PS voton ngritjen e Komisionit për 'Dezinformimin'! Opozita: Po bëhet për të zhvendosur vëmendje nga aferat e qeverisë! Çuçi: Jeni me paranoja

TIRANË- Është miratuar në Konferencën e Kryetarëve ngritja e komisionit të Posaçëm për Dezinformimin, që do të mbikëqyrë të gjitha veprimet institucionale në luftën kundër ndikimit të huaj për të dëmtuar demokracinë në vend.

Ngritja e komisionit u miratua vetëm më votat e socialistëve, ndërsa opozita e ka parë me dyshim këtë iniciativë të tyre, duke aluduar për ndërhyrje dhe kontroll ndaj medias dhe kanë kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me propozimin e mazhorancës.

Gjekmarkaj akuzoi mazhorancën se kjo është edhe një tentativë për të spostuar diskursin politik nga aferat e qeverisë.

‘Kjo është një tentativë për te spostuar diskursin politik nga aferat e qeverisë. Por përtej kësaj, ky propozim është problematik. Vjen si një tentativë e dytë për të ndërhyrë në lirinë e medias. Vjen pas dështimit të paketës antishpifje, një paketë që u kundërshtua fort nga ndërkombëtarët. Ngjan me atë që ka ndodhur në Turqi, mbi fjalën demokraci u bë dhunimi me i fortë i shtyllave të demokracisë. Duhet një reflektim dhe një kujdes i madh.’- tha Agron Gjekmarkaj.

Por kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi, tha se fokusi është koordinimi dhe mbikëqyrja e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri. Çuçi tha se opozita po sheh paranoja dhe se komisioni s’ka lidhje me zhvillimet e brendshme.

"Më vjen keq që kolegët e opozitës shohin me paranojë cdo iniciative te mazhorancës. Por nuk eshte ky rasti. Per shkak të zhvillimeve nëpër botë, vlerat e demokracisë perëndimore janë më të kërcënuara. Dezinformimi është një nga instrumentat që po përdoret gjerësisht për të cënuar vlerat demokratike. Këtë nuk e themi ne, por e thotë gjithë bota perëndimore. PE pati një rezolutë dhe një komision të posacëm për këtë punë. Ky nuk është një mekanizëm për qëllimet tona të brendshme politike, prandaj këtu duhet të jemi bashkë. Ngritja e këtij komisioni është e domosdoshme. Do të bëjë një analizë të plotë të situatës. Mendoj se nese ky Parlament do të ketë një komision ku ne duhet të jemi në sinkron, është ky komision ku duhet të japim një analizë të detajuar se në cilin nivel ka shkuar ndërhyrja e këtyre vendeve. S'mund të jemi ne imunë kur nuk është SHBA apo vendet e BE. Eshte ne nderin tonë ta adresojmë sa më parë. Jam i bindur se ju do i bashkoheni këtij komisioni", deklaroi Çuçi.

Bardhi kërkoi shtyrjen e kësaj çështje, me argumentin se është çështje sensitive dhe se duhet të trajtohet me një kujdes të veçantë.

‘Ne bashkëndajmë shqetësimin për ndërhyrjet e shteteve të treta jo partnere nëpërmjet të gjitha formave. Mirëpo, do duhet që ju të qartësoni iniciativën, të na informoni ne dhe gjithë publiku mbi çfarë do të bëjë dhe për çfarë po kërkohet.'- tha Bardhi.

Akuzat e opozitës shkuan edhe më tej, nga përpjekjet për kontroll të medias te dyshimet për ndryshime kushtetuese në funksion të zgjedhjeve të ardhshme.

‘Kam dyshimet e mia se është një arsye për të kontrolluar më shumë median dhe për të lënë pas dore punën e institucioneve të rëndësishme, apo për të kontrolluar AMA-n. Objekti i këtij komisioni mund t’na çojë edhe në ndryshime kushtetuese për grabitjen e zgjedhjeve.’- tha Açka, kryetare e Komisionit të Medias.

Çuçi iu përgjigj shqetësimeve të deputetëve të opozitës.

"Duke iu referuar marrëveshjes me SHBA, të cilës iu referuar zonja Tabaku, ne nuk kemi detyrime, por marrim iniciativa dhe e sjellim në Parlament që të bëhet gjithëpërfshirëse.  Fakti që jemi vonë nuk duhet të na bëjë të vonojmë më tepër. Objekti i këtij Komisioni të Posaçëm do të hyjë të paktën në termat e 4 komisioneve të tjera parlamentare( Komisioni i Jashtëm, Ligjet, Siguria Kombëtare dhe Edukimit) Me afat 1-vjeçar sepse fusha e veprimit të këtij komisioni është shumë e gjerë. Ekzaktësisht ky komision do të marrë në shqyrtim edhe zbatimin e ligjit të AMA që përmendi zonja Açka. Komisioni i Posaçëm i PE ka zgjatur më shumë se dy vjet dhe është marrë me të gjitha ndërhyrjet në shtetet e BE", deklaroi Çuçi. 

