Kuvendi i ri, lidhja me Sigurimin,
kandidatët refuzojnë kontrollin 

Kuvendi i ri, lidhja me Sigurimin,<br />kandidatët refuzojnë kontrollin 
Ashtu si parlamentet paraardhëse, edhe parlamenti i ri, i cili do të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, nuk do të shpëtojë nga depërtimi i bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit. Asnjë nga qindra kandidatë për deputetë të 18 partive politike nuk i është nënshtruar verifikimit për lidhje me ish-Sigurimin famëkeq të Shtetit.

Pavarësisht vullnetit të mirë të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, verifikimi i pastërtisë së figurës së kandidatëve për deputetë, për zgjedhjet e 18 qershorit 2017, ka dështuar. Për këtë çështje, disa ditë më parë, pati një takim mes anëtarëve të autoritetit dhe anëtarëve të KQZ, takim i cili nuk ka prodhuar asgjë në funksion të transparencës rreth të shkuarës së deputetëve të ardhshëm, të cilët do të miratojnë ligje në emër të qytetarëve shqiptarë. Dhe dështimi ishte pashmangshëm pasi ligji për hapjen e dosjeve parashikon njëfarë imuniteti për deputetët dhe kandidatët për deputetë.

Konkretisht, ligji nuk krijon asnjë mundësi për autoritetin e hapjes së dosjeve dhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të kërkuar verifikimin e kandidatëve. Ligji, ndoshta me qëllim, e ka lënë verifikimin në vullnetin e partive politike dhe të vetë kandidatëve për deputetë. Shqiptarja.com ka mësuar se asnjë parti politike, pavarësisht retorikës kundër ish-Sigurimit të Shtetit, nuk i ka kërkuar autoritetit për hapjen e dosjeve, verifikimin e kandidatëve të saj.

Gjithashtu, edhe kandidatët për deputetë, të cilët kanë qenë në moshë madhore para përmbysjes së sistemit komunist, nuk kanë shprehur vullnetin për t’u verifikuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Befasues është edhe qëndrimi i Partisë Demokratike. Ndonëse kreu i saj Lulzim Basha pati deklaruar se kandidatët e PD do t’i nënshtrohen pastërtisë së figurës, lista e Partisë Demokratike nuk i është nënshtruar verifikimit të autoritetit, pikërisht për shkak të mungesës së vullnetit politik të partisë.

Imuniteti për kandidatët
Ligji për hapjen e dosjeve kushtëzon verifikimin e kandidatëve për deputetë për lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit. Ligji parashikon se për verifikimin e kandidatëve për t’u zgjedhur, kërkesa duhet të bëhet nga vetë kandidatët për qëllime të transparencës së figurës, gjatë fushatave elektorale. Konkretisht, neni 30 i ligjit, parashikon që autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo kërkese të paraqitur nga kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarë bashkish dhe kryetarë këshilli qarku, në lidhje me ekzistencën për ta të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet prej tyre për qëllime të transparencës së figurës, gjatë fushatave elektorale. Pra, kërkesa mund të bëhet vetëm nga kandidatët ose edhe nga partitë.

Hileja tjetër
Neni 29 i ligjit nr. 45/2015 për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, parashikon kategoritë e zyrtarëve, për të cilët mund të kërkohet informacion për lidhje me ish-Sigurimin. Lista nis më kandidatët për President të Republikës, ministrat, zëvendësministrat, funksionarë politikë, drejtorët në administratën publike, armata e gjyqtarëve dhe prokurorëve, anëtarët e KLD, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, diplomatët, ushtarakët, punonjësit e shërbimeve informative, rektorët, dekanët etj. Çuditërisht në këtë listë nuk janë parashikuar deputetët dhe kandidatët për deputetë. Pra, neni 29 i ligjit nuk parashikon verifikimin e kandidatëve për deputetë me kërkesë të subjekteve të parashikuara në ligj.
 
Neni 30 i ligjit për hapjen e dosjeve
Kërkesa për informim nga kandidatë për t’u zgjedhur
1. Autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet, sipas pikave 2 dhe 3, të nenit 29, të këtij ligji, çdo kërkese të paraqitur nga kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarë bashkish dhe kryetarë këshilli qarku, në lidhje me ekzistencën për ta të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet prej tyre për qëllime të transparencës së figurës, gjatë fushatave elektorale.
2. Kur kjo kërkohet nga subjektet dhe për qëllimin e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, Autoriteti i informon ato, sipas pikës 2, të nenit 29, të këtij ligji, për personat që në periudhën e përcaktuar në nenin 2, të këtij ligji, figurojnë si:
a) anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të
Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese posaçme politike, apo punonjës i nivelit të lartë i ish-Sigurimit të Shtetit;
b) bashkëpunëtor aktiv i ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, apo denoncues ose dëshmitar i akuzës në proceset të posaçme, pas mbushjes së moshës 18 vjeç;
c) persona me të dhëna nga ish-Sigurimi i Shtetit për spiunazh dhe terrorizëm.
3. Kur dokumentet përmbajnë të dhëna personale mbi të prekur të tjerë apo palë të treta, zbatohen pikat4 dhe 5, të nenit 20, të këtij ligji.
 
Kategoritë që mund të verifikohen
1. President i Republikës
2. Anëtarë të Këshillit të Ministrave
3. Zëvendësministra
4. Funksionarë politikë
5. Anëtarë të trupës së nivelit të lartë drejtues në administratën shtetërore
6. Anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë
7. Gjyqtarë
8. Prokurorë në gjykatat e prokuroritë e të gjitha niveleve
9. Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese;
10. Funksionarë në Forcat e Armatosura , Shtabin e Përgjithshëm
11. Funksionarë në Gardën e Republikës,
12. Oficerë me gradën “Gjeneral” dhe “Kolonel”
13. Prefektë
14. Drejtues dhe punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror
15. Drejtues dhe punonjës të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes
16. Drejtues në Policinë e Shtetit deri në nivel qarku dhe komisariati
17. Drejtues të përfaqësive diplomatike;
18. Guvernatorë dhe zëvendësguvernatorë të BSH
19. Anëtarë të Akademisë së Shkencave
20. Rektorë,
21. Zëvendësrektorë
22. Dekanë
23. Zëvendësdekanë në universitetet publike
24. Drejtor i Përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorë të Radiotelevizionit Publik Shqiptar
25. Drejtor dhe Zëvendësdrejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare
26. Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti apo i zgjedhur nga Kuvendi


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

FBI-ja zotohet se do të lëvizë çdo gur në rastin e sulmit ndaj Trumpit

FBI-ja zotohet se do të lëvizë çdo gur në rastin e sulmit ndaj Trumpit