Kryeparlamentarja Lindita Nikolla i dërgoi sot një letër zyrtarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, James Rubin për t’i kërkuar ndihmë në lidhje me ngritjen e Komisionit Parlamentar të Dezinformimit.
Ky Komision mori dakordësinë e Konferencës së Kryetarëve ditën e sotme dhe të enjten do të kalojë në parlament. Komisioni për dezinformimin dhe ndërhyrjen e huaj mori vetëm votat e socialistëve, ndërsa Opozita e ka parë me dyshim iniciativën, duke aluduar për ndërhyrje dhe kontroll ndaj medies dhe kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me propozimin e mazhorancës.
Në letër, Nikolla i shkruan të Dërguarit Special dhe Kordinatorin për Qendrën e Angazhimit Global të Departamentit të Shtetit se "Shqipërisë i mungon kuadri i duhur për të trajtuar ndikime të tilla' dhe e fton në Shqipëri t’i drejtohet Kuvendit për rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar ndikimet e huaja malinje.
“I nderuar zoti Rubin.
Po ju shkruaj në lidhje me nismën e fundit të iniciuar nga një grup deputetësh për Krijimin e një Komisioni të Posaçëm për të luftuar ndikimin e huaj, duke përfshirë dezinformimin. Konferenca e Kryetarëve miratoi sot vendimin e Parlamentit për të ngritur një Komision të tillë dhe e ka kaluar për miratim në seancën plenare.
Duke qenë se Shqipërisë i mungon kuadri i duhur për të trajtuar ndikime të tilla, unë do të doja që jo vetëm t’ju bëj një ftesë për të vizituar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, por komisioni do të përfitonte shumë nga përvoja dhe njohuritë tuaj të vlefshme kundër këtyre forcave.
Për më tepër, dëshiroj t’ju kërkoj që t’i drejtoheni Kuvendit për rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar ndikimet e huaja malinje. Fjala juaj do të ndihmonte të rriste ndjeshmërinë dhe do të inkurajonte bashkëpunimin në këtë çështje të rëndësishme.
Faleminderit për konsideratën tuaj dhe pres me padurim përgjigjen tuaj”, shkruan Nikolla në letrën drejtuar të Dërguarit Special dhe Kordinatorit për Qendrën e Angazhimit Global të Departamentit të Shtetit.
Kryetari i grupit Parlamentar të PS-sw, Bledi Çuçi tha se opozita po sheh paranoja dhe se komisioni s’ka lidhje me zhvillimet e brendshme. Ndërsa akuzat e opozitës shkojnë edhe më tej, nga përpjekjet për kontroll të medias te dyshimet për ndryshime kushtetuese në funksion të zgjedhjeve të ardhshme.
Ndërkohë në kërkesën e PS thuhet se komisioni do të bëjë transparencën e financimeve në fushata zgjedhore, si dhe transparencën e financimit të të gjithë aktorëve dhe platformave që ofrojnë shërbime në sektorin e informimit publik apo veprimtari të tjera të ngjashme me to.’- thuhet në kërkesën e PS-së.