Komisioni i Posaçëm Parlamentar i propozuar nga PS për dezinformimin do të mbikëqyr të gjitha veprimet institucionale në luftë kundër ndikimit të huaj për të dëmtuar demokracinë në vend. Ky është thelbi i kërkesës së socialistëve drejtuar Kuvendit për komisionin i cili do të bëjë analizë për transparencën e financimeve në fushata zgjedhore.

Sipas kërkesës së PS-së, Komisioni i Posaçëm i cili duhet të ketë 13 anëtarë,  nëpërmjet një qasje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë, duhet të nxisë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike përmes një seri formash, duke përfshirë, fushatat e dezinformimit nëpërmjet mediave tradicionale dhe atyre sociale për formësimin e opinionit publik, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë si dhe ndikimin keqdashës ekonomik të aktorëve publike dhe minimin e veprimtarisë së shoqërisë civile.

Një tjetër çështje e diskutuar në konferencën e kryetarëve ishte mandati I deputetes Olta Xhaçka, për të cilën kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla njoftoi shqyrtimin nw mbledhjen e këshillit të mandateve të hënën e 8 prillit .

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:21
‘Komisioni për Dezinformimin’, Bardhi: Çështje sensitive, të shtyhet! Qartësoni iniciativën

1712080742_gazmentbardhi.png

Gazment Bardhi ka kërkuar shtyrjen e kërkesës së PS-së për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin.

‘Kjo çështje është sensitive dhe duhet të trajtohet me kujdes të veçantë. Ne bashkëndajmë shqetësimin për ndërhyrjet e shteteve të treta jo partnere nëpërmjet të gjitha formave. Mirëpo, do duhet që ju të qartësoni iniciativën, të na informoni ne dhe gjithë publiku mbi çfarë do të bëjë dhe për çfarë po kërkohet.

Flisni për marrëveshje ndërkombëtare, marrëveshje me SHBA, dhe ne nuk dimë asgjë për atë marrëveshje pasi nuk na e keni vënë në dispozicion, edhe pse Kushtetuta e detyron qeverinë të na vendos në dijeni. Këto çështje që pretendohen të trajtohen në ketë komision të posaçëm mund të trajtohen fare mire ne komisionet respektive, Komisionin e Medias apo Komisionin e Sigurisë. Pse nuk mund të trajtohen aty? Do duhet të hiqet çdo dileme për ndërhyrje në lirinë e medias. Nëse nuk është ky qëllimi i fshehur, duhet të marrin kohën e nevojshme dhe mos e trajtojmë si një temë për konsum ditor.

Ka një Rezolutë të Kuvendit në 2019, e miratuat dhe e harruat. E trajtuat si temë dite dhe aq. Aty përcaktohet detyrimi që institucionet e sigurisë të sjellin raport në Kuvend, gjë që nuk e kanë bërë. Duhet të konsuktohemi me shoqatat e medias, që qartësohet objekti dhe motivet, çfarë do të trajtojë dhe pse duhet.’- tha Bardhi.

Ora 11:25
Konferenca e Kryetarëve/ Të hënën mblidhet këshilli i mandateve për Olta Xhaçkën

Të hënën do të mblidhet Këshilli Mandateve dhe Rregullores, ku do të diskutohet për mandatin e Olta Xhaçkës. Kështu bëri me dije nga Konferenca e Kryetarëve, kryeparlamentarja Lindita Nikolli.

Ishte kryetari i grupit parlamentar të PD-së ai që kërkoi llogari për këtë çështje, ndërsa akuzoi se maxhorancën po bllokonte vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Bardhi kryetares së Kuvendit: Të kujtoj se mos zbatimi i vendimeve te Gjykatës Kushtetuese, përbën vepër penale. Në shkelje të kushtetutës ju si kryeparlamentare dhe si maxhorancë po refuzoni të zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Keni nxjerr justifikime absurde nga janari i vitit 2023 e deri më sot. Kjo praktik e Gjykatës Kushtetuese, është praktik e njohur por ju bëni sikur nuk e kuptoni dhe e zvarrisni. Doni ta ktheni edhe një here te këshilli i mandateve ku vendimet e këtij këshilli kanë qenë subjekt i shqyrtimit ne Kushtetuese.

Nikolla: Të hënën do te mbledhim këshillin e mandateve për këtë çështje për të vijuar procedurën.

Bardhi: Procedura thotë se çështje do duhet të vij në Kuvend. Por ju kërkoni ta zvarrisni..

Gjykata Kushtetuese vendosi që çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës, ta dërgojë sërish në Kuvendi e Shqipërisë. Kushtetuesja vendosi pranimin e kërkesës së 14 deputetëve të PD, për ta shfuqizuar vendimin e Parlamentit që miratoi raportin e mazhorancës për të mos e çuar mandatin e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese. Ky vendim do të thotë që Kuvendi është i detyruar që ta çojë një kërkesë të deputetëve për verifikim të mandatit të një deputeti në Kushtetuese dhe do të jetë kjo e fundit që do të vendosë.

M.Q.//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë