvillon sot seancë plenare, ku shqyrton propozimet për emërimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të një anëtari të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, si dhe do të formojë Komisionin ad hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Greva e urisë e 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28 shkurt 1989, e cila po përkujtohet me shumë veprimtari, ishte në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, ishte rezistencë e fuqishme kundër rrënimit të dhunshëm dhe kundërkushtetues së autonomisë që kishte Kosova si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës, me Kushtetutën e vitit 1974.
Greva minatorëve, e përkrahur nga populli në mbrojtje të Kosovës dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët, u pasua me demonstratat e gjithëpopullore të marsit, po të para 26 vjetëve, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 mars 1989, forcat serbe, që kishin vendosur shtetrrethim të hekurt ushtarako-policor, vranë 22 shqiptarë e plagosën qindëra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.
Në këto rrethana tragjike terrori, derisa Kosovën po e përgjakte Serbia, në Kuvendin e saj në 28 mars të vitit 1989 miratoi kushtetutën famëkeqe të njohur si "kushtetutë e tankeve", që me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova si njëra nga tetë njësitë konstituive të ish-federatës jugosllave./k.s/