PRISHTINË, 16 Dhjetor /ATSH-B.Jashari/.-Në Kuvendin e Kosovës, të konstituuar në 8 dhjetor, vazhdon të mos ketë konsensus për ndarjen e komisioneve parlamentare edhe pas mbledhjes së sotme të Kryesisë, bashkë me kryetarët e grupeve parlamentare.
Mbledhja u ftua pasi në seancën e djeshme plenare, pas debatit me mospajtime, Kuvendi i Kosovës nuk arriti votat e mjaftueshme për miratimin e propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare.
Në mungesë të konsensusit, për zhbllokimin e procesit të formimit të komisioneve parlamentare u vendos që në seancë të shkohet me dy propozime: fillimisht të procedohet sipas propozim-vendimit të mbledhjes së kaluar të Kryesisë, me 14 komisione, ndërsa në rast se ky propozim nuk merr votat e mjaftueshme prej 2/3 të Kuvendit 120 anëtarësh, të procedohet me propozimin e dytë, me 13 komisione.
Kryesia në mbledhjen e sotme konfirmoi seancën plenare të Kuvendit për ditën e enjte në orën 10:00, në të cilën deputetëve do t'u adresohet presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me fjalimin e saj vjetor./i.v//a.ke/











